Alban Bala: Ditëlindja e nënës së vdekur

Poezi nga Alban Bala

Gladiola të bardha mbi ty-
Këmbana ajri
Tash bien dridhshëm për festë:

Shtatëdhjetë e shtatë vjet çuam bashkë
Si në legjendë. Thurëm vargje
Me gjypnerët e tu të kaltër,
U veshëm
Me trikot e leshta të kujtesës…

Me gishtat e tu qepëm këmishat e djalit
Dhe vellon e vajzës që s’erdhi dot kurrë.
Trokitje Doruntinash në zemra malli…

Kam luajtur muzikë për mos të të lënë të rrudheshe,
Të kam kënduar;

Në livadhin e artë të Parajsës ti ecën
Një vajzuke, një ëndërr, grua
Mbi zemra që ëndërrojnë ende butë
Përqafimin tënd si një gjurmë:

Na ishte njëherë një flutur…
Ti ktheje çdo gjë në lule.
Tash çdo lule më flet për ty.

Gëzuar ditëlindjen nëna ime!
Veç gëzimi mund të na i mbylli sytë…

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBAN BALA: PA FRYMË DO JETOJA, POR PA TY ËSHTË VËSHTIRË…

Poezi nga Alban Bala

Jam veshur me aromën tënde si muzgu me dritë,
Pa frymë do jetoja, por pa ty është vështirë.
Eci në gjurmë ëndrrash që u shkruan para se të vije
Dhe jam gjithnjë vetë i dytë…

Jam ti – si shkëlqim – mbi një qeshje fëmijë,
Jam këndi i dritës mbi gjithçka që di.
Brenda syve të tu dhe buzëve që s’binden
Flen përjetësia dhe koha ime e rimtë.

Asgjë nuk më përfshin si ti; nganjëherë vetmia
Flet me zërin tim. Por dhe ai s’është i imi.
Jehonash vibrojnë largësite si yje
Dhe qielli bën strehë për dy stinë. Po vjen dimri.

Në sqetull pranverash shirat blegërojnë
Harrimin e staneve ndër pyje.
Kam nisur të të kërkoj dhe kur je pranë meje
Si njeriu që nuk ngopet pasqyrash.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


ALBAN BALA: AS N’ÂNDRRAT MA TË GUXIMSHME

Poezi nga Alban Bala

as n’ândrrat ma të guximshme
nuk kam mujtë me gjetë
nji gjâ kaq t’rrallë e t’çmueshme si ti:

kristal i kaltër, rubin ngjyrë ajri,
fllad torkuaz i veshun me diell,
përrallë përmbi përrallat q’i andrrojnë fëmijët
kur ndajnë të rriten

as nëpër ândrra nuk e kisha pritë
me gjetë zânin tand prej fildishit,
dritën e mêndjes, butsinë e shpirtit,
m’ndafshin e artë të drojës së brishtë

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult