Poetja Laureate, Luljeta Lleshanaku: Është shumë e vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

luljeta lleshanaku
Luljeta Lleshanaku

Luljeta Lleshanaku u përzgjodh dje nga Qendra e Librit dhe Leximit si Poete Laureate.

Komisioni përzgjedhës ishte i përbërë nga poetja Sibel Halimi, kryetare, Arta Marku, gazetare kulture, Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe Dhurata Shehri, profesoreshë e letërsisë.

Fillimisht ishin në garë për çmim: Luljeta Lleshanaku, Sadik Bejko, Ervin Hatibi, Rita Petro, Preç Zogaj, Natasha Lako, Ilirian Zhupa, Entela Tabaku, Arian Leka, Flutura Açka, ndërsa tutje gara u ngushtua në pesë emra.

Kështu mes poetëve Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Preç Zogaj, Natasha Lako dhe Entela Tabaku, komisioni zgjodhi Lleshanakun Poete laureate e Shqipërisë

Mandati i poetit Laureat është dy vjeçar dhe më parë e ka mbajtur poeti Rudolf Marku.

“Titulli “Poeti Laureat” i jepet poetes shqiptare Luljeta Lleshanakut, me motivacionin për vargun e saj modern, larg metaforës së automatizuar duke e ndërtuar me ritëm e krahasim domethënien e frazës poetike, si dhe për krijimin e një brezi të ri poetësh. Luljeta Lleshanaku përfaqëson çka është postmoderne në poezinë shqipe, duke i kthyer kësaj të fundit bashkëkohësinë me poezinë botërore”.


Në fjalën e saj, poetja Lleshanaku u ndal tek vështirësia që ka një autor shqiptar, për t’u bërë i pëlqyer për lexuesit vendas, nga botimi, tek promovimi në medie e medie sociale, deri tek përfshirja në tekstet shkollore. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj lexuesve të saj.

“Do të ishte nder i madh për çdo poet ta fitonte këtë titull për vetë faktin se, ai jepet për zërat më influencues në poezi.

Një nga momentet më të vështira në gjithë krijimtarinë time ka qenë përballja me lexuesin shqiptar. Për mua fillon një moment ankthi në momentin që libri del nga procesi i botimit.

Është shumë e vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar, jo vetëm sepse lexuesi shqiptar është pak kapriçoz, është dhe shumë skeptik por dhe sepse ti me lexuesin tënd ndan të njëjtën përditshmëri dhe është shumë e vështirë ta impresionosh dhe ta habisësh. Për më tepër ta bësh që të të dojë.

Dhe në kohët që jetojmë është edhe më e vështirë sepse lexuesi është i ekspozuar ndaj arritjeve më të mëdha botërore. E nëse ai merr mundimin të lexojë poezinë shqipe dhe për më tepër të zgjedh ty, kjo është një arsye për tu ndjerë mirë”- tha Lleshanaku gjatë ceremonisë për marrjen e titullit që iu dorëzua nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Poetja Luljeta Lleshanaku renditet mes emrave më të mirë të poezisë bashkëkohore në botë. Disa nga vëllimet poetike të saj janë “Fëmija i natyrës”, “Hapësirë negative”, “Pothuajse dje”, “Homo antarcticus” etj. Ajo ka një kontribut të çmuar edhe si përkthyese, duke sjellë në shqip gjithashtu disa vepra nga gjuha angleze si “E bija e varrmihësit” i Joyce Carol Oates,  përmbledhjen “Kur shpirti flet” i Helen Vendler, ciklin poetik të Anne Swir dhe Denise Levertov etj.

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA POETJA LAUREATE, LULJETA LLESHANAKU: MËSIMET E PARA TË MORALIT, 

LULJETA LLESHANAKU: TË GJITHË PO IKIM PREJ DIÇKAJE

LULJETA LLESHANAKU: ERDHA, PASHË, SHKOVA…

I përkulur në një kënd të bukur 45 gradë,
sy të ngulur në filmat me karton dhe hije mbi zverk,
mund të mendosh se ke të bësh me një statujë parku,
por jo, është im atë,
i cili
sapo e zgjodhi
shprehjen me të cilën unë do ta mbaj mend.
Me të është e lehtë; askush nuk pret ndonjë gjë prej tij,
i rrethuar me harresë dhe falje.
Madje mund të vazhdojë të rrijë pa lëvizur
edhe për një milion vjet të tjerë,
si një fosile brenda në qelibar.

E cili ishte profil i gjyshërve të mi?
Krejt aksidental. Ata pozuan për njëzet minuta
para një aparati të vjetër fotografik Daguerre,
i cili shkrepi tinëzisht, në momentin e gabuar,
kur kripa i nxori në sipërfaqen e një deti të vdekur.

Xhon Koltrein kurr nuk sheh drejt teje. Vështirë
t’i fiksosh një gjest a një emocion. Ai thjesht luan jazz.
Mat kohët me shputë. Vigjilent,
për të ndërhyrë me melankolinë e tij në momentin e duhur,
si me një xhaketë për një grua nudo.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult