Preç Zogaj: Kjo dashuri vdiq papritur…

pre
Preç Zogaj

Poezi nga Preç Zogaj

Kjo dashuri vdiq papritur, pakujtuar
në moshë të re dhe them në lulëzim.
Po qajnë për të dhe vrasësit e saj.

Era në xhama mban ritmin dhe rregullin
e heshtjes që vjen nga kubetë e larta.
Fjalët kësaj radhe treten në frymë,
dita pa dashje shënon mungesën
e qeshjeve të tua tashmë të djeshme.

Djaloshi im në shpirtin tim
vuri shallin e zi
dhe trishtimin…

ObserverKult

Lexo edhe:


PREÇ ZOGAJ: A THUA DO TË VISH DUKE QESHUR

preç zogaj
Preç Zogaj

Endet një muzg përzier me brymë
dhe vetmia lind përsëri vetmi,
shkon çalë-çalë nëpër rrugë.

Përse më ke thënë harromë?!
Fillikat tani, më mbyt bukuria.
Diç dua të them e nuk mund ta them.
Mëkat të flasësh kur fjalën e saktë nuk e gjen.
Do të kisha harruar, por s’mund të të harroj,
se endet ky muzg, ngaherë do të endet ky muzg.
Vjen një mëngjes, ngaherë vjen një mëngjes,
Ose bie shi, bie shi me litarë
dhe vetmia lind përsëri,
dhe ndarja ka një moshë,
për shembull një vit, dy ditë, tre orë …
Rritet moj, rritet, ndarja jonë.

Këtu kemi qenë, kemi shkuar kaq pranë.
Na kanë ndarë mure, xhama, pemë,
na ka ndarë syri ynë!
Por endet një muzg përzier me brymë,
jam krejt i sigurt tani dhe kam frikë
se një ditë do të vish duke qeshur.
Jam krejt i sigurt se do qajmë
nën sytë e qeshur.

ObserverKult