- Agim Deva qe jo vetëm një krijues i shquar në letërsinë shqipe për fëmijë, por edhe studiues i palodhur i kësaj fushe me botimet: Romani ynë për fëmijë (1977); Poezia shqipe për fëmijë, 1872-1980 (1982); Fjala e përjetimi (1983) etj.
Te studimi për romanin ai u përqëndrua dhe mori në analizë njëzet romanet e para për fëmijë të shkruara deri në atë kohë në Kosovë. Më tej, në punimin për poezinë, përmasat zmadhohen si në anën sasiore, ashtu edhe në atë cilësore. Për herë të parë aty kryhen studime ku letërsia shqipe për fëmijë merr në konsideratë veprat letrare të prodhuara si komb, pra e unifikuar, e njësuar. Kjo përbënte një vlerë dhe një shembull për t’u ndjekur në kohët që do të vinin. Në vëllimin e tretë janë përmbledhur recensione e vlerësime me të cilat janë përcjellur vepra bashkëkohore të LPF, të botuara gjatë atyre viteve në Kosovë, në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoni e në Mal të Zi.
Nga Prof.As. Dr. Astrit Bishqemi
Rëndësia e analizave serioze e të vëllimshme që përmendëm, rezultat i një pune të përkushtuar, mund të ravijëzohet në disa anë. Por më kryesorja është fakti se Agim Deva u hyri këtyre studimeve fundamentale në një kohë kur mungonin përvoja monografish të tilla. Si përmbledhje studimesh në botime të veçanta deri atëhere numëroheshin vetëm B. Dedja Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë (1971), si dhe dy përmbledhjet me kumtesat e simpoziumeve kombëtare për LPF, mbajtur në Tiranë, më 1974 dhe ’75.
- 1. Vlera e parë e analizave të Devës, për mendimin tonë, qëndron te metoda e studimit, te mënyra e qasjes ndaj veprave artistike për fëmijë. Vëmendja nuk përqëndrohet te autori i veprës, te shkrimtari, por te produkti i tij, te teksti letrar.
Veprat artistike që merren si objekt analize, qofshin këto romane në monografinë e parë apo përmbledhje poetike në të dytën, nuk studiohen një nga një në formë reçensionale, por sipas problemeve që ngërthejnë. Edhe te “Fjala dhe përjetimi” çdo vepër letrare studiohet duke pasur si strumbullar një problem të veçantë që është më evident në të. Dhe kjo shentilon qysh në titullin e punimit, për shembull: Kur gjallesat rrojnë jetën e fëmijëve (G. Bushaka “Përralla të zgjedhura”) etj. Veç kësaj, studimet hartohen duke e ndarë problemin kryesor me dy-tri a më shumë nënçështje: a) Motivacioni i personazheve, b) Takti i matur pedagogjik, c) Fluksi i porosive, d) Humori, e) Funksioni njohës.
- Gjatë shtjellimit të dukurive artistike, studiuesi jep edhe njohuri teorike të fushës së letërsisë. Për këtë qëllim Deva ka shfrytëzuar literaturë ndihmëse bashkëkohore, perëndimore. Kjo duket jo vetëm te bibliografia e shënuar në fund, po edhe gjatë trajtimit të materialit. Gjithashtu, ai ka pasur njohje të gjerë të krijimtarisë botërore për fëmijë.
- a) Kështu, te romani studiuesi zbërthen dy llojet e strukturave kompozicionale: atë në vijë të drejtë dhe atë të gërshetuar. Ngul këmbë për një arkitekturw të rregullt e funksionale. Heton deformime të tilla si hyrje të zgjatura. Psh, Marta Naraçin te novela “Zemër ilire” e qorton për shpërpjesëtime kompozicionale: … udhëtimi i plakut Kliton me nipin e tij zgjat aq shumë sa kap gati gjysmën e novelës…[…] Edhe konflikti (intriga) nuk e ka forcën e duhur dhe zgjat shkurt…(Fja.120).
Te poezia shënon se vargu i gjatë është torturë për lexuesin e vogël. Në sipërfaqen e madhe mendimi sikur e humbet lartësinë e vet (Poe.481);
- b) Si kreu II i “Romanit…”, ashtu edhe kreu X i “Poezisë…” mbajnë tituj të njëjtë: Kriteret pedagogjike-letrare. Në to efektet e letërsisë artistike Deva i kategorizon në tri aspekte: I – edukativ; II – njohës-arsimor dhe III – zbavitës.
Karakteri edukativ përfshin edukatën e punës, atdhetarizmin, edukimin estetik dhe moralin që transmetohet nëpërmjet një krijimi letrar. Kur trajton edukimin estetik përmes letërsisë për fëmijë, Deva fut një dukuri të re, një koncept të ri, atë të simetrisë, e cila sipas tij shprehet në dy forma: A – në trajtën e peizazhit (te “Rrasa e zogut” e Kukajt rrjedh një lumë dhe ngjarja zhvillohet në të dy anët e tij; lumi këtu është një bosht material veprimi) dhe B – të simetrisë së veprimit (te “Pas kthimit” e Kadriut një pjesë e fatit fëminor të Fidanit reflektohet në të njëjtën mënyrë në një pjesë të fëminisë së Cenit: ata të dy braktisin shtëpitë e tyre dhe gjenden në mjedise të huaja…)
Si dukurinë e tragjikes ashtu edhe gjuhën e veprës studiuesi i vështron sipas kritereve pedagogjike. Për tragjiken kërkon që ajo të jetë e kuptimësuar. Vdekjet dhe llojet e tjera tragjike, siç është p.sh. tortura, te fëmijët nxisin një qëndresë të brendshme. Duke lexuar libra me ngjarje të tilla, të vegjlit forcojnë botën e tyre emocionale. Veç, si në prozë, ashtu edhe në poezi, studiuesi këshillon që ngjarjet tmerruese të Luftës të trajtohen me kujdes.
Deva ndalet gjatë për gjuhën në veprat letrare. Ai shprehet: …gjuha e shkrimtarit duhet të jetë letrare, sepse përfaqëson kulturën e tij intelektuale e shpirtërore, gjuha e personazheve është e kthyer kah një liri më e madhe e shprehjes, kah origjinaliteti i të shprehurit të saj, dhe vetëm në këtë mënyrë ajo mund të dalë gjuhë e tipizuar. Mirëpo në letërsinë për fëmijë preferohet që edhe gjuha e personazheve të jetë gjuhë e kulluar, e pastër, gjuhë letrare. Pse? Sepse fëmijët janë në formim e sipër jo vetëm të karakterit të tyre, por edhe të vetë pasurimit leksikor të gjuhës të cilën e kultivojnë (Fja.62).
Karakterin zbavitës në letërsinë për fëmijë e synon nëpërmjet dy faktorëve: lojës dhe humorit. Humori, vlerëson studiuesi, i jep artit elasticitet e ngrohtësi. Atë mund ta klasifikojmë në disa mënyra: duke marrë parasysh masën me të cilën paraqitet (mbulon gjithë sipëfaqen e krijimit letrar apo është i pjesëshëm), nga motivi që e nxit (naiviteti fëminor, shpërpjestimet logjike të realitetit) etj. Studiuesi përbuz humorin artificial.
- c) Te gdhendja e personazheve sqaron dukurinë e idealizimit të tyre, duke kritikuar Gjergjin te romani “Agimi” i Maksut Shehut, Gazmendin te “Agimet e kaltra” i Qamil Batallit, Mirushen te “Sarajet e bardha” i Vehbi Kikajt etj.
- d) Analizon një për një përdorimin e figurave stilistike, si në poezi ashtu edhe në prozën e gjatë. Jep jo vetëm dallimin e tyre në krijimet për fëmijë nga letërsia për të rritur, po bën edhe njëfarë klasifikimi. Madje, kritikon tropet e konceptuara jodrejt nga poetët tanë. Psh. Vehbi Kikaj dëshmorin Ferit Grezda e pajis me epitetet bilbil dhe zog i qiellit. Epiteti i parë, vëren studiuesi, do të ishte më i qëlluar për një këngëtar të mirë, ndërsa i dyti nuk është karakteristikë e një akti heroik! (430).
Vëren se …metafora shfaqet më rrallë në poezinë tonë për fëmijë, sepse fëmijët e kanë më lehtë të thonë p.sh ‘Ishte trim porsi luan’ sesa ‘Ishte trim luan’ (Poe.431);
…personifikimi është tropi më i dashur i fëmijëve (Poe.435);
Onomatopeja është njëra ndër figurat më të pranueshme stilistike jo vetëm në poezinë tonë për fëmijë, por në mbarë botën (Poe.444).
Deva vlerëson befasinë dhe enigmën në krijimet letrare për të vegjlit. Po kështu, konstaton se nën ndikimin e gjëegjëzave, në letërsinë tonë për fëmijë ka lindur edhe një zhanër tjetër i poezisë së kultivuar, vjersha enigmë. Shembull për të sjell krijimin e Kikajt “Vajza me fustan të bardhë”, ku tregohet për një çupë shumë të përkëdhelur e kryeneçe dhe lexuesi vetëm në fund të vjershës merr vesh se bëhet fjalë për një… manekin vitrine.
- e) Analizon kujdesin e shkrimtarëve për titullin e krijimit letrar, qoftë ky për një vjershë apo tregim, qoftë poemë, novelë a roman, sepse ai është kontakti i parë me lexuesin. Parashtron disa kërkesa për të (të jetë intrigues, të paralajmërojë për temën, për përmbajtjen e veprës, për fabulën reale apo fantastike, për vendin, kohën, për florën a faunën etj.) dhe kërkon që ai t’i përkasë botës fëminore.
- f) Përdor metoda matematikore në ilustrimin e shumë dukurive artistike. Kësisoj, kur bëhet fjalë për dukurinë e tragjikes, merret si shembull poema e Alqi Kristos Shpendi me temë nga Lufta Antifashiste. Një fragment i saj, me tortura që armiqtë i bëjnë djaloshit në burg, përcillet në grafik interesant për emocionet që përjeton lexuesi i vogël gjatë leximit.
- Deva ndjek me vëmendje dinamikën e procesit tonë letrar. Është vëzhgues i mirë i zhvillimeve që përjeton në rrjedhë të kohës poezia jonë për fëmijë, duke nuhatur e hulumtuar dukuritë e reja bashkëkohore. Në këtë mënyrë jep ndihmesë për historinë e LPF.
- a) Ai bën vëzhgime për trajtimin sasior e cilësor të temave të veçanta:
– Tema e Luftës Antifashiste zë vend të rëndësishëm, si në prozën e gjatë, ashtu edhe në shumë krijime poetike.
– Fëmijët dhe familja është një tjetër fushë e parapëlqyer. Motive të tilla zënë vend te romanet “Sarajet e bardha” i Vehbi Kikajt, “Pas kthimit” i Ibrahim Kadriut apo “Agimet e kaltra” i Qamil Batallit, po edhe në krijime të shumta poetike për nënën, babain, gjyshen (“Në familjen tonë” të B. Dedjes, etj.)
– Flora e fauna zënë vend të dukshëm si në prozën e gjatë për fëmijë, ashtu edhe në krijimtarinë poetike adresuar atyre. Madje, Ymer Elshani edhe miun e bën një krijesë sharmante e simpatike…
Apo edhe më në imtësi:
Numri i atyre që i kushtuan vargje Skënderbeut është shumë i madh e për fat të keq është i vogël numri i vjershave kualitative (Poe.169);
Vjershat për nënën janë numerikisht të shumta… Veç… mos ndoshta na del ngapak e idealizuar figura e saj? (Poe.291);
Me vjershën e Vehbi Kikajt “Ti dëborë ke mbuluar shtigjet” tematika e mërgmit në poezinë tonë për fëmijë nga aspekti artistik shënon një ngritje rapide (Poe.77).
Këto hulumtime zhvillohen jo vetëm te poezia, por edhe te proza.
- b) Bën vëzhgime për dinamikën artistike e estetike të tekstit:
Guranjaku është njëri prej të rrallëve që sadopak do të bëjë përpjekje të reja për ta bërë skemën tonë rimore sa më heterogjene (Poe.469);
Poezia e Hilë Mosit për fëmijë në vitet ’20 krijoi një akord specifik, i cili bëri kthesë të madhe në jehonën poetike të kohës (Poe.493);
Poezia jonë për fëmijë e viteve ’30 nuk shfaq interesim të veçantë për edukimin estetik të të vegjëlve,…(Poe. 263);
Hapin vendimtar drejt pasurimit leksikor të poezisë sonë për fëmijë e bëjnë krijuesit e viteve ’50 e ’60,…(Poe.450).
– Për lojën vlerëson: …me manifestimin e lojës poezia jonë për fëmijë hyn në një etapë të re të autonomisë kreative,…(Poe.388).
- c) Pozitiv është fakti që shpesh studiuesi jep udhëzime e këshilla me vlerë për ta përmirësuar poezinë tonë për fëmijë në të ardhmen, sugjerime që konsistojnë si për tematikën, trajtimin e saj, për përdorimin teknik të strofës etj. Psh:
Në përgjithësi, babai në poezinë tonë për fëmijë ka portretin e vet të qartë, që është shumë më real se portreti i nënës, por fitohet përshtypja që në këtë portret ka mjaft vend që të punojnë “piktorët” e rinj. Mbetet të thellohet në të sidomos momenti psikik. (f. 295);
Del detyrë të krijohet gjyshi social i kohës (Poe.299);
Strofa safike meriton të kultivohet edhe më tej (Poe.458) etj.
Sugjerimet mund të jenë edhe më specifike, për një autor të caktuar. Fjalavjen, për Abdyl Bunjakun, kur analizon pjesët teatrore të vëllimit “Ndarja e roleve” (Fja.53), thekson se autori duhet t’i largohet dialogut banal, të zakonshëm, të rëndomtë e të synojë atë poetik, me bukuri fjale, mendimi e kumbim.
- Studiuesi në vazhdë të punimeve të tij portretizon poetët e shkrimtarët për fëmijë. Në këtë mënyrë vendos edhe një hierarki.
- a) Midis krijuesve vlerëson ata që sjellin të renë. Heton karakteristikën më të fortë në krijimtarinë e një autori, qoftë kjo në tematikë apo në artin e tij, në moshën së cilës i adresohet: Anton Berisha: … i këndon botës përmes një intonacioni popullor (123);
Mark Krasniqi: bota florike-faunale, koncepti personifikues;
Rifat Kukaj: do të botojë romanin “Minaku i përhimtë” duke dëshmuar se ky autor përfaqëson vendin më kryesor në romanin shqip për fëmijë (Rom.20).
Vehbi Kikaj gjithësesi mbetet njëri prej poetëve më të fuqishëm (Fja. 35);
Gani Xhafolli angazhohet haptas për një shprehje moderne (Fja.220) etj.
Devën e entuziazmonte çdo botim i ri që pasuronte radhët e krijuesve tanë. Ndaj autorin mundohej ta mirëpriste, t’i uronte mirëseardhjen, t’i vinte në dukje anët pozitive të krijimit, ta orientonte për të gjetur veten, zhanrin e llojin letrar ku duhej t’i derdhte energjitë në të ardhmen. Botimet e radhës studiuesi i vështron dhe i vlerëson në dy plane: si për vendin që zinte vepra në krijimtarinë e vetë autorit, ashtu edhe në kuadër më të gjerë, në letërsinë për fëmijë. Ai njeh mirë potencialin e secilit krijues dhe kërkon nga çdonjëri maksimumin e shprehjes e të përpjekjes në krijimtari. Kështu, fjalavjen, te B. Dedja: poemthi “Tregim për lepurushkat trime…” përkah niveli artistik dhe estetik nuk qëndron në nivelin e poemave të tjera të këtij krijuesi…(Poe.354).
Studuesi heton edhe ndikimet e njërit krijues nga një tjetër, brenda vendit apo edhe i letërsisë botërore për fëmijë.
- b) Hierarki për tema, zhanre e gjini të veçanta, duke evidentuar arritjet më cilësore:
Në poezi: Vjersha e Vehbi Kikajt “Ecjen e mësoi prej lumit” është njëra ndër poezitë më të bukura kushtuar dëshmorëve, (Poe.200); “Në familjen tonë”e B. Dedjes është ndër krijimet tona më të sukseshmet, ku këngëtohet puna (Poe.258);
Te poemat: “Posta e porositur” e Mark Krasniqit ka karakterin e një përralle moderne (Poe.156); Njëra ndër poemat më të fuqishme me temë të Luftës NCL është ajo e Rexhep Hoxhës “Krahë zjarri mbi tokë nartirësh” (Poe.222);
Te romanet apo përmbledhjet e tjera në prozë a poezi: Vëllimi “Përralla të zgjedhura” i Gaqo Bushakës mbetet njëra ndër veprat më të rëndësishme të prozës sonë për fëmijët e moshës më të ulët (Fja.139 ); “Klasa e çapkënëve” e Bunjakut është njëra nga realizimet më të mira të dramaturgjisë sonë për fëmijë (Fja.59).
- Deva ka gjykimin e vet autoritar, të pavarur nga ai i të tjerëve. Gjithashtu, kritikon me guxim qytetar qoftë lajthitjet e krijuesve, qoftë edhe nivelin e ulët artistik të krijimtarisë, pa marrë parasysh hatërmbetjet. Por ai është edhe polemik. Ka patur raste që një vepër është kritikuar në Republikën e Shqipërisë, por mendimi i Devës është i painfluencuar nga ai vlerësim socrealist. Bie fjala, novela “Pranvera e madhe” e Sotir Andonit u kritikua rëndë, kurse në analizën e Devës vlerësohet mjaft: Pa dyshim, novela e Sotir Andonit “Pranvera e madhe”, është njëra ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë për fëmijë (Fja. 99).
Madje, Deva kritikon jo vetëm krijime, po edhe ndonjë studim kur konstaton lajthitje gjykimi. Psh: Muzafer Xhaxhiu e hedh poshtë funksionin e onomatopesë… Ai s’do mend se ka hyrë në një terren të cilin nuk e njeh sa duhet… Gjithë ata që mohojnë onomatopenë, gabojnë (Poe.444).
Akademiku Bedri Dedja pati bërë një periodizim të përgjithshëm për letërsinë shqipe për fëmijë. Por Deva polemizoi duke gjykuar se ai periodizim nuk merrte parasysh krijimet letrare për fëmijë të shkrimtarëve shqiptarë jashtë territorit të RPSH, në ish-Jugosllavi (Poe.25). Atëherë Dedja, duke iu larguar edhe kriterit politik, pas rrëzimit të Diktaturës bëri korigjimet e nevojshme në Periodizimin e vet.
Objekt i kritikave të Devës bëhen aspekte të ndryshme të krijimtarisë, si:
- a) Realizimi artistik i krijimeve: Në poemën “Gaveta partizane”, Grilloja sikur kënaqet vetëm me skicimin e veprimit e nuk ka ambicje më serioze që poemës së vet t’i japë intensitet përmes gdhendjes së personazheve, përmes thellimit të botës shpirtërore. (211)
- b) Gjuha me të cilën shkruhen krijimet, gjuhën e autorit, si dhe të personazheve veprues. Ai e kritikon Abdyl Bunjakun që në pjesët e tij teatrore nuk i kushton vëmendjen e duhur këtij aspekti: …gjuha në to na del plot dialektalizma, provincializma, arkaizma e ç’është më e rrezikshme shumë shpesh Bunjaku përdor vulgarizma të ndryshme si psh. budalla, hutaq, i çmendur, pështjellaq etj. (Fja. 62-63)
- c) Ana ideore e pedagogjike e krijimeve: Në përrallën e Gjergj Zhejit “Çupa e trëndafilave” ka shumë momente të diskutueshme: …b) fejesa e foshnjes nuk akuzohet;… ç) a nuk është e trishtueshme skena kur motra e keqe ia nxjerr vogëlushit të dy sytë… (153).
- d) Informacioni i gabuar shkencor që sjellin: Vehbi Kikaj te vjersha “Leka i Madh kishte një hall të madh” në një varg thotë: “I erdhi dita e pleqërisë…”, e Leka i Madh ka vdekur i ri (271).
- e) Titujt e pagoditur të krijimeve: Titulli “Pleshti” i Dritëro Agollit më shumë e dëbon sesa e afron lexuesin kah libri… (359)
- Duhet vlerësuar te Agim Deva ligjërimi shkencor, poetika e shprehjes me diamante metorash, psh:
Ndër të parët që pas Lufte do ta ngrejë gishtin për lojë është Josip V. Rela, i cili…(Fja. 384);
…një numër i madh krahasimesh merr frymë me mushkëritë e etnosit tonë (Poe.423);
Pa konflikt tregimi nuk mund të dallgëzohet… (Fja. 195);
Shpesh studiuesi e njom shprehjen e vet edhe me ndonjë fjalë të urtë latine, si: Betohem me fjalën e mësuesit; Prej secilit dru nuk mbarohet statuja e Mërkurit; etj.
III. Profesorin Agim Deva nuk e idealizojmë.
- Si gjithë krijuesit e studiuesit e kurajës së tij, edhe ai i paguan haraç socrealizmit. Kjo dëshmohet në qëndrimet që mban aty-këtu ndaj religjionit apo në karakterin edukues të letërsisë për fëmijë, që shikohet strikt e parësor. Kësisoj, për shembull, nocionin shkrimtar Deva e lidh ngushtë me nocionet edukator, mësues, udhërrëfyes. Dhe efektet, funksionet e letërsisë, të cilat ai i studion në kapituj të veçantë, siç thamë, i karakterizon në tri aspekte. Vërejtja jonë është që këto kritere duheshin klasifikuar në rend të përmbysur: në vend të parë duhej vënë karakteri zbavitës, pastaj ai njohës dhe, së treti, karakteri edukativ.
- Në ndonjë rast hetojmë pasaktësi a lajthitje të ndryshme. Psh:
Te titulli i librit të dytë, Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), piketa fillestare e harkut kohor duhej të ishte paksa më e hershme. Studiuesi sqaron se viti 1872 është marrë si fillim i poezisë shqipe për fëmijë, sepse në atë vit Kristoforidhi ka botuar “Abetaren” e vet, ku ndodhet vjersha “Ylli i vogël lart në qiell”. (Nën shëmbullin e Devës arsyeton e vepron 15 vjet më vonë edhe prof. Grilloja në lexikonin e vet, kur e titullon “Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë, 1872-1995”). Por abetarja e Kristoforidhit gjendet e botuar në tri variante, ndër të cilat vetëm njëra ka në ballinën e saj vitin e botimit, 1872. Dhe, siç është vërtetuar nga studiuesit tanë, dy tekstet e tjera, të cilat gjithashtu e përmbajnë vjershën në fjalë, janë më të hershme, të vitit 1866 apo 1867. Nuk është puna këtu se e zmadhuam domenin e poezisë shqipe për fëmijë duke e shtyrë gardhin edhe 5-6 vite më tutje, por, siç sqarojmë edhe në shkrimet tona të tjera për këtë problem, hedhim dritë në disa aspekte me interes studimor.
Pasaktësi tjetër? Që të kërkosh ndihmën e matematikës për të interpretuar dukuri të teorisë së letërsisë, është gjë e mirë, veç atë duhet ta zotërosh e ta zbatosh siç duhet, ndryshe “mbretëresha e shkencave” është ca nazike të të pranojë paraqitje grafike të prerjes së bashkësive për atë të planeve (Poe.184).
- Konstatojmë se studiuesi sikur nuk operon me konceptet “letërsi për fëmijë” dhe “lexim për fëmijë”. Duam të themi se në ndonjë rast Deva inkuadron në domenet e LPF vepra që nuk i përkasin posaçërisht kësaj fushe: Ll. Siliqi, poema “Mësuesi”; I. Kadare “Shpjegim për librat Besianës së vogël” dhe poema “Sekretari”; D. Agolli “Balada e Rrush Rushitit” apo edhe poema “Pleshti”; “Këngët e maleve” dhe “Kënga e maliherit” e Fatmir Gjatës…
- Thamë fjalë të mira për gjuhën dhe stilin e studiuesit. Megjithatë, mund të bënim ndonjë qortim për përdorimin e shumë fjalëve të huaja nga Deva, të tilla si: delikuent, akcentruar, definim, labilizon, enterierit, absorbuese, hiperproduksion, rapideetj.
- Përfundim: Agim Deva pati jetë të vrullshme si studiues, krijues e veprimtar. Veprës së vet i dha jetëgjatësi. Studimet e kritikat e tij dëshmojnë për kulturë të lartë letrare, lidhen ngushtë me procesin e krijimit letrar, kanë ngjyresa kritike e polemike dhe i lagohen ca metodës socrealiste. Ndaj edhe sot e kësaj dite, ato e ruajnë freskinë dhe ne ende kemi se ç’të mësojmë. Ato janë një kontribut me vlerë e një ndihmesë për krijuesit, për studiuesit e fushës së teorisë e të historisë së LPF, për mësuesit e më gjerë dhe e vendosin Devën në piedestal, si njerin nder studiuesit më të talentuar të letërsisë shqipe për fëmijë.
Neve na del detyrë që të përqokim nga periodiku (1983-2009) shkrimet e tjera të Devës dhe t’i botojmë në një përmbledhje postume.
ObserverKult
lexo edhe:
Mehmet Kraja: Për Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes
Gabimet që i bëjnë shumica gjatë përdorimit të përemrave pronorë
Sabri Hamiti: Skënderbeu në parajsë
Borges: Të vetmin ngushëllim që kam është: të di se nuk do të vazhdoj të jem më