Sabri Hamiti: Skënderbeu në parajsë

sabri hamiti nanës

Nga Sabri Hamiti

Pse lexohen klasikët nacionalë në kohë të vështira, është pyetje që shtrohet përpara dhe përgjigja më e thjeshtë do të dukej: për të rinjohur kohët. Ngase kohët përsëriten, i ngjajnë njëra-tjetrës, pa marrë parasysh rrethanat, po edhe pse klasikët në veprat e veta shfaqin veti themelore të nacionit, situata karakterizuese, që nuk i takojnë vetëm një kohë; sepse idetë themelore të veprave të tyre riprovohen edhe në vazhdimësi, qofshin ato lavde apo kritikë për kombin.

Gjergj Fishta më 1914 e shkroi një satirë të fuqishme politike me titull Nën hajat të Parrizit. Të përkujtojmë se është koha kur, mbas luftash ballkanike, një pjesë e trojeve shqiptare shpallet Shqipëri, kurse pjesa tjetër mbetet e robëruar.

Në hajat të Parrizit bëhet një Bisedë, ku marrin pjesë Shën Pjetri, Djalli, dhe Skënderbeu. Shën Pjetri habitet se si shqiptarët një kohë të gjatë nuk trokasin në derë të Parajsës, duke medituar se këta ose “kanë dalë faret” ose “ janë çoroditë krejt”. Dron se shqiptarët i kanë pushtuar: krenia e madhe, tradhtia, koprracia, rrena …Këtë drojë e ka edhe Skënderbeu, i cili don të dalë nga Parajsa për të zbritur dhe për të njohur situatën në Shqipëri, sepse ka marrë lajmin që Shqipëria “ka dalë Shtet më vedi”. Aty kalon  Djalli, që i di të gjitha, edhe pse i hutuar: “Sod janë ba gjindja me marrë meç edhe Djallin”. Ai shpjegon kasaphanën ballkanike dhe ngatërresat ballkanike, duke theksuar arsyet e tyre që janë:Diplomacia dhe Evropa, e para bija e Djallit, e dyta gruaja e Djallit. Skënderbeu i kërkon njoftime Djallit për Shqipërinë e për shqiptarët, ndërsa ky vështirë pranon se ka shqiptarë, por mbas një insistimi tregon se ata janë: “Si i don anmiku”. Këtë karakterizim Djalli e shpjegon duke treguar se malazezi, serbi, greku e bullgari ua kanë marrë tokat ; disave greku e sllavi u kanë dhënë pak para dhe ata kanë rënë në gjumë; më në fund “erdh Shkjau me dajak e ua xuer gjumin”. Klithjes së habitshme të Skënderbeut Djalli i përgjigjet me shpjegime, se mbas katastrofës ballkanike, Evropa hyri ta ndalte luftën, u mblodhën krerët në Londër dhe mbetjen e Shqipërisë nga sllavi e greku e ngritën në mbretëri më vete. Shqiptarët i kapi zekthi i atdhedashurisë,secili do të bëhet princ, secili do të ketë një qeveri të përtashme; të marrët punojnë, teveqelat bërtasin Rroftë Shqipëria, të mençmit rrijnë nën hije duke u qeshur me të tjerët e diçka shkruajnë me të huajt.

Pyetjes së Skënderbeut se a do të ketë Shqipëria një mbret të vetin, Djalli i përgjigjet njëqind; se nuk gjen njerëz me ndëgjue, çdokush don të bëhet mbret, vetëm të mos ndëgjojë; Shqipëria ka tepër atdhetarë. Kur Skënderbeu kërkon të dijë nga Djalli se a e përmendin në Shqipëri, ky i përgjigjet se e kanë emrin e tij në libra, por nuk e di a e kanë në zemër.

Përfundimin e kësaj bisede të rëndë ndërmjet Skënderbeut dhe Djallit në hajatin e Parajsës e ndërpret apo e përfundon Shën Pjetri me një shpresë plot ironi: “për inat të Djallit e të Shqyptarëvet, Zoti ka me e mbajtë Shqypnin më kambë me nder e me lumni”.

Biseda e Gjergj e Fishtës Në hajat të Parrizit, fillon me një drojë të Shën Pjetrit për shqiptarët dhe mbaron me një shpresë  të tij për ta, por të artikuluar ironikisht; kurse thelbi i kësaj bisede është një realitetshqiptar i kohës, i artikuluar nga Djalli, në të vërtetë i zbuluar në dialog me Skënderbeun. Personazhet e kësaj vepre: Shën Pjetri, Djalli e Skënderbeu janë marrë si figura kategorike të kanonizuara në moralin fetar, apo në moralin atdhetar, si shenja kuptimore të përfunduara, në mënyrë që intenca autoriale, domethënia e tekstit dhe tendenca e autorit të jenë më të kapshme për shtresat e ndryshme të lexuesit shqiptar të kohës së tij dhe të kohëve në vijim. Teksti në tërësi ka një porosi morale të fortë, e cila lidhet më parë me temën e atdhetarisë, duke e kaluar këtë temë nëpër variacionet e nivelit të tekstit me status satirik. Kritika shqiptare e Fishtës ka synim të jetë dyfish funksionale . Herën e parë për shkak se kritikon rreptë veset e shqiptarëve dhe mospërkushtimin e tyre ndaj atdheut, herën tjetër don të bëhet e bindshme  dhe e besueshme, sepse është thellësisht e motivuar dhe në të njëjtën kohë e shkruan autori që e kishte bërë kult heroizmin dhe lavdin shqiptar në veprën e tij Lahuta e Malcis.

Pra, ndërmjet drojës së Shën Pjetrit se shqiptarët e kishin humbur Parajsën dhe shrpesës së tij se Zoti do ta shpëtonte Shqipërinë, ku sipërtheksohet një kanonizëm moral e fetar, është dialogu i Djallit me Skënderbeun, ku shpalohet realiteti i jetës shqiptare në tokë, me hijet e veta të zeza. Aty janë vënë në një katalog të zisë veprimet shqiptare, të cilat nuk ua premtojnë atyre shpëtimin kombëtar, historik, hapsinor e ekzistencial. Shqiptarët i kanë humbur tokat; shqiptarët nuk mund ta zgjedhim prijësin dhe qeverinë e përbashkët; shqiptarët shiten për pak para  përpara të huajve dhe tradhtohen e munden nga ata; shqiptarët kanë atdhetari të deklaruar sa që nuk dinë më ç’është atdhetaria; shqiptarët heroin kombëtar Skënderbeun e kanë në fjalë e në libra, po jo në zemra, që do të thotë vetëm si kujtim të rëndë, e jo si përvojë kombëtare për veprim. Këto karakterizime dalin në dialogun e Djallit me Skënderbeun, ku këta e provokojnë njëri-tjetrin si në dialogët antikë, për të përshkruar dhe për të përkufizuar një gjendje e një të vërtetë. Prandaj, formulimi i Djallit se” shqiptarët  janë si i duan armiqt” dhe se “ka Shqipëri e nuk ka shqiptarë, shpreh njëherësh një formulim diabolik dhe një zemërim autorial të Gjergj Fishtës. Ky zemërim nuk është vetëm shpërthim i autorit të heroizmit shqiptar karshi temave të përditshmërisë , por para së gjithash mospëlqim dhe refuzim i llomit të përditshmërisë dhe i një realiteti të padurueshëm shqiptar.

Pa marrë parasysh se situata shqiptare është dhënë në një dialog tepër kundërshtues në nismë, sepse është dialog ndërmjet Djallit që ndjell zinë shqiptare dhe Skënderbeut që synon idealitetin shqiptar, e i pari është referues i realitetit-situata shqiptare e vitit 1914 e dhënë në këtë vepër është tragjike. Relativizimi autorial që bëhet në pasusin e fundit, nëpërmjet fjalës së Shën Pjetrit, duke artikuluar një zbutje dhe një shpresë, e dhënë mbas informatës së zezë të përparshme, del vetëm një ironi e forcuar. Thotë përfundimisht Shën Pjetri:

Shporru more Gjergj këtij. Ky asht mësue me ndjellë zi gjithmonë. Punën e Shqypnis e ka Zoti në dorë; prandej domosdo Shqypnija do të dalë në dritë. Zoti nuk  ban veç se punë të mirë. Per këtë punë, hin në Parriz e mos i qit kujdes vedit per Shqypni; pse, per inat të Djallit e të Shqyptarëvet, Zoti ka me e mbajtë Shqypnin më kambë me nder e me lumni.

Teksti i Fishtës Në hajat të Parrizit e bën të imagjinojë edhe lexuesin e sotëm. Kush është këtu Zoti, që do t’i nxirrte Shqipërinë dhe shqiptarët në dritë, nëse këta nuk e njohin ose e kanë harruar? E Djalli, kush është ky i cili e përshkruan dhe e karakterizon tragjikën dhe mjerimin shqiptar, kur në tekst vetëpërkufizohet si burrë i Evropës dhe babë i diplomacisë së saj, kur këto të dyjat i ndajnë përgjysmë tokat shqiptare mbas një tragjedie luftarake ballkanike.

Shqipëria në lumni, për inat të shqiptarëve të Djallit. Figurë e fortë ironike dhe utopike,. Se liria po u fituaka pa u merituar. Figurë apo vërejtje që tingëllon idhshëm si jehonë edhe sot. Ja pse thashë në fillim se duhet të lexohen klasikët tanë vazhdimisht, sepse idetë e tyre të therin e të këndellin. Jo vetëm kaq.

(Shkëputur nga libri “Tema shqiptare” të autorit Sabri Hamiti, botuar nga “Rilindja”, 1993)

Përgatiti : ObserverKult  

—-

sabri hamiti nanës

Lexo edhe:

SABRI HAMITI: MËRZITJE DASHURIE

Këngët që më mbetën tash i kam për vete
Zëre shungulluese nisin varg të ri
Sa po shlyen bari kujtim çfarë më mbete
I kisha të gjitha të mbyllura në gji

Flutur e bukur dëshirë pranverake
Gjiun tim përpush gaz e helm e mbush
Ja këngë laroshe e blerësi verrake
Sa më vjen pranë më bën hi a prush

Krahun tim zeshkan e mbulon e verdha
Tretem në këngë të ikura në mituri
Dëshira fundore mbeti vel në therra
Valë e shpirtit tim lëkundet përsëri

Në vrap monoton në trok të mërzisë
Vjen ngadalë ëndrra dëshirëplote
Lëkundet ëndja në valë të fëmijnisë
Mes gjirit e lumit flutur sa u kote

Në fluturim ditësh netësh përqafim
Hidhet koka ime ajo tretet ja
Thonë ka vdekur dje varrosur pa nderim
Toka lulethara lehtë mbi varr i la

Këngë të papritura lule të venitura
Bari humb butësinë humbi dashuria
Kush troket në derë në lot të fashitura
Ja fluturon ëndrra dëshirë bukuria

Lulet nëpë kopshte rriten çilen fikur
Ngjyrat e tyre lëshojnë hije vaji
Kam këngë të zjarrta në mbarim korriku
Sa ditë të vala blerim mërzi maji

Sa këngë bleroshe këngë kaltëroshe
Varen sot në telin e kitarës sime
Që e lodhur tepër lëshon tingëllime
Përqafi me dhembje të verdha krahoshe

Të gjithë janë sot në pritje të fundit
Dëshmitarë të këngës sime e lotit
Ajo ishte mike e këngës së mundit
Mike e natës sime e ditës së zotit

Nënë në përqafime vaj vaj më mbush
U poq butësia në kopshtin e vjetër
Nuk jam më zeshkan nuk jam më bardhush
Të shtrihem në gji nga një gjiri tjetër

Të dua më shumë se zeshkanen vashë
Me të cilën desha të bie në tokë
Pritje e lotime përqafime pashë
Në vrapin marroq në rrugën e kotë

Thuaj kush i vodhi fije butësisë
Volli butësinë e vodhi dashuri
Në kujtim qafoj nënë të fëmijnisë
Dorën që nga larg ta puth përsëri

Ja desha të jem edhe më i mirë
Se miku që e desha tepër shumë
Më vërshoi deti sa rrodhi ky lumë
Të bëhem i lirë lidhur në zingjir

E desha ylberin oh në ëndërrime
Ta kthej në njomësi mu si dikur
Ngjyrat e tij u varën pas shpine
Mbeta gojëkyçur mbyllur në qivur

Më fiku ylberi trup i lodhur tjetra
Mendjen time lodh ëndrrën e mashtron
Sot janë përtërirë miqësi të vjetra
Në hijen e syrit që loton shiton

Desha fluturaken ta mbys në ujë loti
Bukurinë e saj ta shpërlaj në lumë
Butësia e hidhur e zezë së koti
Mendjen e lodh ndjenjën e shkrum

Ëndërrime të natës ju keni sy dite
Shponi gjithësinë me tym të zi
Atje nuk jam tash do të jem përsëri
Në ditën e majit në pritje me vite

Ajo mike lehtë zbriti erdhi pranë
As erën as fjalën nuk ia ndjeva dot
Erdhi si një hije që mbulon çdo anë
Iku para diellit e la pa gaz sot

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult