Porosia që la Maks Velo

 “Nuk ishte e lehtë lamtumira me ty, Maks Velo! Emri yt do të kërkonte gjithmonë kujtesën. Dhe do ta kishte gjithmonë atë, të qartë e të ndritshme, ashtu siç ishte imazhi yt kur të kishim mes nesh”.

Nga Anila Dedja

Elena dhe Ismail Kadare e kujtojnë përmes këtyre fjalëve mikun e tyre vizionar, Maks Velon, të ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes në moshën 84-vjeçare.

Me të takoheshin pothuajse në çdo kthim prej Parisit, për të folur për artin, kulturën dhe të ardhmen e Shqipërisë, të cilën që të dyja palët e shikonin drejt Perëndimit.

Lidhjen me Kadaretë Velos ia bënte edhe më të fortë pallati që mban emrin e shkrimtarit e që arkitekti e projektoi, duke thyer rregullat e ngurta të realizmit socialist. Ajo ndërtesë avangarde do të merrej nga sistemi i asaj kohe si një provokacion i arkitektit, ku vëreheshin nuancat e kubizmit, e për të cilën, sipas pinjollëve të diktaturës, do të meritonte burgun.

Mirëpo, nga ana tjetër, godina ku do të jetonin për vite me radhë familja Kadare, ajo e Dritëro Agollit si dhe e Feim Ibrahimit, artistëve do t’u pëlqente pa masë.

Po aq me mirënjohje e dashuri, çifti Kadare, pas arrestimit të Maks Velos në ’78-ën e djegien e paprecedent të 249 veprave të artit të piktorit, do të ruanin për 20 vite me radhë në dhomën e tyre të gjumit “Vallen labe” të tij. “Ndonjëherë mendoja në duhet t’ia ndryshoja emrin pikturës, pasi do të ishte më e lehtë për ta ruajtur dhe emri i tij, Velo, mezi dallohej”, do të rrëfente Kadare vite më vonë, e megjithatë emri i Maks Velos mbeti aty…

Ashtu siç do mbetet në të tjera vepra të tij. Arkitekti dhe zëvendësministri Artan Shkreli veçon disa prej tyre, të afirmuara nga kritika kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u ndalur fillimisht te “Pallati Kadare’.

“Është më e shkueshmja dhe më ulëritësja ndër veprat e tij. Edhe si objekt muzeal, qoftë se është i mbrojtur si pjesë e trashëgimisë kulturore, ashtu edhe si një eksperiment jashtë kontekstit të kohës që u ndërtua. Një vepër tepër e suksesshme në raport me mërzinë e arkitekturës së banesës në atë kohë”.

Ndër veprat e Kadaresë, moderne për kohën, Shkreli veçon edhe shkollën “Emin Duraku”. “Është një objekt që mua më habit edhe sot me elegancën dhe modernen që ajo ngërthente brenda, ka qenë unike. Për mua, ndoshta në një kohë të dytë, ajo shkollë duhet kthyer në trajtat origjinale me atë neoplasticizmin e Maksit, i cili nuk u përsërit më për fat të keq”, shton më tej arkitekti.

Shkreli ndalet edhe te ndërhyrjet e Maksit te Parku i Liqenit. Ai ka bërë stolat, bistekat, që, sipas meje, reflektojnë një ekspresionizëm të pashoq, që nuk e kam vërejtur në asnjë vend tjetër”.

Elementët modernë që Maksin e dalluan në atë epokë, ai i njeh edhe tek ish-godina e ATSHsë, pranë bulevardit “Zogu i parë”. “Ish-bulevardi ‘Stalin’, një objekt relativisht i ulët në 6 apo 7 kate, që duket si të jenë 14, si rezultat i theksimit të linearitetit vertikal, ku ai përdorte një gjuhë që ishte e panjohur për zbatimin në Shqipëri”.

Ndonëse pohon se Maksi kishte edhe të tjerë kolegë që shfaqnin këtë forcë arkitekturore të projektimit, ai ndalet tek ajo që e dallonte ndër të tjerë. “Kishte dhe arkitektë që kishin kapërthyer sinorët e asaj çka lejohej, sikurse ishte Enver Faja me objektet e tij të njohura, si ish-Galeria e Arteve apo Petraq Kolevica me disa objekte, të cilat edhe u stigmatizuan.

Po forca ekspresive e Maksit ishte e pashoq. Askush nga këta nuk e arriti forcën ekspresive të Maksit. Për mua, Maksi mbetet numri një për sa i përket anës piktoreske në arkitekturë. Ai ishte më piktori i arkitektëve dhe më arkitekti i piktorëve”.

“MAKSI I VITEVE ’80, FLISNIM PËR RËNIEN E REGJIMIT”

Arkitekti Artan Shkreli rrëfen se Maks Velon e ka njohur në vite traumatike për Shqipërinë, për shkak të një rënieje drastike të ekonomisë.

Në fundin e viteve ’80, sapo kishte mbaruar studimet, ai dërgohet në Pukë si arkitekt. Siç tregon, ndonëse edhe në Tiranë varfëria ishte e madhe, në ato zona do të përballej me një varfëri të skajshme.

“Të shikoje realitetin në ato zona të thella të Shqipërisë, ishte një traumë mbi trauma. Në njëfarë mënyre, puna që bëra do të më afronte edhe me disa të burgosur të Qafë-Barit, të cilët punonin në zbatim për ndërtimin e pallateve të banimit në Pukë. Kjo ishte qasja ime e parë dhe e drejtpërdrejtë me të burgosurit me natyrë politike. Kështu që vazhdimësia e kontaktit në Tiranë me Maks Velon, në pjesën e dytë të viteve ’80, ishte gati një vazhdimësi e natyrshme”, thotë Shkreli. Në ato vite, ai kujton se Velo nuk përngjasonte në sjellje me të burgosurit e tjerë politikë që ai njihte.

“Të tjerët, ose ishin bërë më të mbyllur, ose drama që kishin kaluar i kishte bërë të padepërtueshëm, ndërsa Maksi ishte ekstrovers. Ai dukej i mbyllur, por në momentin që gjente një njeri, i cili ishte i predispozuar ta dëgjonte dhe ta kuptonte në atë që thoshte, që do të thotë të korrelacionohej me të edhe në pikëpamjet e arti, apo në mënyrën e të parit atë çka e preokuponte, ai hapej dhe hynte në një komunikim shumë të fortë”. Shkreli tregon se Velo asokohe ka qenë më tepër meditativ sesa polemik.

“Maksi i viteve ‘80, por edhe i fillimit të viteve ‘90, ishte një person, me të cilin duhet të mbaje shumë heshtje për ta dëgjuar dhe duhet të mateshe shumë herë për të folur. Vazhdimisht ilustronte fjalën e vet me librat. Kishte një bibliotekë shumë të vogël te zyra e vet, por librat ishin të përzgjedhur, ishin maja e gjërit. Qoftë librat me natyrë artistike, ato të kritikëve të mëdhenj të njohur, albume të vjetra apo dhe libra të letërsisë me autorë kontemporanë, që në Shqipëri s’janë përkthyer akoma. Fakti që Maksi nuk qe polemist atë kohë, ishte sepse ai mendonte që vetë figura e tij ishte një polemikë ndaj atij regjimi që rezistonte akoma. Dhe nga ana tjetër mendonte për rënien e regjimit dhe ne e flisnim shpesh këtë punë, pasi zhvillimet kishin filluar në Lindje dhe ndryshime do të kishte edhe në Tiranë”.