Unë do të iki… nuk do të marr asnjë send…

Esmeralda Shpata

Nga Esmeralda Shpata

Për të ndryshuar qoftë dhe asgjë

Po unë kam flatra, botës ia kam paraqitur si krahë. Unë nuk jam ashtu si shihni ju, jam ashtu si dua të jem. Ligjësitë për shtirjen nuk i shpika unë. Sikur në rrugë të ecnin jo dukjet, por thelbet, gjymtyrët e mia do të ishin flatra.
Unë nuk mundem t’i bëj njerëzit ashtu si duhet të jenë, jeta i ka vendosur rregullat, i ka lënë njerëzit ashtu si mund të jenë. Mua kjo nuk më pëlqen.
Kur nuk realizohen dot qajnë, viktimizohen, kur realizohen si duhet llastojnë hundën, japin mend dhe blejnë të qeshur të re.
Unë do të iki. Nuk do të marr asnjë send nga shtëpia ime, shpirti i tyre është prerë për të. Një maune me kujtime do të marr me vete dhe do t’i qepem ylberit. Dy gjëra janë të sigurta, gjini s’do të ndërroj dhe do të kthehem me shirat e shtatorit.
Aty ku do të shkoj, në vendin tim iluzionar, do të merrem thellësisht me veten time. Është proces përmbysës, nuk ka sallone bukurie atje. Unë do të hekuros të gjitha mendimet e vjetra e të reja, do t’i zgjedh të vjetrat dhe të grisurave do t’u vë zjarrin. Me pak fjalë do të vë rregull. Përgjegjësitë e mia s’ do t’i vë në raftet dimërore, e dëshirat s’do t’i var në kremastarë sipas ngjyrave. Do t’më duhet ndryshe t’ua gjej vendin. Mua nuk më pëlqejnë të ndezurat, e kam mbushur garderobën bardhë e zi. Ky kontrast m’i ka vështirësuar gjërat. Do e mendoj, kam vënë re ca ngjyra rrëzëllitëse dhe po kam dëshirë t’i vesh.
Është si një pastrim udhëtimi im, unë atje fshij, laj, rritem. Atje nuk ka hile, i bie të gënjesh veten. Nuk ka sedër, e ha turpin me dhëmbë, nuk ka atje, asnjë lloj marrëveshje nuk të shpëton. Ul kokën dhe çlirohem nga dukjet, është ushtrimi më i mirë për thelbin, aty s’ka duar e këmbë që t’më ndihmojnë.
Unë do të doja që gjithë bota ta provonte ç’do të thotë ky udhëtim. Nuk është pelegrinazh i njohur, aty nuk të duhet të takosh të mbinatyrshmen dhe të përjetshmen. Aty të duhet t’ia heqësh vetes peshën dhe ta vësh në kandar me miligram.
Unë do të shkoj, megjithëse jam një masë e madhe dëshirash, nuk u iki dot përgjegjësive.
Do të shkoj dhe nga larg do testoj botën, këmbë a flatra i duken gjymtyrët e mia?
Kjo nuk ka pikë rëndësie për mua si u dukem, por nga dukja ta gjejnë vendin. Në qoftë se dikujt i ka ardhur në mend që të jetë si do ai të jetë, mos të ndihet i detyruar, i duhet të udhëtojë.
Më mirë tani, sesa atëherë kur kostumin a fustanin e ri s’do të mund ta heqin më kurrë, as të shkruajë në vetën e parë s’do të mundet.

ObserverKult

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: KAM GJITHË JETËN QË DUA TË TË TAKOJ…