Luljeta Lleshanaku: Të gjithë po ikim prej diçkaje

luljeta lleshanaku Gjëja që më pëlqente tek ai, poezi nga Luljeta Lleshanaku

Me diellin në shpinë, pa kthyer kokën pas,
në hyrje të metrosë sa nuk i thyejmë këmbët njëri-tjetrit.
Për ku po nxitojmë kaq fort,
prej ç’gjëje po ia mbathim?

Ai shkollar gjysmë i përgjumur mezi pret t’i ikë fëmijërisë;
qimet e sapodirsuara në trup dhe zëri i trashur
e përgatisin për dimër.
Vajza aziatike, me një palë kufje në vesh, po i ikën karmës.
Djaloshi me kitarë në dysheme, me siguri biri i një pastori
a avokati,
po ia mbath prej gjeneve. Dhe gruaja shtatzënë-prej
lëkurës së saj.
Ajo madje as që e vë re vrimën
që konduktori gjysmë i përgjumur i shtyp në biletë.

Ai burrë i rruar taze, me jakë të kollarisur e kravatë,
duket si një shtrat i rregulluar me kujdes,
për të maskuar makthet e natës.

Të gjithë po ikim prej diçkaje. Pa u ndalur asnjë sekondë.
Duke kërkuar me sy një ishull, si zogjtë në mes të oqeanit.

Prej kujt po ia mbath kjo zonjë e moshuar?
A nuk duhet të ishte duke vjelë kajsi në kopshtin pas
shtëpisë tani?

Kurse në krah të saj, ai djalosh me uniformë shërbimi
ka emrin dhe stampën e hotelit në gjoks,
duhet të punojë recepsionist apo përgjegjës ashensori,
merret vesh qartë.

Tani të gjithë sytë prehen lirshëm përmbi të,
si mbi një statujë lakuriqe të mes të parkut.

ObserverKult


Luljeta Lleshanaku

Lexo edhe:

LULJETA LLESHANAKU FLET PËR PERSEKUTIMIN E FAMILJARËVE, FËMIJËRINË E VËSHTIRË… (VIDEO)

Rrëfimi i Luljeta Lleshanakut: Nga persekutimi i familjarëve, jeta mes dy vendeve, deri tek çmimin “Poeti Europian i Lirisë për vitin 2022” në Poloni.

Poetja e njohur Luljeta Lleshanaku, përzgjidhet nga shtëpia botuese gjermane Carl Hanser, për botimin e librit të dytë të saj në gjermanisht “Qyteti i Mollëve”. Pas suksesit në Angli dhe Amerikë, tanimë edhe Gjermania e vendos në toplistën e poetëve të rekomanduar.

Në një rrëfim për “Report tv”, poetja tregon për jetën e saj, mes procesit të krijimtarisë e personales, si dhe përjetimet e pritjes, si kandidate për çmimin “Poeti Europian i Lirisë për vitin 2022” në Poloni

Në kohë pandemie, kur duket sikur distancat zgjaten e kufijtë mes vendeve thellohen, poezia e Lleshanakut zgjeron shtratin e lexuesve të saj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult