Petrit Ruka: Mbahu, zemra ime!

Petrit Ruka

Mirëmbrëma, zemër! Tungjatjeta moj mike! 
Je ende mirë, je në këmbë, motra ime. 
Gjersa mban si një depo e stërmadhe 
Kaq helme,
Je goxha trime. 

Bëj si të bësh edhe këtë faqe dimri, 
Me gjithë këto rraqe dashurish 
(Nga mola e vetmisë të grira,) 
Me kufoma librash e grash të bukura, 
Mbi mua të shtrira. 

Mbahu, mushka ime. Hapi dyert. 
Le te hyjnë stiva pikëllimesh të reja, 
Le të shemben rafte kujtimesh me majë. 
Dhe ëndrrat e mykura që i ha vetë dashuria, 
Le ti hajë… 

Nuk kam çfarë të bëj, s’vë dot më rregull, 
S’bëj dot inventar, asnjë llogari.
Tani s’ka japonez të shpikë një kompjuter 
Për ty, kapedane,
E di. 

Tani e di, një ditë… 
Si frut i pjekur do biesh 
Në hapësira të panjohura trishtimi. 
Dhe kushedi se ku do plasësh pa zhurmë, 
Pa patur nevojë për fjalë pendimi. 

Por, në fund të fundit, as unë s’do ta bëja, 
Se “ishte” dhe “është”. 
Janë veç fjalë ngushëllimi. 
Pra, mbahu, o zemër, 
Bëj si të bësh edhe këte faqe dimri…

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: NUK E DI PËRSE U NDAMË