Primo Shllaku: Fundi i k’saj vere

lule në dëborë, poezi nga primo shllaku
Primo Shllaku

Ajër i palëvizun
dhe erna të mshefta
që bajnë me mërdhitë ujnat e fundit të kësaj vere.
Gjinkallat sharrojnë zhegun e lodhun,
ndërsa plepat djalosharë bisedojnë atje në majë,
me gjuhën e ndonjë gjethi që s’mbshet ma.
Dhe shtati i tyre avullon nëpër zhegun
me sytë e picërruem
Pjesazhet janë ba të pjerëta
dhe malet janë ngjitë në qiell me lehtësi shpijake,
ndërsa syni i reshkun kërkon pemët e fëminisë,
hijet e përhershme
dhe ujnat e fundit të kësaj stine.
Gjithçka shtihet përpara
nën dorën time që s’mund të zgjedhë
dhe hija e saj fort i përngjet
melankolisë dhe urave të saj që më lidh me botën.
Një diell mizor
që ka zenë vend tamam mbi lëkurën time të pambrojtun,
ma thith nga mendje karvanin e duerve të sime shoqje
që shkojnë të lahen ndër brigjet,
ku reh vala e gjakut tim.
Kjo dritë e fundit të verës
që sytë e si depërton,
më rrzon në shpinë,
më ngroh, më pështjell me nji lbyrje të madhe e të gjatë,
që mue më topit si një dashuni e re
e ndryshme dhe e pa përmbajtshme.