“Posteri Shqiptar- një histori e shkurtër e imazhit të propagandës”

Gjatë dekadave të fundit posteri i propagandës është bërë fokus i një vëmendjeje të shtuar, subjekt për koleksionues, si dhe një lëndë për diskutim, hulumtim dhe shqyrtim nga një numër i madh studiuesish në botë.

Nga Rubens Shima

Libri ‘Posteri Shqiptar’, me nëntitull ‘Një histori e shkurtër e imazhit të propagandës’ është një punë kërkimore disa vjeçare rreth posterit të propagndës në Shqipërinë e shekullit XX. Fatkeqësisht posterat kanë patur një jetëgjatësi shumë të shkurtër, shumë prej tyre kanë humbur përgjithmonë bashkë me ideologjitë që i frymëzuan ata, një pjesë e mirë e tyre janë asgjesuar si pasojë e ndryshimeve të herëpashershme të koniunkturave politike të regjimit diktatorial, duke i bëre ata të panevojshëm.

Premisa e këtij libri është analizimi i ikonologjisë, traditës së imazhit që gjendet pas një posteri, si edhe pikasja e ndryshimeve të ndodhura në këtë traditë, të ardhura si pasojë e ndryshimeve ideologjike në Shqipërinë e shekullit XX.

Libri trajton fillesat e posterit në Shqipëri si një model komunikimi masiv, si edhe evoluimin e tij në sistemin e informacionit të planifikuar që konvencionalisht është ndarë (për efekt studimi) në: republikë, monarki, fashizëm, afishja e luftës 1943-1944 dhe komunizëm.

Pavarësisht se fokus kryesor hulumtimi në këtë libër është posteri i propagandës gjatë regjimit diktatorial, historiku i këtij zhanri piktorik në Shqipëri është shumë më i hershëm. Ndaj, një paraqitje në kronologji historike e posterit të propagandës na ndihmon të zbulojmë dhe kuptojmë konceptimin, zhvillimin e formës dhe ndikimin që pati ky zhanër mbi publikun për të cilin ishte krijuar.

Teksti shoqërues përshkruan shkurtimisht periudhat kryesore të zhvillimit të posterit si edhe bën një paraqitje të subjekteve dhe temave të përdorura nga ideologjitë e ndryshme, gjatë shekullit XX në Shqipëri.

posterat
posterat2
posterat3
posterat4
posterat5
posterat6
posterat7

Teksti është i ndarë në:

“Posteri i fillimshekullit XX, 1900 – 1928”, i cili kryesisht trajton riimagjinimine figurës së Heroit Kombëtar, Skënderbeut, simboleve dhe emblemave të tij.

“Posteri gjatë monarkisë, 1928- 1938”, i cili veç përhapjes së imazhit të autorizuar të sovranit, shfaq edhe elemente të kulturës perëndimore, si posteri i joshjes reklamuese apo thënë ndryshe posteri komercial.

“Posteri gjatë fashizmit, 1939 -1943”, periudhë gjatë së cilës krijohen edhe konstruksionet e para propagandistike apo njohur ndryshe si klishetë e paraqitjes; ushtari fashist që mbron dhe sakrifikohet për lavdinë e ‘Romës së re’, fashtari në fusha të begata, portreti i Duçes e kështu me radhë. Në këtë kohë posteri vihet plotësisht në shërbim të politikës, me qëllim përhapjen e ideologjisë fashiste dhe imazhit mburravec të fuqisë ushtarake italiane. 

“Posteri i viteve 1943 – 1944” është një periudhë shumë e veçantë, e pastudiuar dhe e pashfaqur më parë. Në këto vite forcat rivale që synonin pushtetin e pasluftës përdorin me efikasitet posterin politik apo thënë ndryshe posterin agjitativ, duke portretizuar anasjelltas imazhin negative të armikut. Antibolshevizmi është një konstante në tematikën e posterit të këtyre viteve.

Periudha e fundit dhe më e gjata është “Posteri i propagandës gjatë regjimit diktatorial,

1945 – 1990”. Krijimi i shtetit të ri, rikrijimi historisë, simboleve, festave, zhvendosjet politike, të ndodhura në këtë epokë si edhe ndikimi jugosllav, por mbi të gjitha ai sovjetik dhe kinez, lanë gjurmë në zhvillimin e formave të posterit në Shqipëri. Imazhet e këtyre viteve janë të   populluar me fshatarë, ushtarë, punëtorë, të rinj në poza teatrale, të pamoshë, që betohen për besnikëri ndaj kauzës komuniste dhe bindje absolute ndaj udhëheqësit dhe partisë.

Pothuajse i tërë koleksioni i posterave të përdorura në këtë libër është i panjohur dhe i pabotuar më parë. Libri përmban 250 ilustrime posterash nga vitet 1905 – 1990, të cilat gjenden në koleksione të ndryshme private, brenda dhe jashtë vendit, në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin Qendror Shtetëror. Posterat e përzgjedhur për botim janë shembuj të shkëlqyer të ketij zhanri të veçantë piktorik, këtij mediumi masiv që synonte të përhapte dhe indoktrinonte njerzit me ideologjitë e ndryshme të shekullit të XX.

Fare pak është ruajtur nga posterat e dikurshëm; fytyrat e lumtura të pikturuara me njgjyra të ndezura të fshatarëve, punëtorëve, intelektualëve dhe studentëve janë zbërdhylur tok me imazhin androgjin të ‘njeriut të ri’ dhe peizazhin panoramik të aritjeve të Shqipërisë socialiste. Sot era digjitale nuk ka më nevojë për tipografi, për afishime në hapësirat publike, për piktorin, për zejen e posterit; televizioni, fotografia digjitale, rrjetet sociale janë ‘toka e re’ e betejave propagandistike.