Prezantohet “Bibliografia e veprimtarisë shkencore të Ali Aliut”- “Shkencëtarit që bashkoi tre kryeqytete letrare”

Në kuadër të panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor – nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës – u paraqit “Bibliografia e veprimtarisë shkencore të Ali Aliut”, anëtar i jashtëm i ASHSH (në 90-vjetorin e lindjes).

Veprimtaria u drejtua nga dr. Arian Leka, ndërkohë që tiparet më të rëndësishme të veprimtarisë shkencore të Ali Aliut, të shprehura përmes zërave biblografikë, u shtjelluan hollësisht nga akademik Shaban Sinani.

Ndër argumentet më të spikatur të kësaj veprimtarie Sinani cilësoi rolin e Ali Aliut si “kapërcyes i kufijve”, studiuesin gjithmonë të gatshëm në gjurmim dhe vlerësim kritik të letërsisë shqipe, pavarësisht se ku ajo krijohet.

Ky studiues, theksoi Sinani, i ka shpërfillur kufijtë ndarës, krijuar prej gjeopolitikës, duke hulumtuar nënsistemet e letërsisë shqipe, për të gjetur aty vlerat përfaqësuese dhe për të propozuar një rend të qëndrueshëm hierarkik.

Shpërndarë në mëse gjashtë dekada, kontributi i Ali Aliut në shkencën e kritikës letrare ka pasur autoritetin e një historie të letërsisë shqiptare edhe pa qenë e formuluar si e tillë, duke prekur gjithë hapësirën historike ku është shkruar dhe shkruhet shqip.

Kërkimi, mbledhja, klasifikimi dhe përfundimet përmbajtësore, të prejardhura nga zërat biblografikë, kanë sjellë rezultate befasuese mbi punën e këtij studiuesi në fushë studimit të letërsisë si përfshirje dhe përfaqësim.

Falë punës së “shkencëtarit që bashkoi tre kryeqytete letrare” dhe njeriut që ka vështruar gjithmonë përtej kufijve, sot kemi një hartë që vazhdon të plotësohet, duke krijuar përfytyrimin se letërsia shqipe funksionon si tërësi, ndarë në zona të ndryshme sipas tipologjive stilistikore zhanrore, theksoi Sinani.

Shprehur në të dhëna numerike të dy motorëve të përpunimit të informacionin shkencor – “Cobiss.al” dhe “Cobib.al” – rrugëtimi krijues i Ali Aliut shenjon rreth 1032 njësi bibliografike (deri në vitin 2022).

Në këto të dhëna, që sjellin në vëmendje gjithë sa lidhet me emrin e Ali Aliut si autor monografish, udhëheqës universitar, ushtrues i kompetencave editoriale (redaktor, recensues, përgatitës etj), përpunuara sipas kritereve shkencore (duke përjashtuar përkimet dhe përsëritjet), rezultojnë rreth 600 rekorde/njësi, përshkrime bibliografike, të njohura kronologjikisht e tipologjikisht sipas standardit ndërkombëtar ISO 690.

Ndonëse jopërfundimtare, pasi në indeksim mungojnë të dhënat mbi shkrimet e Ali Aliut në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, si dhe të dhëna të tjera, që motorët e kërkimit nuk i mundësojnë, “Bibliografia” bën të dukshëm faktin se në sistemin e propozuar nga ky studiues rastësorja dhe kalimtarja, ndonëse pikaset, nuk merr vëmendje. Kjo ia lë vendin përfaqësueses, fenomenit dhe dukurisë letrare.

Përveç kësaj, zërat e “Bibliografisë” vënë në dukje edhe raportin e studiuesit me pushtetet, kur vjen rasti i marrjes së mbrojtjes të letërsisë së ndaluar apo të penguar në Shqipëri, të tillë si Dritëro Agolli, Petro Marko, Fator Arapi, Xhevahir Spahiu, në përfaqësimin e rrjedhave letrare apo përfaqësimin e një breznie, shprehur në emrat e Lasgush Poradecit, Migjenit dhe të tjera prirje e dukuri të shenjzuara që herët si zhvillime të kohës, vëzhguar si atipizëm te Koço Kosta apo Zija Çela apo ndërkombëtarizimi i letërsisë shqiptare përmes rasteve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Kongolit.

Studiuesi Shaban Sinani theksoi gjithashtu se në sistemin letrar të propozuar nga Aliu Aliu zënë vend vetëm lloje prioritare (monografi, artikull shkencor), më të mëdhenjtë, paraqitja e të cilëve përjetohet si mision ndaj lexuesit dhe studimeve letrare.

U vërejt edhe se në panoramën e gjerë të ofruar nga “Bibliografia” kushtuar akademik Ali Aliut të dhënat janë në përpunim dhe në pasurim të vazhdueshëm, pasi në të mungojnë kontribute që nuk janë pjesë e sistemit të kërkimit të numerizuar, si veprimtaria universitare, botimi kritik i veprave të autorëve tradicionalë apo bashkëkohorë, shprehur në peritekste dhe epitekste shoqëruese.

Pa anashkaluar kontributin si autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime, pjesë e së cilës është edhe “Don Kishoti ndër shqiptarët” (vepra më e ribotuar dhe më e përkthyer e Ali Aliut) dhe përkthimeve të spikatura nga shqipja në gjuhë të fqinjve i 25 veprave letrare, dr. Arian Leka u ndal edhe te përkushtimi i kryehershëm i Ali Aliut, si studiues dhe kritik i letërsisë, në gjurmimin e antologjikës në letërsinë shqiptare, me veprën përfaqësuese “Gjysmëshekulli i artë – antologji e poezisë shqipe” (Tetovë, 2000; Tiranë, 2002).

Përmes kësaj antologjie Ali Aliu ka ndjekur trajektoret e një bashkësie që, përtej dallimeve, ka të përbashkët gjuhën dhe traditën letrare.

Si model, kjo përzgjedhje tekstesh përfaqëson theksime letrare dhe qasje antropologjike, që vendosin homogjenitetin e një kulture përmbi ndarjet.

Pa i fshehur vështirësinë e akordimit të “Antologjisë” rreth një estetike të vetme, autori nuk mbulon as dallimet, që kanë mes tyre poetët me etni të njëjtë, por me shqetësime të ndryshme, duke u ndalur kryesisht mbi atë çka është estetikisht e lartë, mbi atë që si përfaqësim është antologjike, për ta shndërruar leximin e përzgjedhur në dialog epistiemik të njohjes dhe dëshmisë.

Gjatë gjithë jetës së tij të begatë krijuese, Ali Aliu e ka përmbushur misionin e përgatitjes së një antologjie jetësore, shpërndarë në libra të veçantë, të cilët, me kalimin e kohës, krijojnë një antologji të antologjive, ku kontributet Ali Aliut bashkohen rreth titujve të tillë si “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj. Gjatë përurimit morën pjesë me diskutime Naim Zoto, Erarba Çiraku etj.



ObserverKult


Lexo edhe:

NË ASHAK MBAHET TRYEZA SHKENCORE “KRIJIMTARIA LETRARE E ALI ALIUT NË 90-VJETORIN E LINDJES”

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, është mbajtur tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”.

Akademik Sabri Hamiti ka lexuar kumtesën Ali Aliu bashkëkohës”, një pjesë të së cilës po e japim këtu:

“Ali Aliu është bashkëkohësi ynë: gjithmonë “sot” e gjithmonë “këtu”, në vështrimin e një të tashmeje të përhershme; duke u mahitur me kohën si imagjinatë të njëtrajtshmërisë; duke lakuar hapësirën si qerthull të imagjinimit. Në këtë dramatikë të çrëndomtësimit ai është “dëshmitar” imagjinar dhe “pjesëmarrës” ëndërrimtar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


AKADEMIKU ALI ALIU, FITUES I ÇMIMIT SHTETËROR TË MAQEDONISË SË VERIUT

Akademik Ali Aliu është shpallur fitues për këtë vit i çmimit shtetëror “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.
Çmimi Shtetëror “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, ndërsa jepet nga një këshill i posaçëm për mirënjohje ndaj njerëzve të shquar nga jeta shkencore, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut për bashkëjetesën mes kulturave të ndryshme.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e tij tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit, ku ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult