Poetja Lindita Ahmeti i këndon vëllait të ndjerë Luranit

vëllai im o vëlla, poezi nga lindita ahmeti

ELEGJI PËR VËLLAIN

poezi nga Lindita Ahmeti

Jam mbështjellë me natë
Edhe shtëpia ime me heshtje
I panjohuri ecën dhe kruan kryet
Në dritë të hënës
E di vëlla
Edhe ai të mendon
E di të ka njohur edhe ai
Me mijëra e mijëra vetë të kanë njohur
Po askush s’e di
Si je ballafaquar ti me panin për mua
Me britmën e tij
Midis pyllit të dendur e territ
Vetëm ti dije të gjesh dritë edhe nga atje
E të ma sjellësh mua
Vëllai im o vëlla
E t’i hapje shtigjet e lumturisë
Vëllai im o vëlla
Në çastet kur të prisja të vish me lule
Tri javë
Sa tre shekuj
Sepse i dija mundësitë tua homerike
Në vend të dorës tënde me tufën me lule
Erdhi e enjtja dita e shenjtë
Erdhi pa dritë
Me një mal melankolie
Dhe me rrufenë e të parit të dymbëdhjetëshes
U fik dita jonë
Ti u bëre Faetoni vetë
E unë heliadë
Vëllai im o vëlla
Vetëm ti në atë çast më ke shikuar drejt në sy
I shkëmbenim lotët e pikëllimit si shtatë mështeknat
I mbushnim liqenet e Lurës me kokrra qelibari
E nëpër gjëmë në trungun e thatë në breg të liqenit
Me emrin tënd
Trokiste një dorë e ftohtë
Vëllai im o vëlla
Po as kjo rrufe lemerie nuk do ta prishë kurrë
Atë raport hyjnor që kemi
Vëlla e motër
Atë butësi e ngrohtësi të përcjellë me fjalë të zëshme
Se ne fjalën e kemi vegël të artë pune
Vëllai im o vëlla
E heq tash fuqishëm mbështjellcën prej nate
Sepse neve na lidh drita
E ndërpres heshtjen në shtëpi
I qasem fjalës
Sepse neve na lidh fjala
Fjala e shenjë e përjetësisë
Vëllai im o vëlla
ObserverKult

Lexo edhe:

Lindita Ahmeti: Letër vëllait

biri i xhabir ahmetit

(Me rastin e ditëlindjes)

Asgjë të re s’ka o vēlla
Gjërat janë të vjetra
Edhe të tjerat
Pemëve u bie sëmundja
Si gjithmonë
Kullës i bie gëlqerja
Si e di
Motër e jozefit u kthye
Në degë të manaferrës
E njejta punë
Vetëm unë jam tjetër
Vetëm unë ta dëgjoj zërin

Lexo edhe:

Lindita Ahmeti: Dyzet ditë zie për vëllain tim

Xhabir Ahmeti: Luran, të duam dhe do të të duam deri në frymën e fundit!