Nga Bajram Mjeku
Binte shi në mbrëmjen e 17 nëntorit të vitit të kaluar, derisa shkoja të mirrja pjesë në promovimin e vëllimit poetik The Lil’s poem, të poetit, gazetarit dhe mikut tim të mirë, Halil Matoshi.
Derisa ecja rrugëve të Prishtinës drejt teatrit “Oda” dhe pikat e shiut më çukitnin në fytyrë, më janë kujtuar mbrëmjet letrare të organizuara në vitet tetëdhjetë, kur bashkë me Halilin atëbotë ishim studentë! Më është kujtuar madhështia e Sallës së Kuqe të Fakultetit Filozofik dhe shumë poetë të talentuar të kësaj plejade, derisa në një mbrëmje letrare merrnin pjesë qindra studentë!
Kohët kanë ndryshuar… Të ishe dikur poet dhe roker, gëzoje respektin më të madh në elitat kulturore të kohës. Roku dhe poezia në vitet tetëdhjetë ishin në zenitin e tyre…
Halili që në fillesat e tij të para krijuese, ishte i guximshëm dhe thyente klishetë në artin poetik të kohës. Arti poetik i Halil Matoshit jo rrallë është keqkuptuar, pasi për ironinë e fatit, në vitet tetëdhjetë krejt “aksidentalisht” shpërthyen edhe tendencat e realizmit socialist, të cilat rrëmbyeshëm “eksportoheshin” nga Shqipëria staliniste. Keqkuptimi ishte i madh, derisa ishte koha kur Muri i Berlinit numëronte vitet e fundit.
Halili është poet i revoltës. Ai në poezinë e tij, kurrë dhe asnjëherë nuk i ka përdorur rekuizitat e patetizmit dhe jo rrallë nga hiri ka ngritur monumentin poetik, për të qëndruar në hapësirë e kohë. Halili edhe në jetë, edhe në artin poetik nuk ka patur paragjykime për qenien njerëzore, sado që sprova e tij nuk ka munguar asnjëherë që njeriu ynë të zhvishet nga identiteti i rremë. Halili asnjëherë nuk i ka takuar ndonjë klani kulturor, prandaj meriton respekt njerëzor. Shpirti i tij kryengritës i ka çarë mjegullat, edhe kur e dinte se mbetej krejtësisht i vetmuar. Megjithëse me profesion gazetar, ai edhe shkrimeve të profesionit u ka dhënë vokacion artistik.
Vëllimi i fundit poetik i Halil Matoshit The Lil’s poem, lexohet me një frymë. Personalisht e kam lexuar e rilexuar me një frymë… Brenda kopertinave të këtij libri, frymon autenticiteti dhe fati i tij jo vetëm personal, por edhe kolektiv. Halili nuk është i disiplinuar për të kultivuar vargun, por ai i jep frymë shpirtit të tij lirik. Ai të kujton shkrimtarin e madh italian Alberto Moravia, i cili thoshte se kur nisë të shkruaj një roman, nuk e di fundin e personazhit të tij…
Përgëzime meriton edhe shtëpia botuese Littera, e cila tash disa vjet boton autorë që meritojnë të lexohen. Halili është njëri nga ata… Ai është poet lirik dhe vazhdon të mbetet pasionanti i çarjes së mjegullave, edhe atëherë kur ndjehet krejtësisht i vetmuar!
ObserverKult
Lexo edhe: