
Nga Leon Lekaj
Shpesh herë, në biseda miqsh të brezit tim, dëgjohen dialogë të tillë:
-Mbeti himn kjo kënga e Prenk Jakovës, “Margjelo”, është perlë! Disa, ndoshta më të rrallë, shkojnë edhe më tej, teksa i dëgjon të përmendin edhe autorin e tekstit, Filip Ndocaj; ose “Këputa një gjethe dafine” e Limoz Dizdarit dhe Xhevahir Spahiut. Dhe biseda hyn nëpër labirintet e kohës pa emër.
Por le të bëjmë një pyetje të thjeshtë!
Sa vetë e dinë sot që kënga për herë të parë është kënduar nga Nikolin Gjergji dhe Klotilda Shantoja?
Pak! Shumë pak! Sepse gjatë dekadave, emrat e këngëtarëve janë zëvendësuar me të rinj, me performanca të ndryshme. Dhe harresa e emrave të këngëtarëve të parë është normale, edhe pse jo morale.
Periudha që lamë, me gjithë problemet që pati me censurën dhe autocensurën e artistëve, na la pas një plejadë kompozitorësh dhe tekst shkruesish me nivel të lartë artistik, të cilët u bënë të njohur shpejt dhe gëzuan një emër të mirë tek dashamirësit e muzikës.
Gjithmonë, krahas këngëtarëve të mrekullueshëm si Vaçe Zela, Gaqo Çako, do të gjeje krijues si Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Zhuliana Jorganxhi, krahas Anita Takes, Tonin Tërshana, Alida Hisku etj do të gjeje emra si Agim Prodani, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro Agim Doçi, e shumë të tjerë. Edhe në ditët tona kanë mbërritur bashkëpunime të tilla model si Jorgo Papingji – Aleksander Lalo, Alqi Boshnjaku – Françesk Radi, Feim Ibrahimi – Gjok Beci, Kastriot Gjini-Fluturak Gërmenji.
Madje gjatë festivaleve të para viteve ‘90 në RTSH, kënga paraqitej me dublim, me qëllimin e mirë që të kishte një masë konkurrence edhe ndërmjet vetë këngëtarëve
Tani është rasti t’i hedhim një sy këngës “Kur prendon dielli”.
E kompozuar, prej Leonard Dedës, me tekst të Zef Lekaj, (me kërkesën e autorit të muzikës), fillimisht kënga u këndua prej duetit Drita Papajani dhe Xhevdet Hafizi. Që prej atij viti të largët 1958 dhe deri më sot, kënga ka pasur me dhjetëra interpretime, duke rrokur emra të shquar të fushës së interpretimit. Nëse do të bësh një kërkim të thjeshtë në internet, do ta kuptosh se në vend të emrave zë tyre, do gjesh emrat e dhjetëra këngëtarëve, por rrallë, ose hiç emrat e autorëve të vërtetë të atij krijimi. Kjo ndodh kryesisht sepse rubrikat e gazetarëve janë të vakëta, të pastudiuara më parë, pa nivel dhe me dije të pakta në fushën që ata kërkojnë të mbulojnë.
Po sot, çfarë po ndodh në lirinë e këtyre viteve të një tranzicioni kaq të gjatë dhe të vështirë në lëmin e muzikës?
Vazhdojmë të kemi festivale të RTSH, të trashëguar nga sistemi i vjetër, si një imitim i festivalit të Sanremo-s, por çuditërisht këngët që mbesin, janë kaq të pakta, sa që mund të numërohen me gishtat e dorës. Kompozitorët, ndoshta për shkak të hijes së madhe që ka ndërtuar sistemi i ri, janë gati-gati të padukshëm, njihen akoma më pak, ose nuk njihen fare. Nuk po flasim pastaj për autorët e teksteve.
I vetmi numër që është rritur është ai i këngëtarëve. Interpretuesja Irma Libohova, në një intervistë të sajën pretendon për një shifër të habitshme këngëtarësh që lëvrojnë nëpër Shqipëri. Janë rreth pesë mijë, shifër kjo që do të ishte e denjë edhe për një vend si Italia e Pavarotit apo e Çelentanos.
