Profesor Jup Kastrati-kujtesa e thellë e historisë së qytetërimit shqiptar

(Në 100-vjetorin e lindjes)

Shkruan: Begzad Baliu

Një vit më parë, profesor Jup Kastrati, i ulur jo në tavolinën e punës shkencore po në një shtrat pushimi, priste miqtë e tij të vjetër e të rinj.

Priste miq të vjetër që i uronin shëndet dhe shërim të shpejtë, dhe miq të rinj: drejtues institucionesh shkencore e arsimore, studiues, gazetarë, regjisorë, editorë etj., të cilët kërkonin nga profesori këshilla, materiale shkencore e mendime të rastit për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së tij, për studimin e veprës së tij, për konceptet e tij mbi gjendjen e studimeve albanologjike, për mundësinë e përgatitjes së ndonjë filmi dokumentar për jetën dhe veprën e tij, për botimin e veprave në dorëshkrim dhe ribotimin e ndonjë tjetre të dalë shumë vjet më parë.

Duke nxjerrë nga dollapi i improvizuar pranë shtratit një vepër të re, që sa kishte parë dritën ndër shtëpitë tona botuese, më pas një dorëshkrim që priste në radhë për botim, një numër letrash e fotografish, që miqtë e tij vazhdonin t’ia dërgonin, një kasetë televizive apo gazetë ditore me intervista, një plan të ri për një vepër a studim dhe përsëri një projekt tjetër për një konferencë shkencore, profesor Jup Kastrati, vazhdonte të bisedonte me miqtë me një kujtesë dhe qetësi të pabesueshme për moshën e tij, si dhe me një rikapitulim të përsëritur: të gjitha këto mund t’i bëni sa të jem gjallë unë!

Pa kaluar shumë kohë, tek po e prisnim kurorëzimin e projekteve tona dhe porosive të tij, në mesin e të cilave edhe këtë përmbledhje studimore, profesor Jup Kastrati na la, më 22 shtator 2003.

I lindur në Shkodër, me 15 prill 1924, profesor Jup Kastrati shkollën fillore dhe gjimnazin klasik e ka bërë në qytetin e lindjes. Ka kryer Fakultetin e Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Ishte një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957) dhe i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore Buletini i Shkodrës dhe Shkodra. Disa herë ishte i nderuar me urdhëra dhe vlerësime të larta shkencore dhe shtetërore.

Në një periudhë prej 60-vjetësh profesor Jup Kastrati ka bërë një punë prej titaniku në fushë të kërkimeve, studimeve dhe sintezave shkencore të albanologjisë.

Mbi dyzet vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se katër dekadash, janë rezultat i kërkimeve të dendura ndër biblioteka dhe arkiva, punë sistematike e studimit të kësaj lënde dhe pjesë e veprimtarisë së tij pedagogjike e studimore.

Në bibliografinë prej rreth 1000 njësish gjenden studime dhe vepra që trajtojnë fusha të shumta të dijes së albanologjisë dhe personalitete të shumta historike, letrare, gjuhësore, kulturore etj.

Vepra e tij sot konsiderohet trashëgimi e jashtëzakonshme e albanologjisë.

Në veprimtarinë e gjithmbarshme të tij shkencore profesor Jup Kastrati ka botuar: traktate, monografi, studime, artikuj shkencorë dhe divulgativë, recensione kritike për vepra gjuhësore, përkthime diturake, bibliografi shkencore të karakterit gjuhësor, redaktime veprash gjuhësore autorësh shqiptarë etj.

Në to, janë trajtuar probleme nga disiplina gjuhësore, letrare, historike, folklorike, etnografike, hulumtuese, shkencore e metodike.

Është e kuptueshme prandaj, pse vepra e tij mund të shikohet nga aspekti personal, prej njeriu diturak, prej pedagogu e studiuesi dhe nga aspekti i shkollës së studimit: metodës, domeneve, nocioneve etj.

Vepra e tij mund të shikohet veç e veç nga këndi i kontributit të tij në fushë të studimit të fonetikës, të historisë së alfabetit, të ortografisë, të leksikografisë, të leksikologjisë, të historisë së gjuhës së shkruar, të dialektologjisë, të morfologjisë, të fjalëformimit, të sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës historike, të historisë së mendimit shkencor ndër dijetarët arbëreshë të Italisë dhe të Greqisë, por edhe në fushë të studimit të filologjisë, të tekstologjisë, të toponimisë, të historisë së albanologjisë, të përkthimeve gjuhësore etj.


Për të ardhur deri këtu dhe për të kurorëzuar veprën dhe jetën e tij, profesor Jup Kastrati ka punuar shumë, është përpjekur shumë, ka kaluar shumë shtigje të vështira jetësore e mendore, ka pasur shumë përplasje me rrethe individuale, kolektive, institucionale dhe para se gjithash politike.

Por, sigurisht që në jetën e tij dhe në këtë rrugë gjashtëdhjetëvjeçare ka pasur edhe përkrahje, vlerësime dhe përshëndetje kolegiale, kolektive, institucionale në Shqipëri dhe në botë, kryesisht ndër studiuesit e albanologjisë.


Studiuesit si profesor Jup Kastrati, në botën e qytetëruar zakonisht quhen personalitete të kulturës kombëtare, ndërsa veprat e tyre quhen monumente të kulturës së atij populli.


Ashtu sikur ndodh shpesh me studiuesit e mëdhenj, jeta e të cilëve me të drejtë mbetet nën hijen e veprave të tyre, edhe jeta e profesor Jup Kastratit, në shumë raste dhe në shumë aspekte ka mbetur nën hijen e vlerësimeve të veprës së tij.

Për dakada me radhë janë vlerësuar studimet e tij, diskutimet dhe kumtesat e tij në konferencat shkencore, ligjëratat e tij në amfiteatrot universitare, veprat e tij të veçanta dhe të përgjithshme.

Studiuesit kanë krahasuar, veprat e tij vetëm me veprat e formatit të madh dituror, që ka trashëguar albanologjia përgjithësisht.

Punimet e tij thonë studiuesit, karakterizohen nga pasuria e informacionit bibliografik dhe e materialit faktik. Ato janë fryt i një pune të gjatë shumë vjeçare, të vëmendshme, këmbëngulëse e me pasion për gjurmimin, përkushtimin e analizës së një mase të madhe botimesh e shkrimesh, për grumbullimin e gjitha të dhënave lidhur me veprimtarinë botu-ese e studimore në fushën e historisë së gjuhësisë shqiptare dhe asaj albanologjike në vise të huaja.

Ato janë një udhërrëfyes shumë i çmuar për albanologët e ardhshëm.
Ato janë vepra të tilla madhore, që zgjerojnë ciklin e veprave kapitale, të dala dy shekujt e fundit.
Ato janë kryevepra të albanologjisë.

Në kurorëzimin e tyre profesor Jup Kastrati ka shfrytëzuar fizikisht veprat albanologjike të gjuhëtarëve tanë dhe të huaj, ka konsultuar mijëra faqe shqip dhe në gjuhë të huaja, ka vlerësuar, interpretuar si dhe ka mbajtur qëndrim objektiv e shkencor ndaj tyre.


Në këto përmasa Historia e albanologjisë dhe një varg veprash të tij monografike, si Jeronim de Rada, Faik Konica, Studime arbëreshe, mbeten ndër veprat më të mira të gjuhësisë dhe të historisë së letërsisë, të botuara në shekullin e ri.

Duke vlerësuar veprën e tij, studiuesit e kanë lavdëruar autorin për trajtimin me objektivitet shkencor të problemeve të ndryshme gjuhësore, qëndrimin e prerë dhe të saktë për çështje të diskutueshme, interpretimet dhe përfundimet e nxjerra me kompetencë shkencore, etj., të cilat i bëjnë të shquhen ndër veprat albanologjike me interes për shumë fusha të dijes.
Ato janë vepra nacionale, në kuptimin e plotë të fjalës.

Vepra të tilla madhore, që i kapërcejnë shumë herë veprat e zakonshme kanë theksuar studiuesit e albanologjisë, – mund të realizohen vetëm nga njerëz të përgatitur e me interesa të shumanshme shkencore.

Ato janë vepra monumentale të albanologjisë moderne. Aty përvijohet më së miri rëndësia e qendrave studimore albanologjike. Dhe jo vetëm kaq.

Ato janë vepra në të cilat investohet ana fizike, mendore dhe shpirtërore, prandaj edhe quhen fryt i shpirtit të atdhetarit dhe qytetarit, i pasionit të shkencëtarit, i përkushtimit të intelektualit.

Ato janë të ndërthurura me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe punë sistematike shumëvjeçare.

Përveç me vlerat gjuhësore, letrare e historike, në veprat e tij janë të ndërthurura edhe vlerat arsimore, pedagogjike dhe didaktike. Prandaj, atyre do t’u drejtohen gjuhëtarë e letrarë, historianë e etnologë, folkloristë e sociologë, poetë e shkrimtarë.

Në kohën që po jetojmë, kur kultura dhe identiteti kombëtar përjetojnë një krizë të zakonshme a të dallueshme të tranzicionit, janë për t’u përshëndetur veprat që dallohen për frymë kombëtare dhe objekti¬vitet shkencor si këto.


Veprat e tij sot janë përmendore e ngritur me rigorozitetin e një shkencëtari. Historia e albanologjisë është sprova e parë në historinë pesëqindvjeçare të shkrimit të saj, që përmbledh gjithë atë që është e njohur në fushë të albanologjisë.

Prandaj, vepra e profesor Jup Kastratit nderon studimet albanologjike të pesë shekujve që po i lëmë. Ajo është sinonim i vlerave më të larta, me të cilën ka kulmuar tradita shqiptare dhe botërore e studimeve albanologjike.

Në këtë kohë presionesh nga shumë anë për t’u rrudhur kombëtarisht, në këtë kohë përpjekjesh për të identifikuar ndaras njërën pjesë të traditës dhe tokave shqiptare nga tjetra, vepra e Profesor Jup Kastratit sjell një mesazh të kundërt: të tërësisë, të gjithëkohësisë dhe të gjithëpërfshirjes.

Ajo vjen e plotë, një Shqipëri e vërtetë: historike, bashkëkohore, mendore, kulturore etj, që nuk është vetëm linguistikë, normë, gjuhë, por edhe histori, kulturë dhe sociologji, dije, mbamendje dhe traditë, arkeologji e truallit dhe arkeologji e shpirtit, një qytetërim i vërtetë.

Në këtë rrjedhë, misioni i autorit dhe i veprës del i shumëfishtë, në rrafshin e kulturës kombëtare, në rrafshin e përkimeve të saj me kulturat ballkanike e evropiane dhe në rrafshin e reflektimit të botës mijëvjeçare në kulturën shqiptare.
Ai ia kushtoi punën mendore dhe jetën: tërësisë së botës shqiptare.

Me punën e tij, Profesor Jup Kastrati i ka dhënë gjuhës dhe kulturës shqiptare një monument, pa të cilin do të ishte i varfër mileniumi i dytë.

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: SHAMIZEZA-NËNA IME

(Nga rrëfimet e nënës sime)

Nga Begzad Baliu

Nuk i kishte mbushur as të 16-tat kur para syve të saj Brigada Maqedono-Kosovare, në fshatin Marec – Lagjja e Kllokoqëve,  pushkatoi familjarët e saj (pleq të paralizuar, nuse që me duart e tyre mbështillnin trupat e burrave e të baballarëve të tyre), djem që nuk u fshehën në mal nga frika se do të përdhunohen gratë e fëmijët e mbetur në shtëpi.

Dy ditë më vonë u mblodhën gratë dhe vajzat (më e madhja nëna ime), dhe në shpat të Lamës, më shumë me dorë se me lopata, më shumë me gishta se me shati, bënë ca gropa.

I varrosën të gjithë dhe i mbuluan më shumë me borë e thera se sa me dhe.

Në të vërtetë, i varrosën “me gjak e lot”!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult