Primo Shllaku: Dyshimet janë klima e moshës sime

primo shllaku

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

______

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Primo Shllaku

Nga: Xhemazije Rizvani

A ka jetë pa turbulencë?

Na ishim njerëz të epokës së diktaturës. Kishim lé dhe ishim rritur gjatë saj. Na rriteshim si njerëz dhe ajo rritej si diktaturë. Ktu duhet të ketë ndodhë edhe ndamja e jonë prej saj. Unë e di se kam të përbashkët me jetën e diktaturës vetëm pjesën e pavetdishme të jetës sime. Në mjedisin tim familjar shumë prej të mdhejve merreshin me shkrime, ose, të paktën, shifeshin të tretun ose të vetmuem para librash të stërpërdorun dhe letrash të bardha të pazana fill. Prindët e mi në kuptimin mâ të gjanë se natyralë merreshin me shkrime. Unë nuk kisha se si të delja poçar ose bari. Megjithatê koha ishte e vështirë, por poetikisht dhe artistikisht ishte shumë interesante, por aq interesante sa mos me dëshirue me ia pà bojën për 1000 vjet. Jeta jonë ishte kontradiktore. Objektivisht ajo ishte interesante, sepse e kishte harlisë sfidën personale të secilit. Subjektivisht secili prej nesh i bante llogaritë me nji diçka edhe mâ të keqe simbas postulatit se “ka keq e mâ keq”. Unë ende mendoj se nuk ka mâ keq se me mendue se “ka keq e mâ keq”. Brêzi ynë bani nji kompromis fatal me fatkeqsinë dhe të keqen. Dhe mbeti i shenuem me tê përjetë. Të pakët mund të jenë ata që patën nji ringjallje. Pak e aspak. Bile nëse ka ndonji, atë as që e njofim ndopak, kaq i thellë e intim âsht procesi dhe akti i ekspiacionit. Të gjitha ata që ndrruen flamuj dhe melodi mbas 90-ës janë racë xhonglerësh të lemë për cirk e për panaire. Unë mos paça punë me ta. As edhe me mâ të mirin, as edhe me mâ të famshmin.

A është i tepërt ky dehumanizim?

Dehumanizimi nuk asht kaq i ri sa duket. Qyshkur se njeriu u vu të shpikë veglën e parë, vegla ishte prodhim njerëzor i dehumanizuem. Historia na mëson se jeta e njeriut zhvillohet përmes “vrasjesh”. Poligamia u vra nga monogamia, tragjedia u vra nga drama, shtypshkronja vrau arkitekturën (simbas Hygosë), përgjithësisht kultura po e vret përherë e ma shumë natyrën etj. Dehumanizimi i veprimtarive njerëzore ka të rrezikshme mospjesëmarrjen përherë e ma të madhe të njeriut në produktin e vet. Por artet e sidomos letërsia mbeten humane në kuptimin se janë produkt i pandërmjemë i psikës njerëzore. Eksperimentet që janë ba me shkrue letërsi automatike apo letërsi kibernitike kanë mbetë vetëm eksperimente. Letërsa mbeti e atashueme me qenien dhe kushtin njerëzor. Ajo buron e kthehet tek burimi i saj në nji qark shumë të shkurtër. Letërsia e mirë e të gjitha kohnave mbeti antropocentriste dhe e tillë do të jetë, sepse e kërkon qenësia e saj.

Si duket vendi ideal ku ikën shpesh?

Kam shumë vende ideale ku iki shpesh. I pari asht studioja ime e personalizueme ku rrinë të gjitha sendet e mia të dashuna e të shenjta njikohësisht. Studioja asht nji vend utopos, dmth. vendi prek ku unë marr arratitë e mia periodike dhe që vetë për vete nuk ka asnji koordinatë. I përngjet një Cape Canaveral nga ku nisen anijet kozmike për te planetet ose në hapësinën e paanë.

Vend tjetër që frekuentoj shpqsh asht shpija ime në Vuno. Atje edhe shkruej, por ma tepër më pëlqen të humbas në meditimet e mia që diku tjetër më ndërpriten prej brutalitetit të zhurmave e të detyrimeve që kanë në dorë kohën time. Pamja e detit dhe humoret e tij të ndryshueshme janë gjimanstika e mendjes time për shkrime të mavonshme dhe për avancime të reja drejt së bukurës që mue vazhdon me më mahnitë.

Po ashtu mund të them për Prishtinën që asht nji qytet në zhvillim të vrullshëm dhe që po përjeton moshën e saj djaloshare. Ndryshime të mëdha, ndërtime (s’e di nëse me kriter apo jo) por boom ndërtimesh, urash, mbikalimesh, facadash gjigante me brandy-t ma të njoftuna të veshmbathjes e ushqimeve. Drita, ngjyra, trafik, vetura, vetmi. Tamam nji New York i viteve ’60 që e shoqnon muzika melankolike e vetmisë metropolitane, « Sway ».

Kam edhe nji vend tjetër që arratisem në çdo kohë dhe asht koka ime e sytë që shofin mbrendë. Por kjo adresë asht edhe ma fantastike. Për këtë le të flasin të tjerët, nëse ndonji ditë do t’u dal përpara si patrullë policie e t’u them «ndal».

Cila është turbulenca më e madhe shpirtërore?

Unë personalisht gjendem në turbulencë të përhershme. Nuk e di se si mund të jetë njeriu pa turbulencë. Kaq sinonim i ngushtë asht ajo me jetën time. Madje pyes: a ka jetë pa turbulencë dhe a asht njeri – njeri mendues e krijues – ai që nuk e mirëpret turbulencën si humus të mendjes. Mendja krijuese shtjerret prej nji regjimi permanent turbulencash, në të cilin uni ynë kërkon idealin e vet të gjithçkaje: të bukurisë, të formës dhe të shprehjes, por edhe të njeriut, të personit me të cilin ndan konfidencat e thella mistike të bashkëkohësisë.

A keni shkruar mjaftueshëm ?

Nuk besoj se ka njeri, pra shkrimtar, që të mendojë se ka shkrue mjaftueshëm.  Psikja e shkrimtarit asht në kërkim të pandërpremë dhe kur mbaron së përvetësuemi diçka, para saj shfaqet nji horizont tjetër që duhet pushtue edhe ai. E kështu me radhë. Por mendoj se në rastin e letrave shqipe, ku rinia krijuese ka qenë konsumue në kërkim të asaj që nuk ekziston, klimaksi i shkrimtarit asht plotësisht i mundun dhe fundi i shkrimit asht kapak florini. 

Nga po shkon letërsia shqipe?

Letërsia shqipe nuk po shkon ende askund. Po sillet si ai kali në lamë, të cilit i zoti ia lidh sytë që të mos e kuptojë rrethin vicioz, e kësisoj të çmendet. Në lamin e letrave të sotme shqipe ka shumë byk e material nga viti “i kaluem”. Pa përjashtim ka shumë byk dhe material të nji epoke tjetër, me të cilën ne duhet të ishim nda me kohë e me vakt. Por “Përbindshat e shenjtë” të stinës që shkoi, kërkojnë me ngulm hise nga e tashmja që nuk asht vetëm e tynia. Kaq.

Përse nuk e ka trajtimin e merituar shkrimtari në botën shqiptare?

Janë shumë arsye, sepse tek na arti e artet nuk kanë nji vemendje të shtetit. Dhe shteti nuk ka vemendje, sepse asht i vorfën në xhepa dhe në mendje. Gjithsesi te na krijohet me teknologji rilindase, d.m.th. krijuesit nuk fitojnë asgja nga shpirti i tyne që e pështyjnë shpesh edhe me gjak, nga mundi e ekspozimi në nji fushëbetejë pa mbrojtje e pa konsiderata racionale që i pranojnë dhe i promovojnë risitë. Ka komisione që veprojnë me interesa dhe me direktiva të pashkrueme. Ka aparteid kulturor në Shqipni dhe na po ekzistojmë me gjithë këtë klimë anulluese.

A mjafton vetëm lexuesi?

Lexuesi mjafton mbasi të jemi sigurue për cilësinë e shkrimtarit. Lexuesi asht verifikuesi e certifikuesi i mbramë, ai që e përmbyll ciklin e krijim-shijimit. Ai e mban gjallë veprën edhe mbas vdekjes fizike së autorit, në atë kohë kur autori s’i del zot ma veprës dhe kritika ban operacionet e saj edhe pa anastezi.

A ka qenë e drejtë jeta me ju?

Jeta me mue ka qenë shumë e drejtë deri sa më ka mësue me ekzistue edhe në hapësina pa ajër, në rrafshe pa dritë e në situata pa shpresë botimi. Jeta ka qenë e drejtë se më ka hapë sytë dhe, me sytë e hapun fort, kam jetue pikun algjik të epokës, tue më forcue bindjen se isha shumë i privilegjuem që po jetoja në nji epokë shumë interesante, ku rivalët e mi potencialë dhe realë ishin shpërvjelë në magjen e madhe të gatimit të bukës me destinacion mencat populiste dhe propagandistike. Jeta ka qenë e mirë, sepse, me sytë e hapun fort, ruejta veten dhe krijimet, nuk iu dhashë kotësive të rinisë e të krijuesit që shpërthen dhe ban autodafe. Jeta ka qenë e drejtë me mue se më mësoi me pritë. Me pritë asht gjaja që unë di me ba ma mirë e, meqë jam racë që jetoj shumë, jeta do të më bajë edhe drejtësi të tjera, të cilat nuk i numëroj e as nuk i cilësoj ende me emën.

A është bekim shkrimi, apo mallkim?

Talenti asht bekim, dhuratë e naltë e shpirtit dhe e mendjes. Shkrimi asht mallkim sepse historia shpesh i gjen talentet në përleshje të forta me kohën. E kam thanë e po e përsëris se artisti zhveshet në publik, gdhend së pari nudon e vet dhe del ashtu picullak që ta shofin e ta pështyjnë apo t’ia venë vigmën gaztorët e përjetshmëm të buzëve të shkurta.

Lakuriqësia asht misteri e sekreti i madh. Vetëm atje banon risia dhe interesi. Pra, se sa ne themi diçka të re me kosto për ne dhe për moralin, establishmentin politik apo atë të zakoneve që ka shoqnia. Jemi nji shoqni kaq e egër dhe agresive ndaj risive sa me duket se të gjithë ata që promovohen dhe kalojnë mirë janë jashtë ligjeve të artit, qoftë edhe vetëm për këtë arsye.

A mbijetohet vetëm me letërsi?

Letrarët ngordhin po qe puna për letërsinë që shkruejnë. Shtëpitë botuese jetojnë dhe mbretënojnë me produktin tonë. Por edhe ata dinë sapak të ankohen në linjën tonë si shkrimtarë. Bota shqiptare asht treg liliput sa i përket librit dhe produktit artistik.

Përse i ikni vazhdimisht realitetit?

Shkrimtari jeton gjithnji në arrati. Ai asht dhe ndihet emigrant në botën ku jeton, sepse nuk asht dakord me të, edhe pse shpesh ngurron të japë modelin e asaj bote që gëlon mbrenda universit të tij. Kjo gja vazhdon gjatë dhe ai ka krijue habitatin e tij pikërisht në këtë dimension, pra në të qenit out-sider. Nga jashtë shifet ma mirë dhe ndihet ma pak tundimi i sofrës apo i llaço-së, siç thonë romët.

Cilët shkrimtarë ju frymëzojnë?

Besoj se letërsia e madhe nuk frymëzon. Letërsia që frymëzon asht vetëm ajo letërsi, e cila niset për të shkaktue qendrime të caktueme tek lexuesi, pra letërsia ose libri i mbyllun. Meqë letërsia e realizmit socialist shkruhej për të pompue vetdijet me receta kanibalistike, unë njof vetëm atë si frymëzuese. Pra, vetëm shkrimtarët e realizmit socialit frymëzojnë dhe asgja ma tepër. Mue më kanë frymëzue sinqerisht që të mos u përngjas.

Tre libra që i keni të shenjtë?

Biblën, Kuranin dhe Talmudin.

Poetët më të dashur?

Janë shumë. Po shumë… Ka raste që lexoj diçka timen dhe më duket se nuk jam unë autori. A mund të them se e due edhe veten? Jo, nuk besoj, por kjo që thashë, ndodh dhe përgjigjja asht e rrezikshme.

Për çka jeni vonë në jetë?

Për nji udhëtim deri në Mars me pa peizazhet e trishtueme të nji bote të vetmueme ku njeriu asht përjashtue për shkak të thatësisë, që ndër ne dikur ka ekzistue si metaforë…

Ku e merrni energjinë e mirë për të jetuar?

Me jetue për mue asht nji proces automatik dhe as unë vetë nuk e di se kah më vjen gjithë ai libido. Mbase jam pinjoll i nji populli të ri dhe entuziazmin e kemi organik, natyror. Por sendet me të cilat merren janë plot ngjyra, kthesa, provokime, ankthe dhe relaksime periodike. Baj nji jetë menduese dhe ndihem keq kur mendja më bie në boshllëk. Me mendue d.m.th. me jetue çdo imtësi të jetës, që nga ecja e nji milingone e deri tek rrëzimi i nji avioni supersonic Konkord. E madhja dhe e vogla nuk çojnë kandar në menynë e mendjes. Mjafton që ti fokusohesh dhe ua zbërthen esencën.

A ka mundësi që jeta të mos jetë kaq tragjike në thelb?

Jeta nuk asht tragjike në thelb. Jeta dhe vdekja janë anë të të njajtit proces. Thjesht kur mësohemi me jetën, nuk na pëlqen të vdesim, ashtu sikurse, kur i druhemi vdekjes, duem me jetue me çdo kusht. Tragjikja asht fenomen estetik. Estetikja lidhet me njeriun dhe përceptimi i saj shënon shkallën ma të naltë të evolucionit. Në natyrë nuk ka tragjike, vdesin elefantët, balenat, vdiqën e u shuen dinosurët etj. Në jetën njerëzore tragjikja për fat të mire mori kuptim historik. Njeriu e zbuti kontradikët e vet me forcat madhore të natyrës e shoqnisë dhe vdekja e tij ose asht aksidentale, ose asht shty deri aty ku nuk shkon ma. Me vdekë simbas këtij rastit të dytë asht njifarë librimi.

Përse jetoni me kaq modesti?

Sepse nuk kam mundësi me jetue me luks. Për ta ngushëllue veten në rastin e mungesës së vemendjes, unë konstatoj se ndër vende të vogla e të vorfna trup-e shpirt, gjanat nuk mund të kullohen mbrenda harkut biologjik të autorit. Mbase asht ky edhe rasti im. Dyshimet janë klima e moshës time. Ata na mbajnë dhe na ngushëllojnë. Rinia nuk ka fuqi me dyshue. Ajo sulmon vetëm.

Kush është Primo Shllaku?

Unë kam tri vete: atë që unë mendoj se jam; atë që mendojnë të tjerët për mue dhe atë që jam objektivisht. Pra, çkado që të them, jam minoritet në krahasim me objektivitetin dhe shoqninë. Asht mirë që unë i përgjigjem emnit tim, kur më thërret dikush në rrugë.

Çka mendoni se mund t’i ndreqni kësaj bote?

Jam absolutisht i paaftë me ndreqë diçka në këtë botë të lashtë e të paftyrë. Ata që janë përpjekë me ba diçka kanë dështue me sukses. Mbase na mbetet me ba dëshmitarinë se kemi kalue nëpër këtë botë dhe se kemi qenë këtu nga datëlindja deri tek shifra e dytë. Dëshmitaritë individuale përbajnë atë që do ta queja forca transformuese e shoqnisë. Pra, jemi minoritete me emën, para maxhorancave anonime. Nji mekanizëm dëshpërues dhe i pakapshëm për shumëkënd. Por bota kështu ka ardhë deri këtu: me mizorinë e saj dhe me nanë Terezat e saj.

Zgjedhjet personale kanë randësi dhe nëse duhet të bajmë diçka shpejt e pa firo, asht t’i mësojmë njerëzit ta dinë se ekzistojnë dhe, kësisoj, të bajnë zgjedhje të duhuna.

ObserverKult

Kliko edhe:

ÇOLLAKU: NUK E KAM PYETUR NDONJËHERË VETEN NËSE EKZISTOJ APO JO
LINDITA KADRIU: BOTA DUKET AQ E BUKUR SA DUAM TA SHOHIM