Përshpirtje për Musa Ramadanin

musa ramadani:
©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

Kumti për vdekjen e Musa Ramadanit tingëllon dhembshëm për familjen e tij, miqtë e tij dhe adhuruesit e letërsisë e të artit letrar shqiptar.
Musa na la. Musa shkoi. Mbeti kujtimi për Njeriun dhe vepra letrare që mban shpirtin e tij në botën e të gjallëve. Se ai jetoi dhe shkroi duke theksuar, nga fillet deri në fund, luftën dhe dramën ndërmjet trupit dhe shpirtit, të cilën mund ta përballojë vetëm drama e krijimit që bëhet letërsi për ta përjetësuar shpirtin. Gjithnjë ndërprerja e kësaj drame lë diçka të nisur e të pambaruar.

Nga Sabri Hamiti

Musa Ramadani ka lindur më 1943 në Gjilan. Mësimet shkollore i ka bërë në Gjilan e në Prizren, ku ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Nga viti 1965 bëhet gazetar i Rilindjes për kulturë e për arte, një kohë edhe redaktor i rubrikës së kulturës te gazeta Rilindja. Lidhja e tij me këtë gazetë bëhet themelore, e pashkëputshme, si në botën e komunikimit ashtu edhe në botën e botimeve letrare.
Musa Ramadani kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, mëpastaj rrezatimi i tij si njeri e shkrimtar zgjerohet në gjithë botën letrare shqiptare. Arti i tij letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artin pamor.
Vepra e tij letrare, në tërësinë e saj, shfaq një botë individuale, që trupëzohet me një stil të tijin origjinal.
Kjo duket në poezi, që me librin e parë Mëkatet e Adamit (1969) deri në librin e mbramë Mëkatet e E(ha)vës (2006), duke rrokur çështjen e njerëzimit nga filli deri në zhvillimet moderne; patjetër duke kaluar nëpër përballjet mitologjike, historike e bashkëkohore të kërkimit për të krijuar figurën letrare. Ky është një rebelim tematik i sojit të vet i shfaqur në trajtë të refuzimit të klisheve pararendëse në gjirin e poezisë shqipe. Model i pranuar jo pa rezistencë në fazat e shfaqjes së tij. E në mesin e këtyre librave, Neurosis (1973) për pikëzimin e temës së modernitetit (të iniciuar nga ego) ashtu edhe temës së antikitetit (si nostalgji antike) në librin Eugjenika e tri deteve (1986), për të theksuar dhembjen e pambarim të shumësit, si arkeologji të shpirtit shqiptar në Mesdhe. Përherë duke lakuar shprehjen nëpërmjet çrëndomtësimit të reales në ndeshje me imagjinaren.
Në prozën romansore të tij, duke nisur nga vepra Romani pa kornizë (1975) deri te Profeti nga Praga (2017), Musa Ramadani është në kërkim të formës së tij të romanit në nivelin struktural (duke hedhur kornizën) dhe në nivelin e artikulimit stilistik me një diskurs ku kryqëzohen e ballafaqohen nivelet stilistike të poezisë e të dramës. Pra, në fillim është vetja e gjetur në art, kurse në fund është riprovimi i gjetjes së vetes për së dyti nëpërmjet figurës së Kafkës. Në ndërkohë marrin primatin temat ekzistenciale e sociale të shqiptarëve, te romani Zezona (1978) e te romani Ligatina (1983); arratisja me dhunë dhe ëndrra e përhershme e kthimit në burim me funksion të mosshprishjes, të vetënjohjes. Zezona si figurë e kohës e ligatina si figurë e hapësirës krijojnë toposin letrar të Musa Ramadanit që lidhet me Gjilanin.
Te romani Vrapuesja e Prizrenit (1995), tashmë lakohet tema e dashurisë e lidhur me një qytet dhe historinë e tij, nga antikiteti në modernitet, që shfaqet si figura dominante e ndjenjës më të fuqishme që prodhon trashëgimi kulturore dhe njerëzore. Proza e intelektit zotëron romanin Antiprocesioni (1997), në të cilin duke bredhur nëpër kultura e kohë vizatohet pikëpyetja e madhe e ballafaqimit të jetës me vdekjen, për ta propozuar si përgjigje një pikëçuditëse të madhe. Porse forcohet malli për universalitet letrar. Menjëherë pastaj te romani Inamor 55 (2000), strukturimi i formave të shkurtëra të prozës në trajtë dialogu, monologu, rrëfimi e përshkrimi, përbëjnë një vepër kolazhi të ideve e të sentimenteve ku tashmë zbulohet vetja e lidhur me shkrimtarët, që nuk kursehet t’i pranojë sivëllezër dhe si idhuj njëkohësisht, të cilët i don dhe i përkthen në shqip. Kjo për të krijuar leximin e dyfishtë letrar, të pasqyruar Inamor 55/55 Romani. Dhe finalja, si dhe fillimi, Kafka, ai të cilin e shohin burim të gjithë modernistët, madje edhe Horhe Luis Borhesi.
E këtu po shtojmë ne: është aty gjithnjë i heshtur dhe i pranishëm Anton Pashku, pa u përmendur si i vetëkuptuar se është i yni. Vetëm po përkujtojmë titujt figurues të Anton Pashkut: Kjasina dhe Galtina dhe titujt figurues të Musa Ramadanit: Zezona dhe Ligatina, për të parë sa janë të përafërt në mënyrën e figurimit të domethënieve.
Musa Ramadani, njohës dhe kronikan shumëvjeçar i jetës teatrale në Kosovë, ka shkruar dramat Moisiu në unazën e Inflandit (1984) dhe Destur (2019), të dyja të luajtura në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.
Vepra letrare e Musa Ramadanit është nderuar me çmimet prestigjioze shqiptare: Çmimi “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore dhe Çmimi “Ismail Kadare” për roman.
Tani, në statusin e mikut të letrave, le të na lejohet të themi një fjalë për Musa Ramadanin (Mu-Rai), figurën e tij të dytë. Bisedat pasionante për letërsinë, që nga koha e rinisë së hershme, kur botimi i letërsisë ishte solemnitet shpirtëror, në mënyrë të veçantë për grupin, për të krijuar “bohemianën letrare të Prishtinës”, siç do të veneronte miku ynë i përbashkët Ibrahim Rugova. Dhe solemniteti kurrë i ndryshuar i Musa Ramadanit me finesën e tij të mbajtjes së lapsit për ta vizatuar grafemën në letrën e bardhë.
Në fund, kumti i zi për shkuarjen e Musës e dhembja për mungesën e tij nuk do të na e mundë asnjëherë dashurinë dhe nevojën për veprën e tij letrare që jeton. Kjo e vërtetë është ngushëllim për më të dashurit e tij dhe dashunuesit e letërsisë së tij shqipe.
Lutje e nderim për Musa Ramadanin!/ ObserverKult