Petrit Ruka: O atdhe i dashur, pse kaq monoton?!

Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

(Letër Q. Shemës, mësues në Qesarat)

Nën dritaren time kalon Vjosë e lodhur,
Dal t’i them dy fjalë për ty si letër,
Ku bën kthesë në Qesarat, tek izba jote,
Le t’i bjerë me vrap postier’ e vjetër.


Dal e rri mes natës po s’gjej fjalë,
Që të gjitha fjalët janë të lashta,
Nuk e di se ç’drapër ua korri kallinjtë
Ah, or mik, u mbetet vetëm kashta


Mbi pasqyrë të lumit hedh një kopje
Të fytyrës sime – hartë dëshpërimi,
Ti mos u tromaks tek shikon vetveten
Ti mos thuaj: “o Zot, u mbyt Qazimi….”


Si dy pika ujë na ngjan krejt jeta,
Nesër që të dy do shpjegojmë përemrat,
Një fabrikë i bën dërrasat ku do shkruajmë,
Një turjelë i mbush me vrima zemrat.


Bangat, lapsat, dhe vetminë e fshatit.
Nga një breg në tjetrin Vjosa i kopjon,
Ah, ç’po biem dëshmorë të Mërzisë, Vëlla,
O Atdhe i dashur, pse kaq monoton?!

*Shkëputur nga përmbledhja me poezi “Në zemër bie shi…”

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: SHKOLLA MAGJIKE E FOLKLORIT PËR POEZINË

Nga Petrit Ruka

(Mos u nis për udhë, po nuk kalove nga kjo shkollë…)

Shkolla e parë estetike e çdo poeti drejt letërsisë është pa asnjë dyshim folklori. Një shkollë që fëmija e fillon pa u pagëzuar ende me alfabetin, leximin e librave letrarë apo llojeve të tjera të artit. Një shkollë e hatashme në të gjitha pikëpamjet; për fantazinë e tij, befasitë, gjetjet brilante, ritmin, muzikalitetin, magjinë e renditjes së fjalëve.

Magjepsja e tij e parë nuk ka se nga të vijë tjetërkund, veçse nga përrallat, legjendat, baladat e sidomos këngët e dëgjuara në dasmat, festat e ndryshme familjare.
Kjo është e para bibliotekë e tij, ardhur ashtu pa rend, pa mësues, pa shpjegime. Duke krijuar në kokën e tij një “rrëmujë” të mrekullueshme e të bekuar përfytyrimesh që do ta ndjekin deri në varr.

Vite më vonë, kur iu kushtova me mish e shpirt trajtimit të disa baladave dhe legjendave të famshme shqiptare, kuptova se tërë “shkolla” ime e krijimit për to vinte nga fëmijëria, nga ato vite. Pjesa tjetër e leximit, të mijëra librave tërë jetës, kishin pak ose aspak ndikim mbi mua. Pothuajse e gjithë lënda e krijimit, ngjizjeve, estetikës së tyre buronte prej andej, nga folklori, këngët e popullit…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU