Prolog mbi nji portret titani shqiptar: Dom Nikoll Kaçorri

Ma i madhi nder të mëdhej e ma i harruemi ndër të harruem.

Nga Gjergj Jozef Kola

1.

FIGURA E NJI FLAMURTARIT TË SHQIPNISË.

Në nji Maj, të vjetit 1917 kaloi në Amshim mbas nji sëmundjes tinzare në nji sanatorium vjenez nji nga gjigandët e paktë të shqiptarizmit, patrioti dhe fisniku Dom Nikoll Kaçorri.

Ai erdhi në botë si frut i dashunisë së nji babës katolik e nji nanës muhamedane, për me kallëxue se kur në frutet e këtyne dy kulturave predominon GENI ARBNOR, atëhere lindin gjigande në patriotizëm e n´art.

E kundërta, siç do e shofim edhe në kët dramë, lind monstra, aty ku fanatizmi e korrupsioni dalin mbi atdheun.

Nikoll Kaçorri u lind në Lurën e bukurise magjepse të natyrës, prandaj në Arbninë e pushtueme nga osmanët e të etun për mrekulli nuk kishte si të quhej ndryshe, e mori emnin e shejtit të mrekullive, Nikoll. Si në nji profetsi biblike po natën e shën Kollit emnohet Zv/ Kryeministri i parë i shtetit të parë shqiptar, si dora e djathtë e Kryeministrit Ismail Qemali.

Historia e jetës së tij dhe ajo e andrrës së tij ma të madhe, PAMVARËSISË SË SHQIPNISË asht e ndërtueme nën kandvështrimin e dokumenteve të arshivave austriake, si nji burim i pastër ku nji autor i nji vepre letrare ka besim ta patundun.

Meshtar katolik i mbruejtun në kolegjin ma të mirë ballkanik të shekulliit 19, atë Saverian në Shkodër e i formuem në universitetet habsburgase, nuk e harroi kurrë genin patriotik të arbnorit, që e shtyn njiherësh të armatoset në javën e madhe të fundnandorit të 1912. Ky akt Mesianik të kujton skenën e Jezusit në tempullin e Jeruzalemit që me kamzhik i nxjerrë jashtë dhunuesit e shpisë së Hyjit.

„Atdheu asht njiherësh edhe shpija e Hyjit!“, thotë ai në dramë. „Armët përdoren për dy gjana në jetë, për vetmbrojtje, e për librimin e vendit nga e keqja, nga pushtuesi.”

Tashma asht e provueme se në ballkonin vlonjat të pamvarësisë, së bashku me Flamurin e familjes së Kastriotëve, mbretit arbnor, ai kishte edhe dy „pistoleta austriake“, të gatshme me mbrojtë ngritjen e flamurit e me e çue deri në fund misionin historik.

Sepse sikur të mos ishte ngritë ai flamur i shejte në 1912 nga ato njerëz titanë, lufta ballkanike do e kishte copëtue me kohë Shqipninë, nji vend ku ekuilibri i forcave pro – pamvarësi me ato anti- pamvarësi ndryshonte nga dita në ditë. Vetem nji muej ma vonë në konferencën e dhetorit në Londër dëshmija e shpalljes së pamvarësisë, ishte argumenti themelor për krijimin e shtetit shqiptar e ajo percaktoi fatin e nji kombi, që rrezikonte sindromin fatal kurd, copëtimin në katër shtete.

Shprehja e famshme e dom Nikollit Kaçorrit, që u kundravehet njerzve në mëdyshje se „nëse asht puna me dekë nesër, ma mirë të desim sot për atdheun“, asht njiherësh edhe dinamika që rikthen në skenë frymën që sundonte në vjetin 1912.

