Nga Halil Rama
Në gjithë lëndën e larmishme të këtij libri dallohet qartazi pasuria stilistike e vargut, ritmi e elementet e tjerë që i bëjnë vjershat e poemat mjaft tërheqëse për lexuesin. Kjo edhe për faktin se “Orët e shtëpisë”, sjell një prurje krejtësisht të veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit.
Gjashtë vëllime me vjersha e poema, tri libra me tregime, dy me novela dhe një roman, shkruar dhe botuar në harkun kohor të tri dekadave, janë një hop, jo vetëm sasior, por edhe cilësor i poetit dhe prozatorit Alban Bala.
Dëshmi e këtij hopi janë edhe vetë titujt tepër domethënës të librave të këtij autori: “Semafor” (poezi – 1989); “Lermë të hesht” (poezi – 1993); “Vullkane të përgjumur” (tregime – 1994); “Çmendina” (novela – 1994); “Të verbërit” (tregime – 1994); “Ikje nga shtrati” (novela – 2005); “Ngjyra mbi det” (poezi – 2006); “Qyteti me sy të kuq” (tregime – 2009); “Dashuria e burrit” (poezi – 2013); “I dështuari” (roman- 2017); “Öpücükdua” (poezi – 2020, Turqi) dhe “Orët e shtëpisë” (poezi – 2023).
Në vëllimin “Orët e shtëpisë”, që sapo ka parë dritën e botimit, malli dhe dashuria për atdheun, prindërit dhe fëmijët, shprehur me mjeshtëri artistike, me një gjuhë të pasur dhe figuracion të zgjedhur poetik, herë si një trishtim i lehtë, herë si një klithmë e thellë shpirtërore, përshkon si një fill i blertë te 131 vjershat dhe poemat e librit.
Në to vërshojnë mendimet dhe ndjenjat e gjalla të njeriut, përpjekjet e mundimshme të njerëzve për të ruajtur të paprekur dashuritë e tyre nga dora rrënimtare e së keqes. Më të dukshme këto në poezinë me titullin sinjifikativ “Atdheu”: “Atdheu nuk është guri që mbaj në dorë/ Por grushti i mbledhur që shtrëngon gurin/ Është hobe’ që e kapa në ajër teksa ikte/ Për t’u ngulur mbi hijen time./
Tani e mbaj fort si një zog që po ta lëshosh/ Bie/ I pakrahë në gjurmët e errëta të atyre/ Që humbën rrugën, që ikën pa kthim/ Me duart bosh dhe me zemrën e thyer/ Atdheu ka formën e gishtërinjve/ Që sapo kanë zbuluar përmasën e pafuqisë…”.
Mjaftojnë qoftë edhe vetëm këto vargje për të vlerësuar peshën e mendimit filozofik në poezinë e Alban Balës. Evidente pesha e këtij mendimi edhe në poezinë “E para mbetet fjala …”, për të cilën poeti shkruan se: “…sado që të them se të mendosh është virtyt/ Përsëri unë mbetem një njeri i arsyeshëm/ Që heshtjen ka cak si qefinin e bardhë/ Por fjala… fjala ishte e para…/ E para mbetet fjala…”. Këtë sentencë, poeti Alban Bala e shtjellon artistikisht në gjithë shtratin e tij poetik me gjuhë të pasur e figuracione interesante e të larmishme në 200 faqet e librit “Orët e shtëpisë”.
Kësisoj, magjia e fjalës së magjishme në poezinë e Alban Balës, të impresionon, të magjeps, të bën të dashurohesh pas saj. Dhe jo vetëm me vjershat e tij që trajtojnë temën e dashurisë, por dhe me ato që nëpërmjet vargjesh kuptimplote përcjellin dëshpërimin për ngjarje e kohë të trishta, si në poezinë me titull “Këtu është kalbur edhe krypa …”: “Në këtë vend tash edhe krypa u kalb/Pemët sot i rrit veç frika e zjarrit./Fushat i mbollëm me hapa udhëtarësh/ E rrugët me hijet e atyre që s’janë./Na ka mbetur ky vend e s’po dimë kujt t’ja falim…”.
Në këtë mënyrë, poezia filozofike e Alban Balës të ndihmon të kuptosh se si Ai e percepton gjer në thellësi dhimbjen njerëzore për këtë realitet të trishtë.
Këtë përceptim të autorit e ndeshim dhe në vargjet e poezisë “Rilexim i një legjende”: “Mesnata ra si hëna mbi mal/ Dhe mjegulla uli perdet mbi dritaren e lumit/ Ta kam falë Rozafë gjirin që s’më ngopi Kurrë./ Ta kam falë murin ku më mbylle/ Ta kam falë botën që s’e pashë, ta kam falë,/ Të gjitha t’i kam falë/ Kalatë që ngrite/ Përmbi lotin tim prej burri të mitur”.
A s’janë këto vargje refleksion dhe në koherencë me realitetin e sotëm, kur shoqëria shqiptare lëngon nën vargonjtë e krimit e korrupsionit… Këto vargje dëshmojnë percepsione të poetit Alban Bala në momente të trishta të këtij udhëkryqi.
Ai zgjedh këndvështrime origjinale, në të cilat shoqëria e realiteti i sotëm jepen në unitet e vazhdimësi. Kjo pohohet artistikisht përmes tablove e detajeve të zgjedhura me kujdes edhe në poezitët me titull: “Rikthim në parajsë”; “Përtej rrokullisen vitet ”;
“Një fëmijë kërkon lëmoshë”; “Po vjen stuhia”; “Kur ka kuptojmë” (Kur ta kuptojmë se jeta nuk zgjat/ Ka ardhur koha të ikim), si dhe në disa poezi të tjera.
Vargje mallëngjimi shkruan Alban Bala edhe për mikun e tij (dhe timin) Sokol Olldashi: “Ishte vullneti i Zotit/ Ti ike si një jehonë/ Që unë e dëgjoj ende/ Ike si ylli/ Nga sy dëshirash që tash sa mote zhgënjehen/ Ike si një e qeshur që braktis buzët e fëmijës/ Për të mos ta trembur/ Ti ike si e vërteta/ Nga zemrat…”, vargje këto që shprehin mall pafund, dhimbje pafund, pritje pafund të mikut e shokut që vepra e tij e veshi me pavdekësi.
Haiku…
Në këtë vëllim dallojmë edhe poezinë në formë Haiku, si një formë e veçantë e poezisë së Alban Balës, njëherësh, forma më e shkurtër dhe, ndoshta, më e bukura e këtij libri. Sepse t’i flasësh lexuesit vetëm me tri vargje që shprehin një botë të brendshme të magjishme është vërtetë një magjepsje e poetit.
Dhe nëse Haikun (e pastër) e gjejmë tek ai me titullin “Pikturë”, ku vetëm me tri vargje autori filozofon për atë çka është hëna sipas tij: “hëna e plotë/ shkruan himne lulesh/që bien…”, elementë të haikut gjejmë edhe në poezinë me titull “Requim për veten” me dy strofa tri vargjesh, si për shembull: “Ti shkove/ si një curril uji i bardhë/nga maja e shkëmbit tënd drejt e mbi lule…” dhe më tej: “nuk ike/ veç shkove pa u parë/si një vetëtimë që bie lart, shumë lart…”.
Poeti shkruan kështu me art poezi që ndërtohet me tri linja ose tri vargje që i referohen natyrës, nostalgjisë, të shkuarës, së tashmes sociale, politike, filozofike, por edhe së ardhmes.
Të kësaj linje janë edhe vargjet e poezisë “Fotografi”: “të bukurit, të dashurit, të gjallët,/të vdekurit dhe motet/ dhe befas gjithçka rizgjohet”, vargje këto ku triumfon dashuria mbi tendencën e fortë të prishjes së përhershme të kohës.
Ky lajtmotiv ravijëzohet edhe në dy strofa tri vargjesh të poezisë me titull: “Iku dhe një vit”: (1) “iku dhe një vit nën shtrojat e syve/ tash malli ka një rrudhë më shumë/ dhe zemra një këngë më tepër…; (2) “thinjat krehin erën me kujtesën e reve/ ngjyrë qumështi/ dhe mosha ime psherëtin për nënën…”, vargje këto që të drithërojnë zemrën.
Është pikërisht ky pathos që të grish për të ecur gjithnjë përpara pa drojë, pa iu dorëzuar forcës shkatërrimtare të vdekjes.
Me shkrimin e kësaj forme poezie, Alban Bala kalon sprovën e aplikimit të një arti të vështirë (të fjalës artistike), duke ia shtrydhur dhe marrë gjithë lëngun e mundshëm çdo fjale.
…Dhe poemat
Pa dyshim, peshën më të madhe ideoartistike në këtë libër e mbajnë poemat: “Nëna është gjallë”; “Malli për babanë …”; “Poemë për tim bir” dhe “Poema e nënës së vdekur”. Kjo, si për hapësirën e tyre ideore, ashtu edhe për nivelin ideoartistik.
Kështu, nëse te “Poema e nënës së vdekur” (Këngë mungese ) poeti e shpreh mallin nëpërmjet vargjeve mallëngjyese: “Sa herë kthej nga rruga më lyp syni me të pà/Hap derën, të thërras, pres se mos përgjigjesh/Me shpresë se ikja jote ish vetëm një shaká/
Një lojë prej të rriturish…” te “Malli për babanë …” thellësia e mendimit bëhet edhe më e qartë, sidomos në vargjet: “Ishe burrë prej atyre që nuk kanë nevojë ta thonë se janë bërë burra/ Për ty kishte një jetë dhe asgjë për të humbur/ Ti ishe burrë/ Gjithë rrugët i kishe mbi lëkurë dhe dashurinë/ Mbi buzë/ Ti ishe burrë…”. Në këto vargje ndjehet trasfuzioni i gjakut. Kjo poemë trajton një subjekt serioz, atë të dashurisë e mallit për babanë.
Me mendime liriko-filozofike, me koncentrim të ngjeshur të figurës letraro-artistike që shpesh të pushton e të magjeps me frymëzimin e mesazhin e saj.
Po ashtu, edhe te “Poemë për tim bir ” Alban Bala shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhe modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Mjaftojnë për këtë qoftë edhe vetëm vargjet: “Mbill zemrën me lulen e buzëve të tua/ Ushëto nëpër qeshje si jehonë mbi jehona/ Beso duart e tua dhe gatitu për lojën/ E një moshe që nuk e njeh moshën/ Njome ujin me zjarre dhe fiki ëndrrat me britma/ Lidhe lumin si shall dhe fluturo përmbi pyje/ Shuaj yjet me frymë e vëre hënën mbi krye/ Mbill livadhin me sy e përqafoji gjithë hijet/ Si dielli me qeshje…/ Ka moshën tënde dielli/ Veç… dielli nuk ka kujtime…”.
Këtu poeti Alban Bala shpalos ndjesitë e brendshme në raport me ndjenjën e shndërruar tashmë në muzën e përjetimeve poetike, pa të cilën nuk gjen qetësinë shpirtërore e me të cilën tundohet deri në pafundësi.
Në këto poema, si edhe në gjithë lëndën e larmishme të këtij libri dallohet qartazi pasuria stilistike e vargut, ritmi e elementet e tjera që i bëjnë ato mjaftë tërheqëse për lexuesin.
Kjo edhe për faktin se “Orët e shtëpisë”, sjell një prurje krejtësisht të veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit.
Përtej kufijve
Kushtuar mikut tim Sokol Olldashi
Kufijtë e botës janë si vijat e dorës.
Tani duart e tua përqafojnë një botë tjetër
Një tjetër horizont të ulët mbi shpatulla
Dhe perëndimi është një ndajnatë e
përjetshme.
Ishte vullneti i Zotit. Ti ike si një jehonë
Që unë e dëgjoj ende. Ike si ylli
Nga sy dëshirash që tash sa mote
zhgënjehen
Ike si një e qeshur që braktis buzët e fëmijës
Për të mos ta trembur. Ti ike si e vërteta
Nga zemrat.
Por, kufijtë e botës janë si vijat e dorës
Ku ta dije ti që fati shkruhet ndryshe
Përtej çdo kufiri ku koha ndalon
Përtej çdo dhimbjeje.
Harrova të ta them përpara se të shkoje:
Njerëzit nuk kanë lindur të fluturojnë!/panorama.com.al
ObserverKult
————————————
Lexo edhe:
ALBAN BALA: DITËLINDJA E NËNËS SË VDEKUR
Poezi nga Alban Bala
Gladiola të bardha mbi ty-
Këmbana ajri
Tash bien dridhshëm për festë:
Shtatëdhjetë e shtatë vjet çuam bashkë
Si në legjendë. Thurëm vargje
Me gjypnerët e tu të kaltër,
U veshëm
Me trikot e leshta të kujtesës…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult