Pllakat e gramafonit më të rralla në botë, do të befasoheni kush e ka në pronësi më të shtrenjtën…

pllakat e gramafonit

Pllakat e gramafonit edhe pse kujtim i shekullit të kaluar, mbartin ende një ndjesi origjinale në mënyrën sesi përçojnë tingujt e një pjese muzikore.

Edhe ato kërcitje dhe gërvishtje të lehta të gjilpërës sikur transportojnë dëgjuesin në një epokë tjetër.

Por përtej dimensionit romantik, këto pllaka janë edhe objekte tejet të lakmuara nga koleksionistë nga e gjithë bota. Çmimi i tyre mund të arrijë edhe shifra marramendëse.

Bëhet fjalë veçanërisht për kopje me tirazh të kufizuar. Shpesh herë kopje unike, ose të pabotuara të këngëtarëve ose grupeve që kanë shkruar historinë e muzikës.

Më poshtë i gjeni të radhitura disa nga pllakat më të kushtueshme që janë blerë në treg.

Tommy Johnson- Alcohol and Jake Blues.

Disku i vitit 1930 është shitur për 33 mijë dollarë, nga një koleksionist që më parë kishte një kopje tjetër, por në gjendje më të përdorur.

Richard D. James – Caustic Widow.

Një kopje shumë e rrallë të albumit të tij Caustic Widow, i realizuar në vitet ’90, është blerë për 46 mijë dollarë. Ate e bleu Markus Persson, krijuesi i Minecraft, një nga videolojërat më të suksesshme të historisë.

The Beatles – Yesterday & Today.

The Beatles janë ndoshta grupi pop-rock më i njohur i muzikës. Disa pllaka të tyre mbartin vlera të rralla. Njëra, ajo e vitit 1966, ka arritur vlerën e 125 mijë dollarëve për shkak të kopertinës kontroverse. 4 yjet e Liverpulit janë të rrethuar nga mishra dhe kukulla të copëtuara, kopertinë disi makabër që më pas u tërhoq nga tregu.

John Lennon dhe Yoko Ono – Double Fantasy.

Një kopje me autografin e John Lennon është shitur për 150 mijë dollarë. Ndoshta mund të vlente edhe më shumë… Pak orë nga momenti i shitjes, këngëtari anglez do të qëllohej për vdekje në Nju Jork, në vitin 1980.

Elvis Presley – My Happiness.

Regjistrimi i parë i mbretit të rock-ut, Elvis Presley. Ajo përmbante këngët “My Happiness” e “That’s When Your Heartaches Begin”. U ble në vitin 2015 për 300 mijë dollarë nga lideri i White Stripes, Jack White. White ishte një fan i madh i Presleyt.

Quarrymen – In Spite Of All The Danger/That’ll Be The Day. 

Para se të quheshin The Beatles, John Lennon, Paul Mc Cartney dhe George Harrison formuan në vitin 1956 grupin Quarrymen. Albumi i tyre i parë dhe i fundit, i botuar në 50 kopje dhe i dhuruar të afërmeve, sot vlen deri në 290 mijë dollarë.

The Beatles – Sgt. Peppers Lonely Hearts Club Band. 

Një kopje e kryeveprës së Beatles që është firmosur nga të katër anëtarët e grupit (George Harrison, Ringo Starr, John Lennon dhe Paul Mc Cartney), është shitur një anonim për 290 mijë dollarë.


Wu-Tang Clan – Once Upon a Time in Shaolin.

Pllaka e gramafonit më e kushtueshme e historisë ka një histori të veçantë. I përket grupit hip pop Wu Tang Klan, që në vitet 80 dhe 90 ka revolucionuar zhanrin që më pas do të pushtonte botën me ritmet e saj.

Grupi amerikan prodhoi një album të tërë, të shtatin e tyre, në një kopje të vetme, që nuk është dëgjuar asnjëherë nga publiku i gjerë. Pllaka e vetme ekzistuese, është ruajtur me vite në kasafortën e hotelit Mansour të Marrakeshit, në Marok.


Në vitin 2015 u vu në ankand. Ajou ble nga një amerikan me origjinë shqiptare që më pas do të njihej kudo për spekulimet e tij në fushën farmaceutike.

Martin Shkreli

Bëhet fjalë pikërisht për Martin Shkrelin, i cili bleu diskun pak para se të dënohej me 7 vjet burg. I liruar në majin e këtij viti, ndoshta Shkreli ka festuar duke dëgjuar pikërisht ato tinguj të panjohur për të gjithë. Ai ka paguar plot 2 milionë dollarë për diskun edhe pse nuk mund ta shfrytëzoi në mënyrë komerciale deri në vitin 2103./a2news

ObserverKult

Lexo edhe:

PLLAKA 4000-VJEÇARE QË ZBULON 11 QYTETE TË HUMBURA TË LASHTËSISË