Preç Zogaj: Pa e ditur sa shumë më doje

Dita e vjetme e shkurtit, e qelqtë, e ftohtë,
pahitur me ngjyrëza lulesh ende në fara
i mbivendoset të sotmes si të ishte e njëjta.

Po të mos e dija si ka përfunduar,
Po të mos kem ngrirë këtu mbi urë,
në vend që të jem duke vrapuar,
Do të thosha toka u kthye
treqind e gjashtëdhjetë e pesë rrotullime
prapa.

Në dashje merr jetë magjia.
Ja, po shoh si thyhet
kristali i ditës dhe derdhet
kuqëlimi i saj i brendshëm
anembanë hapësirës.

Ç’ngjyrë ka fryma e të dashurve?
Të shoh ty duke ardhur
për herë të parë karshi meje
me gonxhen e purpurt rreth gojës,
ndërsa të di në shtëpi
duke lexuar libra
a duke qëndisur.

Në stepjen time të çastit
humbet qetësinë gjaku.
Sa shumë të kam dashur pa e ditur
se shumë më doje.

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

Preç Zogaj: A thua do të vish duke qeshur