Sapo ka dalë në librari “Post-truth: Lufta e re kundër të vërtetës dhe si të kundërpërgjigjemi”, nga Matthew D’Ancona (përkthyer nga Bledar Qalliu), botuar nga Pika pa sipërfaqe.
Në sfond të “Post-truth” janë dy ngjarje madhore të politikës bashkëkohore, zgjedhja e D. Trump si president i ShBA dhe referendumi Brexit, që nxori Mbretërinë e Bashkuar nga eurozona.
Me saktësi, autori i identifikon këto ngjarje si simptoma të një problemi më të thellë të korruptimit të diskursit publik, rënies së besimit tek institucionet, veçanërisht te shtypi i lirë, ngritjes së medias sociale, vërshimit në diskursin “mainstream” të teorive konsipirative, etj, me pasojë “zhdukjen” e “të vërtetës”.
Pasi bën një analizë të burimeve bashkëkohore filozofike, politike dhe shoqërore të krizës, D’Ancona ofron edhe një sërë strategjish rrugëdaljeje prej saj.
Matthew D’Ancona (1968) është gazetar britanik. Ç’prej një moshe të re dhe sot e kësaj dite, ka punuar në organet e shtypit anglishtfolës, përfshi këtu The Guardian dhe The New York Times.
“Mirë se vini në epokën e post-truthit, koha kur arti i gënjeshtrës po e trondit nga themelet demokracinë. Votimi për Brexit-in; fitorja e Donald Trump-it; refuzimi i shkencës për ndryshimin klimatik; shpifjet për emigrantët – të gjitha këto kanë qenë të bazuara te fuqia për të evokuar ndjenja dhe jo fakte. Jetojmë në një epokë të re, ku teknologjitë klandestine shfrytëzojnë të dhënat elektronike në shkallë globale dhe në mediat sociale, manipulojnë, polarizojnë dhe i vendosin opinionet në pozicion lufte. Është ngjallur një klimë e re, ku besimi është tretur, teoritë e komplotit gëlojnë, autoriteti i medias është mpakur dhe emocionet kanë më shumë peshë sesa faktet.”
ObserverKult