Poezinë mund ta shkruajë gjithkush, prandaj kemi aq pak poezi

Gjithçka, gjithkush

Jemi dëshmitarë të “mbirjes” së poetëve, publicistëve e eseistëve – shumica me probleme elementare në drejtshkrim.

Nga Bujar Meholli

Poezia nuk mund të monopolizohet. Atë mund ta shkruajë çdokush (sidomos nëpër rrjetet sociale). Mirëpo, pikërisht për këtë kemi aq pak poezi; në masën më të madhe kemi shkrime që e mundojnë/torturojnë trurin-shpirtin. Pra, shkrime që gjithçka mund të jenë, veçse jo poezi, jo art! Sa më larg tyre, aq më i shëndoshë truri, aq më i qetë e fisnik.

Rrjetet sociale janë krijuar për t’i afruar njerëzit, për të ndarë/shkëmbyer përvoja… edhe në shkrim. Pra, askush s’ka gjë kundër që të publikosh shkrime në ndonjë rrjet social, përkundrazi, mundësia është e mirë.

Megjithatë, jemi dëshmitarë të “mbirjes” së poetëve, publicistëve e eseistëve – shumica me probleme elementare në drejtshkrim (lëre më në qasje). Njeriu ndien keqardhje kur sheh këtë ambient të kontaminuar me lloj-lloj intelektualli që hedh fjalët pa i shikuar fare, mbush qerren me gabime dhe niset të shkruajë me “kompetencë” poezi, prozë, ese, ndonjë analizë socio-politike, shkurt: bëhet i gjithëdijshëm!

Sidomos pasi i sheh delet që i vihen pas me gjithfarë likesh/pëlqimesh (ma bën, ta bëj!) e komentesh inkurajuese (pothuajse nuk ka kurrë kritikë konstruktive!) Kjo i jep shije për të krijuar “margaritarë” tjerë. Për këtë, filozofi gjerman Arthur Schopenhauer ka lënë një thënie pikante).

E kështu s’ka të ndalur me opusin e tij. Sidoqoftë, kjo s’mund të kalojë pa pasoja; së pari krijohet përshtypja se me t’i lexuar dy-tri libra mund të jesh i gatshëm të shkruash, publikosh, të të thërrasin “artist”, “gazetar” e “intelektual”.

Kjo e dëmton rëndë artin e vërtetë, i shtrembëron parimet intelektuale dhe i deprimon të tjerët të shfaqen me shkrimet e tyre, hezitojnë ta bëjnë këtë. Preferojnë t’i ruajnë në sirtare. E mendojnë edhe gazetarinë diçka jo aq të vështirë për ta bërë. Shija e keqe tashmë është normë në vendin tonë; po denjove t’i kundërvihesh turmës me shije thellësisht mediokre do të ndjekin porsi Denizullu-Serpen. (Konica ka bërë vërtet profeci!)

Duke qenë se turma, pra, masa e madhe ka kërkesa për “intelektualë” të këtij soji, atëherë ata shfaqen, marrin primatin, bëjnë kulturën & artin. S’është aspak vështirë sepse mjerisht kjo shoqëri kënaqet me pak, kërkesat i ka të thjeshta, kornizat e ngushta, me pak fjalë, po deshi ajo të bën artist e poet e çka jo tjetër! Rrugët janë të hapura dhe gjithçka e lehtë sot, por pasojat janë të mëdha nesër!

ObserverKult

Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ: SHQIPJA E LASHTË E DOKUMENTUEME NUK ÂSHT MARRË SI KOMPONENTE NË NJËSIMIN…