Të gjithë janë të suksesshëm. Mjafton që një këngë e tyre të marrë një çmim, apo të debutojë me një videoklip dhe menjëherë emri i këngëtarit shumëzohet, fryhet dhe bëhet i njohur. Rrjetet sociale, gazetat, televizionet dhe të gjitha mjetet e prodhimit të lajmit, shkruajnë me të madhe:
Këngëtari X triumfon në festivalin Y. Pjesa më e madhe e shtypit vë pikën diku afër “triumfuesit”. Është ai që vendoset nëpër altoparlantët e sistemit mediatik, thirret nëpër intervista, nëpër aktivitete të ndryshme, i bëhet reklamë, merr emër, madje merr edhe të ardhura materiale, nga “kënga e tij”. Shtypi dhe masmedia nuk shkojnë më larg se kaq dhe një prej arsyeve është padija e tyre muzikore. I gjithë sistemi mediatik as që do t’ ja dijë se, për të mbërritur deri tek triumfuesi, është pas emri i tekst shkruesit, i kompozitorit, apo edhe i orkestruesit, është bashkërendimi i tyre i gjatë dhe jo fort i lehtë.
Në këto raste kemi një sponsorizim të paarsyeshëm të formës (ajo çka duket dhe që përfaqëson këngëtarin) në dëm të brendisë (ajo që përfaqësohet me arkitekturën e brendshme të krijimit).
Nëse do të vazhdonim me këtë logjikë, aktualisht do të njihnim vetëm Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet, dy protagonistët kryesorë të filmit të famshëm “Titanic”, por eksperienca e gjatë nuk e pranon këtë fakt. Në krye të titrave qëndron emri i krijuesit të filmit, ai i James Cameron dhe poshtë tij do të gjesh emrat e interpretueseve.
Edhe nëse do të përmendim titullin e një drame, instinktivisht ajo do të shoqërohet nga autori i saj dhe jo prej emrit të protagonistit. Themi “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit, “Fisheku në Pajë” e Fadil Krajës, “Pallati 176” e Adelina Balashit, “Vizita e inspektorit” dramë nga John Priesley
Brezi ynë, që dëgjonte San Remon, apo Hit Parade, i ka ende në vesh bashkëpunimet e Batisti-Mogol (Lucio Batisti-Giulio Rapetti). Dhjetëra këngë të suksesshme, të cilat mbushën tregjet muzikore italiane dhe evropiane dhe mbërritën deri tek rinia jonë e atyre viteve lanë gjurmë të pashlyeshme në muzikën e lehtë. Këtu ka një shembull, i cili vlen për tu përmendur: Lucio Batisti ishte kantautor, e me gjithë atë, edhe sot e kësaj dite, emri i Mogol autori i teksteve të tij deri në vitet ’80, është ngjitur me atë të këngëtarit, dhe është bërë një figurë e njohur tek dashamirët e muzikës italiane. Kjo është e rruga në një shtet, ku e drejta e autorit respektohet (edhe pas prishjes zyrtare të bashkëpunimit Batisti-Mogol).
Atëherë, në cilin parim bazohet ky indiferentizëm ndaj krijuesve të një kënge?
Shoqëria jonë e pas viteve ‘90 ka kohë që udhëzohet në tufë dhe në emocione drejt artit të tallavasë. Këngë të tipit “Hajde bojna selfi/O per dikon tjeter/Ta sheh o Dashnia vjetër/ apo “E rrenat kurr si nale-le “Dashnin tem ja fale-le Femnat tjera si nale-le” bëhen urë midis një “tekst shkruesi”, “kompozitori” dhe një “këngëtari” duke dhunuar kështu shijet e vërteta artistike.
Me këtë këto mënyra që vazhdojnë të ndiqen, mediat po i hapin rrugë një plejade mediokrish muzikantësh dhe tekst shkruesish, të cilët bëjnë marrëveshje dypalëshe duke e drejtuar shoqërinë tonë drejt tallavasë. Jam i mendimit se autorët e vërtetë të këngës, mbeten të pamotivuar, qoftë materialisht dhe qoftë shpirtërisht, duke çuar në ekstrem indiferentizmin e tyre ndaj evenimenteve, si ato lokale, ashtu edhe ato në rang kombëtar.
Shkurt 2026, Athinë
ObserverKult
Lexo edhe:






