Poezi nga Havzi Nela
Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë poeti zemërzjarrtë.
Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urrej mizorin”
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi
Thoni se ka mbrojtë të drejtën
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni, desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim.
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim.
Thoni, dritën ai kërkoi
E vet’ dritë nuk pa me sy,
Thoni: për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!
Thoni se e qorroi terri
Thoni: dielli nuk e ngrohu,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: çohu!
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nisë me këndue,
Mbi vorrin tim me gur’ e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.
Prekni vorrin, mos nguroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushëlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë”.
*Titulli i origjinalit: “Kur të vdes”
ObserverKult
Lexo edhe:
AKTORJA E NJOHUR: JA SI ISHIN DITËT E FUNDIT TË GULJELM RADOJËS