Kërkon të ndalet zemra ime
një natë, një orë të vetme, një çast.
Të bjerë në gjumë të thellë, të fiket
si llampa e ndriçuesit të vogël. Tak!
Vetëm ajo nuk është ndaluar kurrë.
E vetme ka shënuar rrjedhën e jetës sime,
duke zmbrapsur shigjeta, sulme, hile, rrengje,
duke pastruar helme e fashitur klithma….
Vetëm ajo, gjithmonë ajo, zemra.
Tani kërkon pushim, pushim,
sëpaku një grimë here, sa të çlodhet pak.
A mund ta pres në këmbë, si një fantazmë?
A mund të jetohet, paksa zemërndalur?
Nuk është e drejtë t’ia zgjas mundimet
me barna, ushtrime, privime, shërbime.
Le t’i mbyllë ventrikulat si sy dhe unë
i drejtë me të, të bie me të.
Më i mirë se jam do të kujtohem.
ObserverKult
Lexo edhe: