Një pikturë me motive nga Prishtina e realizuar nga artisti Besnik Xhemaili është në mesin e 50 veprave të artit që janë ekspozuar në Muzeun Vietnamez të Arteve të Bukura. “Prishtina”, vepra e artistit kosovar, është ekspozuar në kuadër të ekspozitë “Da Dien (Polyhedra)” që sipas organizatorëve, shfaq anët e ndryshme të jetës. Ekspozita në kryeqytetin vietnamez Hanoi, ka bërë bashkë artistë të njohur vietnamezë, por edhe të vendeve të tjera.
Muzeu Vietnamez i Arteve të Bukura, është institucioni kryesor i Vietnamit sa i përket kësaj fushe. Shumica e veprave të ekspozuara janë të shekullit XX. Muzeu po ashtu ka në koleksionin e tij edhe veprat të shekullit XXI, përfshirë ato të artistëve që eksplorojnë botën e artit abstrakt dhe impresionizmin. Në mesin e artistëve vietnamezë që ekspozojnë në “Da Dien (Polyhedra)” janë Nguyen Manh Hung, Chu Viet Cuong, Duong Tuan, Nguyen Huan, Nguyen Cong Hoai, Nguyen Minh (Fat Minh), Doan Hoang Lam, Tao Linh, Khong Do Duy, Bui Hoang Duong and Pham Tuan Phong. Pjesë e ekspozitës përmes veprave është edhe mjeshtri i akuarelit, artisti vietnamez Tran Huy Oanh. Prej atyre jashtë Vietnamit janë edhe Igors Gaivoronskis nga Letonia dhe Helidon Haliti nga Shqipëria. Artistët ndërkombëtarë, përfshirë edhe artistin kosovar Besnik Xhemaili, për shkak të pandemisë, nuk kanë qenë pjesëmarrës në hapje të ekspozitës që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 8-të të këtij muaji. Por, sipas të dhënave të Muzeut, veprave të ekspozuara mund t’u zgjatet koha e qëndrimit në dispozicion të publikut, transmeton ‘koha.net’.
Xhemaili nuk është i panjohur për publikun vietnamez. Në të njëjtin vend tash e dy vjet ka të ekspozuar pikturën “Tulip”. Muzeu kishte vendosur që ta blinte pikturën pas ftesës që i kishte bërë artistit për të demonstruar teknikën e tij të akuarelit në një organizmin artistik.
Artistja vietnameze, Nguyen Minh, e cila po ashtu është pjesëmarrëse në këtë ekspozitë, ka thënë se ekspozita është një pikëtakim për artistët dhe sjell këndvështrime të ndryshme mbi jetën.
“Pandemia ka ndikuar në jetën dhe kreativitetin e artistëve. Ne kemi pasur më shumë kohë për të menduar në lidhje me jetë, për t’u dhënë shkëlqim veprave të artit dhe për të shtuar kreativitetin”, ka thënë për median “Vietnamnet”.
Artisti Besnik Xhemaili, ka treguar se në ekspozitë ka dashur të paraqitet me motive të kryeqytetit kosovar. “Pra subjekti është konkret, pamja e qytetit tonë e trajtuar me teknikën e akuarelit”, ka thënë ai për pikturën e realizuar gjatë periudhës së karantinës. Ka shtuar se bashkëpunimi ka ardhur si një projekt përzgjedhës i artistëve me të mirë ndërkombëtarë në teknikën e akuarelit.