
Nga Ndue Ukaj
Kujtim M. Shala është poet dhe një prej studiuesve më të njohur të letërsisë, profesor në Universitetin e Prishtinës, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe veprimtar me një kontribut të vyer në fushën e politikës. Ka botuar disa përmbledhje poetike dhe një varg veprash studimore, për autorë e fenomene specifike të letërsisë shqipe e asaj universale.
Përgjatë veprimtarisë së tij letrare, Shala ka treguar se ka përherë diçka për të thënë: kur shkruan poezi dhe reflekton për njeriun e ekzistencën e tij, ose, kur shkruan studime letrare dhe sjell në vëmendje të lexuesit vlerat më fisnike të artit autokton e universal. Me një veprimtari të gjatë në fushën e letërsisë, ai ka markuar identitetin e stilin e vet letrar, duke përfaqësuar njëherësh një zë të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Veprimtarinë letrare, Kujtimi e ka nisur si poet, me librin Mërzia e zezë, të botuar në vitin 1998, kurse një vit mbas këtij botimi, e ka batuar librin e parë studimor, Shenjat e tekstit, 1999. Mbasandaj, profili i poetit e studiueset, janë zhvilluar paralelisht, duke e përplotësuar poeti studiuesin e studiuesi poetin, deri në ditët e stome, ku ai tashmë numëron mbi 60 botime letrare, për çka është vlerësuar me çmime të ndryshme, dhe është përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja.
Ka një mendim aksiomatik në letërsi, se, një letrar i mirë, para së gjithash është një lexues i mirë. Shala, para së të jetë poet e studiues i mirë është lexues i mirë, njohës i kulturës autoktone e universale, shenja këto që verën kudo në veprën e tij, si imazhe e filozofi, ku pikëtakohen dije të shumta enciklopedike, klasike e moderne. Pra, studiuesi e poeti, janë mishërim shembullor i lexuesit, që i lidh autentiken e universalen, si përvoja e si dije, në krijimtari e në kërkime letrare.
Poezia, krijim nga asgjëja, sipas Aristotelit, regjistron në repertorin e vet të vërteta më të mëdha se historia, prandaj edhe krijon një epërsi në raport me historinë, për faktin se shpreh të vërtetat universale dhe pikërisht ato që s’i regjistron historia. Në këtë aspekt, letërsia, duke bërë pyetje pse dhe si, dhe duke i treguar të vërtetat e mundshme, të gjasës, e tejkalon repertorin skematik të historisë. Këtë dimension, letërsia e ka ripërtërirë në forma e variante të ndryshme, deri në kohën tonë, duke u bërë bashkudhëtare e përhershme e qenies njerëzore, “emërues i përbashkët i ekzistencës njerëzore”, siç thotë Mario Vargas Llosa. Dhe këtë emërues të përbashkët të ekzistencës njerëzore, Shala e shtjellon përmes alternimit të kundërtave, dritës e errësirës, robërisë e lirisë, qytetërimit e barbarisë, heroit e tradhtarit, dashurisë e urrejtjes, duke nxjerr në dritën e gjuhës poetike, ato të vërtetat që s’i regjistron në repertorin e vet historia.
Në të dy librat e fundit, Idioma, 2024, dhe Fizika naive, 2025, të botuara nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, ai bën një kapërcim të madh në zhvillimin e tij si poet, duke krijuar një sistem të vetin poetik. Poeti lirik e subtil, në këto dy libra shfaqet si poet refleksiv, duke ndryshuar edhe lëndën poetike, nga lirika me elemente subjektive, me tone të përmallshme dashurore e malli, te një letërsi refleksive, ku mendimi e ndjenja lidhen ngushtë e ku dëshmia e dokumentimi i realiteteve bëhen intencë poetike. Ky ndryshim i fizionomisë stilistike, siç vëren Agron Tufa, te një shkrim për librin Idioma, lidhet me një etapë të re në krijimtarinë poetike të autorit, të cilën Shala e zhvillon te libri tjetër, Fizika naive.
Në këto dy përmbledhje poetike, zëri i poetit është zë i strukturuar, librat janë të lidhur e të mirëmenduar, dhe flasin për një, lë të themi, projekt letrar të Shalës. Prandaj, edhe mund të lexohen si një tërësi poetike, dhe janë si një pikë gravitacioni, ku sintetizohen temat e mëdha e të duhura të letërsisë: lufta, pushteti, tirania, dashuria, virtyti, tradhtia, errësira e drita, në hapësirat e të cilave shkrihen personalja e objektivja, miti e religjioni, estetika a politika. Temat e motivet marrin trajtë e gjallëri, përmes gramatikës së poezisë, me figura të fuqishme, sidomos përmes kontrastit poetik, dritë-errësirë, elemente që poezisë i japin intensitet e gjuhës dramacitet.
Në të vërtetë, që nga libri Mërzia e zezë, botuar në një kohë të zezë për shqiptarët, në vitin 1998, poezia e Shalës, ndonëse ka shumë figuracion të lidhur me errësirën e të zezën, ajo është kundërvënie ndaj errësirës së mendjes e zemrës, dhe shfaqet si dritë poetike. Sepse, reflektorët poetikë depërtojnë thellë e ndriçojnë errësirën dhe të zezën. Dhe poeti duke qene vetë dëshmitar i ngjarjeve që rrëfen, duket se është i vetëdijshëm se shpikja, sado imagjinative, është e destinuar të jetë e rreme, por ia del mjeshtërisht, përmes situatave e imazheve reale, të krijojë një distancë letrare mahnitëse me kohën e reale historike, dhe atmosferës poetike i jep gjallëri e tension letrar, teksa nxjerr nga thellësitë e njeriut, terrin e vuajtjeve. Në një rrafsh tjetër, për t’i dhënë poezisë dimension universal e tejkohor, poeti kontekstualizon ngjarje të njohura të historisë, mitologjisë, religjionit, si shëmbëllim për ta dhënë kumtin poetik, për kohën reale të shkrimit, si dhe për ta shpërfaqur dramën reale të raportit të heroit me tradhtarin e fuqisë së pushtetit me njeriun e urtë.
Octavio Paz, në një bisedë letrare me Josif Brodskin, thotë se “poezia është e gjallë në dy raste: aty ku janë të rinjtë, falë pasioneve të tyre, dhe aty ku janë të moshuarit, falë aftësisë së tyre për të soditur dhe për të jetuar me kujtesën. Dhe poezia u drejtohet pikërisht këtyre dy gjërave – mendjes soditëse dhe zemrës, pasioneve.” Në librat e sipërpërmendura, duket poeti me mendje soditës e pasione zemre, teksa shpalos të kaluarën e eksperiencat nëpër të cilat ka kaluar ai dhe njerëzit e tij, kur evokon luftën e Kosovës e pasojat dramatike, personale e kolektive, nëpër trajektoret e jetës së vendit të tij, ku shfaqet “qyteti pa njerëz” dhe “një qyet ku kafshës i vunë kurorën e prijësit kur pushtuan sheshin kryesor.” (Kafsha e lashtë).
Në këto realitete sociale, poezia është dritë në terrin e paqartësive e vuajtjeve njerëzore, qoftë kur flet për të kaluarën, ku ka makth, ikje, errësirë dhe gjithçka e përpinë frika apo kur i bën kaleidoskopi realitetit. Terri dhe e zeza munden, përmes dritës së poezisë. Kjo dritë në një rast merr trajtë përmes një metafore të goditur, te poezia “Ploja”, nga libri Fizika Naive, më saktësisht, te vargu “Në ditën e parë të prillit kur po zhbëhej errësira”. Pra, ka errësirë dhe zhbërje të saj, dhe zhbërja e errësirës, sjell dritën e lirisë.
Në nivelin e gjithmbarshëm të gjuhës e mendimit, poezia zhvillon raport dramatik mes errësirës e dritës, ku koha është infinite e poezia dritë e pambarim. Te libri Idioma, ka shumë terr, tmerr, vuajtje të zeza, errësirë, ngase “lufta erdhi e zezë”, por këtë përmasë të territ shpirtëror, ka forcë ta ndriçojë poezia, përmes rrëfimit, duke realizuar funksionin e madh të letërsisë, katharsisin.
Ky libër, përbëhet nga tri pjesë poetike, të titulluara “Idioma”, “Shpina”, “Lëkura”, ku temë e madhe është lufta e Kosovës. Duke e trajtuar luftën e fundit, poeti bën një udhëtim gati dantian në ferrin e saj, prej stacionit që kujton traumat që iknin prej xhelatëve, në një atmosferë ankthi ku lufta shpaloset përmes kujtimeve e plagëve që pikojnë dhimbje. Duke e sjellë gjithë atmosferën e makthit të luftës, trenave të mbushur me njerëz, pa emra, teksti prek tragjizmin njerëzor, që nis me stacionin e vjetër, në një atmosferë ku “fytyrat janë ngrirë nga frika dhimbja”, e ku vetëm thika e xhelatit shkëlqen kundrejt njerëzve që braktisin shpinë, qytetin, jetën. Këtu, drama njerëzore të kallë mërzinë:
Treni merr turmën e parë nën çjerrjet e xhelatit niset drejt jugut
Kur mbarojnë binaret e tij njerëzit humbasin veten nuk njihen më
Kartat e identitetit shqyhen si zëra të zbehta emrin e kanë
Vetëm për vete i presin emra të rinj pa shenja kujtimesh emrat
Që do t’ua vënë të tjerët me përcmim si nofka njerëzish fatëqinj
Treni tjetër merr turmën e radhës të gjithë emrat kthehen
Në përemra në nyjën në të cilën nisin errësira dhe harrimi i zi.
Te tetë poezitë e para, kemi atmosferë ankthi, situata e ngjarje, që flasin për harresë të zezë, terr të zi, braktisje të jetës, fytyra të trishtuar dhe thika të xhelatit, deri në momentin kur shtrihet zbrazëtia, në qytetin pa njerëz, kurse te cikli i poezive “Idioma”, poeti e subjektivizon dhimbjen përmes oborrit të kujtimeve, imazheve tëGjyshit, Gjyshes, Babës e Nanës. Në këto poezi ka elemente të melankolisë, të kohëve që i ka zhbërë e keqja, nëpër kalvarin e vuajtjeve, ku secili personazh e bartë kryqin e vet. Ndërkaq, te cikli “Shpina”, nga autentikja e kujtesa personale, kalohet te universalja, si gjakim e kërkim estetik. Në këtë cikël, poeti e zhvillon një dialog me mitologjinë e kujtesën biblike, teksa trajton raportet e njeriut me të keqen, terrin që sjell në jetën njerëzore tradhtia. Poeti flet për personazhe të njohura, si Helena, Prometeu, Juda, Brut, Anarkist. Edhe në këtë cikël, e zeza është zgjedhje estetike e poetit në nivelin e gjithmbarshëm të mbarështrimit të ligjërimit letrar, aq sa, dera është e zezë e Judës, të cilit askush s’ia kujton emrin e zi.
Ajo që bie në sy në këtë vëllim është fishkëllima që i bën autori errësirës njerëzore, përmes shembujve universalë, në një realitet të shpërfytyruar e në një kohë kur turma “dijetarët i shpallën budallenj
Heronjtë e vërtetë u demaskuan si tradhtarët më të rinj
Më së shumti shpifi i ziu me mendje të errësuar
Këto imazhe, mund të lidhen me një kohë specifike, por shprehin një realitet të përhershëm, universal, përmes figurave të mendimit, teksa lexuesi, bashkë me krijuesin, ndien frikë nga ata që duan t’i vrasin të gjitha të vërtetat, dhe kërkon alternimin e errësirës në dritë e të gënjeshtrës në të vërtetën.
Poezia e jashtëzakonshme “Kafsha e lashtë”, paraqet një atmosferë gati makthi, me turma që ulërijnë e duartrokasin, tek presin të kurorëzojë prijësin e ndjekur nga faqezinj. Poezia, ndonëse me elemente konkrete, bëhet atemporale dhe i flet secilit vende e së cilës kohë, sidomos kur ideologjia e zhbën njeriun e njerëzoren.
Ekziston poezia politike, për çka pajtohen poetë e studiues të njohur të letërsisë, një element që haset fuqishëm në nivel të ironisë e të kritikës, veçanërisht te ky cikël, ku kemi turma e plot tradhtarë, siç del te poezia “Tirania”, në të cilën autori ironizon e stigmatizon mendësitë e tiranisë.
bota e tyre sundohet me lehtësi
të gjithë ndihen të barabartë krenarë
hisedarë të tiranisë së përbashkët që shtyp
të gjithë pa ua prishur lumturinë e pjesëmarrjes
Cikli i tretë, “Lëkura” është shpalim e një bote subjektive, ku ai hipur në varkën poetike lundron nëpër dallgët e jetës, trajton tema subtile, imazhe të natyrës, dashurinë, në raportet mes ekzistencës dhe mallit, ku ka ditë të zeza të vetmisë, e poezi si “Pamja” që shpalosin horizontet e subjektit krijues përballë përjetimeve të dashurisë, të kësaj force që lëvizë gjithësinë, thoshte Dante, ose që rrënon muret më të larta, thotë Shala, ngase dashuria më e fortë se vdekja, në një errësirë ku mbretëron vetëm ti
Kurse libri, Fizika naive, që në titull e fton lexuesin për një aventurë leximi, ku fizika e naivja, rrinë krahë njëra-tjetrës, si ekzistenca njerëzore në një kozmos plot mistere. Duke e sfiduar lexuesin me dilemën, nëse fizika mund të jetë naive, poeti e foton atë në një gosti estetike, ku e ballafaqon me situata e përvoja, personale e universale, të shkruara e të përjetuara, në një rrëfim që gjakon fizikën e qytetërimit të poezisë, një kozmos të bukur e të pasur, kundrejt realitetit plot shëmti. Ky libër është i ndarë në katër cikle poetike, “Tregues i emrave”, “Fizika naive”, “Shpikja e vuajtjes” dhe “Skica”. Në planin tematik e stilistik, libri trajton raportet mes njeriut dhe historisë, trupit dhe pushtetit, në dimensione të thella etike e filozofike. Edhe në këtë libër, dominon poezia refleksive.
Poezitë e këtij libri ndërthurin ngjarjet e mëdha me përditshmërinë, mitin me jetën, njeriun me të kaluarën dhe traumën kolektive. Fizika naive, kështu, ofron një mënyrë për ta parë botën nga një kënd tjetër, ku brishtësia njerëzore bëhet e dukshme përballë forcave që gjakim kanë shtypjen, ndaj kumbon si një thirrje për të mbajtur gjallë kujtesën dhe imagjinatën, si kundërpeshë ndaj harresës, e cila sjell barbarinë. Rrezikun e kësaj gjendje e transmeton me tension të bukur poetik, poezia “Cjapi”, që futet me maskë në jetë njerëzore deri në momentin kur imazhet paraqesin një fund të trishtë, kur, do të mbijetonte vetëm më i egri.
Me këtë libër, sikur edhe me librin Idioma, Shala e provon atë që thotë shkrimtari e nobelisti i letërsisë Tomas S. Eliot, se poezia është forma më e lartë e aktivitetit intelektual, duke krijuar njëkohësisht modelin e një poezi intelektuale, që nuk zhvishet nga tiparet filozofike, pra një letërsi serioze, që ndjek traditën e madhe prej antikitetit e deri te kohët moderne. Lexuesi i Shalës i ndjen hovet e një shpirti krijues, që përjetimet e reflektimet i përpunon me mjeshtëri dhe i shpalos me mendjemprehtësi. Prej poezie në poezi, lexuesi e dëgjon zërin e poetit, që është zë autentik, reflektimet e tij, dhe përjeton kënaqësinë e leximit, në një udhëtim poetik, ku sheh plot imazhe e gjen shprehje të bukura, si kristale gjuhësore. Në këtë libër, ka reflektime për tema ekzistenciale. që shprehen me tonin e kritikës e ironisë letrare, duke e nxitë lexuesin përherë kah katharsisis letrar, aq shumë i nevojshëm, në një kohë kur ka shenja tautologji e kaosi, dhe kur jeta e njerëzve duket si jeta e berrave.
Edhe te ky libër, poeti iu rikthehet temave që trajton te Idioma, me një figuracion të kondensuar, me terr e kujtime të errëta, me gjendje njerëzore të verbërisë së mendjes dhe realitete që nxirren prej këtij terri, në hapësirën e poezisë. Duke shkruar për “fizikën e ashpër masive betoni”, poeti e fton lexuesin të meditojë për butësinë e jetës, gjëra shpirtërore, që i japin jetës domethënie shpirti, teksa i kundërvihet së keqes me peshën që ka fjala e shpirtit të paepur për të bukurën e fisniken. Edhe në këtë libër, errësira sfidohet nga drita e poezisë, egërsia nga mësimet universale të historisë, urrejtja nga dashuria, injoranca nga dija, dhe krijohet ritmi i një poetike që lexuesin e çliron nga dërdëllitjet ideologjike të kohës, që atë e copëzojnë dhe e skematizojnë.
Për fund, jam i vetëdijshëm se kjo pamjeqë dhashë, nuk është e plotë, sepse, gjithmonë mbetet shumëçka pa u kuptuar mirë ose pa u vizituar deri në fund. Ndodh që gjatë një lexim e kërkimi letrar, siç ka pohuar një studiues, malet mund t’napëlqejnë më shumë se fushat, e me siguri, në një kërkim tjetër, fushat mund të në pëlqejnë më shumë se malet. Por jam i bindur se lexuesi, sa herë i kthehet kësaj poezie gjendet në një reliev magjeps, me male e fusha, dete e yllësi, prandaj meriton ta vizitohet shpesh, për ta ushqyer mendjen e zemrën me të bukurën.
Dhe krejt në fund, më pëlqen t’i mbylli këto reflektime rreth poezisë së Kujtimit, me atë që thotë Marsel Prusti, për shkrimtarët e mirë, të cilët sipas tij, janë ata që iu japin lexuesve teleskopin në duar, që ta shohin realitetin në largësi e thellësi. Lexuesi i poezisë së Shalës, këtë teleskop e ka në duar, për të parë në errësirën njerëzore, përmes dritës së poezisë.
ObserverKult
Lexo edhe:






