Ja si përshkruhet qyteti i bukur i Gjirokastrës nga Kadare
“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Shkaku i pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë.
Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët. Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm. Ti mund të ecje rrugës dhe po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje.
Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra. Në këtë qytet unë linda dhe këtu kalova fëmijërinë time.”
*Shkëputur nga “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë
ObserverKult
———————-
Kliko edhe: