Përse këtë zemër tani ti e kupton?

Nga: Anna Ahmatova

Prekja ka një cak fatal, që fut drithmat,
Nuk ia kalon dashuria, pasioni,
Kur dhëmbët i shtrëngon që të mbash klithmat,
Ndërsa zemra sa s’plas nga emocioni.

Këtu, as miqësia s’i ka punët mirë,
Sado e mbrojtur nga qeshjet dhe gëzimi,
Shpirti është i lirë e s’do t’ia dijë,
Ç’është dalldia, epshi, përvëlimi.

I çmendur, kush ta provojë kërkon,
Po i ra për pjesë, s’e di ç’e pret,
Përse këtë zemër, tani ti e kupton,
Pse gati ndalet, kur ti mua më prek.

Përktheu: Maksim Rakipaj