Më ka marrë malli për ca sherre miqsh, për një dorë në sup, kam mall!

Nga Petraq Risto

Më ka marrë malli për ca sherre miqsh, sherre që s’ i gjej në Amerikë
Sherre për gjëra të kota, për gjëra të vogla… Më ka marrë malli…
Mbase ngaqë dikur isha Engjëlli e tani s’jam Djalli…malli më ka marrë, malli…
Më ka marrë malli për ca sherre, për veshin mbështetur pas dere
Për vajzën buzë kështjelle: efemere… Eh, vend i vogël, po kaq sherre!
Më ka marrë malli për një luledele, për karamele një dasme të diele
Dhe ne fëmijët nën breshër orizi mes qeshjes bërë fërtele…
Dhe nusja: luledele…

Më ka marrë malli për sherre miqsh, për sharjet mes kriklla birrash
Për tymnajën e qofteve në tempuj birrarish, ku zëri im buçet: “fundrrina”!
Më ka marrë malli të ulesh dhe të pish Jetën mes shpërthime “minash”…

Më ka marrë malli të vij e të jem nxënës, unë mësues kam një Fije Bari
Pranomëni siç jam, s’pranoj zëvendës dhe pse e di që s’jam i pari…
Pranomëni siç jam: shpirt shpuze, shpirt shtegtari…
Dhe dallëndyshet, dhe lejlekët braktisin hierarkinë – më venë të parin…
Ndaj, o miq, kur lart ngrini kokat, s’shikoni zogj e shpend, por mua: flatrazjarrin
Me flatra malli, miq… Shiroka, Vaso Pasha… me mua shtegtojnë
Malle shqiptari…

Le të qeshim miq me sherret tona, që shpesh i ngremë qiellit si balona
Kemi Tiranë, Shkodër, Durrës e Valona, verë e birrë në tryezat tona.
Mbramp, o miq, kthejini me fund gotat, jemi ne dhe si ne është Bota
Rracë hardhish rrjedh në venat tona, zemrat për miqtë i kthejmë në gota…

Më ka marri malli për sherre miqsh, për një dorë në sup, më ka marrë malli
Harrove, vëlla, s’kemi gjak armiqsh, jemi thjesht prush i një mangalli.
Shtegtuam në qiej tragjedish, me një flatër Engjëlli e një Djalli
Të bëj ftesë, në Amerikë të vish, me flatra lirie, flatra malli
Gjithë kupën e zemrës me etje ta pish, derdhi lotët nga gjendrat e hallit
Dhe dollinë e Jetës mos e thurr të trishtë, ngrini kokat lart me kupat e ballit
Me gllënka të mëdha gjithë Lirinë ta pish, Lirinë tonë Bota s’ mund ta talli…

Më ka marrë malli të vij e të jem nxënës, unë mësues kam një Fije Bari
Pranomëni siç jam, s’pranoj zëvendës dhe pse e di që s’jam i pari…
Pranomëni siç jam: shpirt shpuze, shpirt shtegtari…

ObserverKult


Lexo edhe:

LASGUSH PORADECI: SE S’DASHURONJA – AS UN’ AS TI…