Po kur ti nuk duhesh, kuptoje… zhduku…

ai...


Nga: Esmeralda Shpata

Një e kërcitur e gishtave dhe të bie petku në fund të këmbëve, ti mbetesh gollomosh para botës dhe i mbush mendjen vetes se s’të panë. Nga ca fjalë të thëna, në momente kur njeriu nuk i zotëron instrumentet e rangut dhe të etikës, ty të dridhet buza e poshtme dhe e sipërmja kërkon ta qetësojë duke ia ndier përpëlitjen me prekje.

Je armik i vetes tënde, ia ke fshehur të vërtetat, të është mbushur mendja se i vë vulën gjithçkaje sa hap gojën.

Po kur ti nuk duhesh, kuptoje. Zhduku!
Tani e qepe.
Një gjest të tregoi ç’vend të vogël ke në sallën e madhe, madje skutë pa dritë, që shërben për të fshehur ndonjë rraqe.
E kalon situatën duke fshehur sytë tradhtarë. Dhe strukesh mes punëve të tua.
Kalojnë ca çaste ku mekanikisht punon, flet, përgjigjesh dhe qesh kot, këto janë të vështira, zotërohen nga spazmat e fyerjes që të është bërë.

Kalojnë orë, pulsi bie, në mes rrëmujës së madhe të shpirt-mendjes tënde. Të paktën kënaqesh, që lotët i gëlltite në stomak, bashkë me dobësinë.

Ditë më vonë të është bërë kos, gjithë të prera, por ia ke gjetur vendin dhe ka filluar të mbahet për shkopi sedra.

Nuk e dija që këndonte karkaleci, kisha ditë, ia dëgjoja këngën në një deng të madh rrobash.
Sot e gjeta të ngordhur te shkallët.

Madje, kur ua tregova që ky paska kënduar, u panë sy më sy me njëri-tjetrin. Më thanë: “S’është mirë!”
Mbeta pa fjalë.
Nuk e vërtetoj dot sa e vërtetë është, ama ta zhdukë nga mendja se s’më duhet nuk mundem.

*Titulli i origjinalit: “Pa ndjesë”

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: LUTEJ QË AI TË KTHEHEJ…