Planeta Sllamniku: Ku je, o vëlla, ku je?

Më 24 shtator të vitit 2007, dy persona humbën jetën, ndërsa 11 të tjerë u plagosën nga një shpërthim i fuqishëm, në një qendër të vogël tregtare në Bulevardin “Bill Klinton’, në Prishtinë. Njëri nga viktimat ishte 28 vjeçari Pleurat Sllamniku.
Në përvjetorin e vdekjes, motra e tij poetja Planeta Sllamniku, e kujton Pleuratin përmes një cikli poetik, që përveç si klithmë individuale e motrës për vëllain e vrarë, është një dhimbje universale për viktmat e pafajshme të kësaj bote që privohen nga jeta vetëm pse kanë qëlluar në momentin e gabuar në një vend
të caktuar.

LAJM I ZI

Natë
Një zile
Qeshje e fundit
Dëshirë e fundit
Zë i tmerruar
Tmerr i asaj nate të djallit
Ora 2 pas mesnate
Zgjohem
Përpiqem të kuptoj
Të luftoj e të shpresoj
Sekonda e minuta e lutje
Të panumërta
Qetësia qëndron si një egërsirë
Ndiej trishtim
Disa veta më kapin
Oh!
Ajo natë e mallkuar
Ai lajm i zi
Një e vërtetë sëmbuese
E jetë që nuk doja ta jetoja…
Bërtita me zë
Dy qirinj ndeza
Prapë dikush më kapi
Çmenduria
Fotografia
Ai engjëll
Sa piskata
Sa lotova
Sa kërkova atë çast ta ndryshoja
M’u helmuan mendja e shpirti
Trupi më qëndron i mpirë
Orë të tëra rri pa lëvizur
Kundërshtoj
Botën
Jetën
Arsyen
Mallkoj e kundërshtoj
Atë minutë ogurzezë
Atë vrazhdësi
E atë furtunë
Më dhemb kudo
Njerëzit në rrugë më ngjajnë në ty
Arsyeja udhëhiqet nga mundimet
Mungesa
Dashuria
Të të shoh dhe një herë
Kam mbetur e mbyllur
Herë më vjen ti afër
Herë edhe fytyrën
E ata sy qiell i kam harruar
Malli për ty
Më torturon
Më fundos

KAM MALL

Shoh tek verbohem çdo ditë
Akrepat qëndrojnë të mbërthyer

Ëndrrat marrin formën
Paradoksale

Më janë shterur dëshirat
Buzë betejave drejtohem
Pranë lindjes troket dikush

E etur në shkretëtirë
Gjëmoj
Frymën tënde shoh
Në qiell
Ndiej frymën tënde
Tek shpirti i mbetur zi

Fotografia më mbyll
Nën tokën e kuqe larg

Nën krahun e vjetër
Te motra jote eja
Vëllai yt i përmalluar
Erën e vjeshtës
Trazon
Kërkon hijen tënde

Ku je, o vëlla
Ku je

DHE NGUSHËLLIMI TRETI NJË DITË

Lotët rrëke
Në krahun tim
Tronditjet e shpirtit tënd
Përplaseshin
Me tronditjet e shpirtit tim
E vazhdimësia shkundej
Nën tokën e kohës së rreme
Godisje tokën
Godisje dheun
Më përqafoje nganjëherë
Të merrja në krahë
Më merrje në krahë
Dënesat e shpirtit tënd
Ndërthureshin me të miat
Bëheshin skëterrë nate
Vaj i qyqes
Kur prekja atë flokun e bardhë
Të kristaltë
Ndieja erën e tij
Zëri i vajit tënd
Dëgjohej deri tek Vatrat
Të lëna peng e pa ajër
Fatin kush na e bëri hije
Të nemitur
Të vdekjes së shpresës
U zgjove në ëndrrën e tradhtuar
Të vjeshtës së fundit
Kërkoje vdekjen të të merrte dhe ty

Por jo
Ajo qëndronte si nuse
E veshur me të bardha
E na qeshte në fytyrë
E luante në ne

Dashuria si fat i bërë copë-copë
Të iku natën e zezë
Të dhimbjes së lindjes së zogut
Fytyra jote bërë mavi
Nuk më hiqet dot nga sytë e mi
E paftuar si shënjestër tmerri
Oxhaku pa tym
Si një Përbindësh na mori
Mua dhe ty

Errësira e kobshme të zgjonte
E të përshkonte ditët një nga një

Si jetohet pa dritë më pyete një ditë

Shpirti i bërë palë-palë
E i shkrumbuar
Në heshtjen e kohës sonë
Nuk mund të ofronte asnjë pikë qëndresë!
Dëshirat e tua u shndërruan
Në hapësirë për plakjen e fjalëve

Malli me kaplon mikja ime
O mikja e qiellit tim
Kur ai shkoi, shkove dhe ti! 

Ike larg e nuk të pashë më

Kur ngushëllimi të kaplonte trupin
Ti shkove
E mua më le atje ku më gjete
Në vjeshtën e bërë hi
E shpresën e vyshkur mbyllur
Në barbarizmat e minutave të orës

Dhe as unë nuk doja ti të jetoje
Atje tek unë

Të doja të lumtur
Ashtu si të donte ai…

Eh, mike
Do të mbetesh mike
E shpirtit të tij
Në shpirtin tim
Deri në amshim!!!

APOLKALIPS

Largësia nguros folësin
Copëtuar i rri zemra
Dimërohet behari i pranverës së pestë
Të prita një mijë e pesëqind
Net të vish
Të hysh nga dera i kaltëruar
E t’ia mbash babait duart
E leskëruara
Derëziu dergjet në jetën e
Vetmisë
Me gjoks të hapur trimërisht
Botës së hapur i la një
Mbishkrim
Mbi gërmimet e shpirtrave tanë
shkroi nga një porosi…
Dallgët e papritura vërshuan
Fisnikërinë e tij
Trupi i është bërë dhimbje
E plaga i kullon
Ulur te pragu duke të pritur
Në secilën fjalë sheh
Ideologjinë mashtruese
Mbi fitoren e jetës së
Kundërshtuar të botës
Konflikti i së kaluarës
Vëmendjen rrotull ia turbullon
Me karakterin prej njeriu të rrallë
Ballëlartë ngushëllimin në dorë mori
Në portretet pa ngjyrë
Jetë solli

NË TY TË JETOJ

Rrebeshi qytetin mbuloi
Retë përziheshin
Era me shpejtësi qytetin pushtoi
Ai shkoi

Do të jem me ty i premtoi
Të qesh me ty
Të këndoj këngë aty
E kokën afër ta mbaj

Mendimet përziheshin
Diçka ushtonte
Dikush me zë thërriste
Njerëzit shpërndaheshin
Veturat me nxit lëviznin
Kokën prapa ktheu
As aty nuk ishte

Dikush festonte dikush qeshte
Ata kapur ishin
Të tjerët flisnin
Ai as aty nuk ishte

Do të vij me ty
Të ndiej dhe një herë
Fytyrën do ta prek
Dorën do ta mbaj
Kurrë
Nuk do të lëshoj

Të më falësh për lotët
Vuajtjen të ma harrosh
Rënkimet do t’i hedh
Te ti do të vij
Të të puth
Fytyrën plot gaz
Emrin ta thërras
Dorën ta shtrëngoj
Në ty të jetoj

O deti im
O qielli im

ObserverKult