Me ngritë flamurin në atë vjet të luftës ballkanike nuk ishte diçka romantike e apasionale prej filigrani, porse nji përpjekje dhamb për dhamb me vdekjen, me atentatet që kishin pregatitë serbo-grekët kundra tyne, bashkë me mbeturinat e ushtrisë osmane që të pushkatonin në vend për kët ndërmarrje…

Kjo asht edhe kudhra ku u rrah shpata e pamvarësisë, kudhër thuajse e lanë plotësisht në harresë sot, shkëndijat e së cilës kërkon kjo dramë me i ndezë e me i kalue sidomos te brezi i ri…

Me ngritë Flamurin në 1912 ka qenë nji luftë për jetë e vdekje e njajtë me luftnat arbnore të Gjergj Kastrotit – Skanderbeg nën shpatat e shigjetat, nën topat e nën konopin e vdekjes…Në kët frymë u kalit deri në përjetsi figura e Nikoll Kaçorrit e nismëtarëve që vendosen jetën në rrezik për nji ideal sublim, që nuk u afronte asnji shperblim materjal.

Dom Nikoll Kaçorri, KRYETARI I PARË i asamblesë kombtare shqiptare, * ky katolik i madh i veriut, Gega i lavdishëm që përfaqsoi mbarë Gegninë në kryesi e bashkë me Toskën e madh të jugut, Ismail Qemalin, si dy duer që bajnë fuqinë, ngritën flamurin e Kastriotit, i ka gdhendë vedit emnin në përjetsinë e kombit.

1*( Konsulli i Perandorise Habsburge në Vlonë, Wenzel Lejhanec. Telegram. 28.11.1912. Arkiva sekrete vjeneze.)

Populli që për herë të parë në historinë e tij kishte të drejtë pa frikë të quhej shqiptarë, i mbledhun në Vlonë u drejtue nga konsullatat e ambasadave të Austrisë dhe Italisë mbas ngritjes së flamurit në mbasditen e 28 nandorit e aty me anë të nji demonstrimi entuziast, shprehu tanë mirnjoftjen e tij për mbështetjen që ata i kishin dhanë për pamvarësinë.

2*( Konsulli austriak në Vlone Wenzel Lejhanec. Telegram. 28.11.1912. Arkiva sekrete vjeneze.)

Vjena që kishte nderue para tij me kryqin e artë të lavdisë Titanët arbnorë si Gjergj Kastriotin, Karl Gegen, Aleksander Moisiun e rreshtoi edhe Nikoll Kaçorrin në rreshtin e figurave të madhënishme të Arbnisë e Shqipnisë…

Levizja islamike e haxhi qamilit 1914-15 që kërkonte kthimin e Shqipnise se dom Nikollit e Ismail Qemalit në nji kalifat islamik me emnin Arnautistan, ja dogji katedralen në Durrës e ia trazoi shpirtin e shendetin gjaqë e dërgoi në sanatoriumin vjenez.

Nikoll Kaçorri mbylli sytë në Vjenë, në kryeqytetin e botës së fillimshekullit XX me 1917, flamurtari i vetëm në botë pa asnji llogari bankare në asnji bankë as jashtë as mrendë, shqip pa asnji „kacille në xhep“, nji vjet para se me mbarue lufta e parë botnore, me lumninë e pamvarësisë së atdheut në sy. Ai e mori ket lumni me vedi edhe në amshim nga ku u nisë, prej bazilikes baroke të “Marisë besnike”*.

3* ( Revista Begegnung. Kisha baroke e Maria Treu, Vjenë, Maj, 1917)

Sot për shumëkend pamvarësija e atdheut tonë asht gjaja ma e zakonshme në botë, porse koha kur kjo pamvarësi u ngjiz, kallxon se ajo ishte fenomeni ma i jashtzakonshëm që u realizue vetëm falë titanëve të kombit e falë mendimit struktural largpamës të miqve natyral europian: habsburgëve.

Kjo dramë asht akt mirnjoftjet, sepse mirnjoftja asht njiherësh edhe element mbijeteset i nji kombit ku pamvarësija përban themelin bazë.

Sot kur kushdo ka të drejtë e mundësi me e marrë vesht historinë prej dokumentave të kohës e lerg ideologjive totalitare, gjithkush e ka formimin e vet, në dorë të vet, simbas parimit gjenial:

E VËRTETA NA BAN TË LIRË!

2.

DIKTATURA E FLAMURTARI.

Me ardhjen në pushtet të diktaturës komuniste të zonës së parë operative, këtyne pasuesve haxhiqamiliane, që ja shitën Kosovën Serbisë dhe e shkatërruen çdo ndjesi e dinjitet kombetar shqiptar me anë të nji vëllavrasje të pashmbullt në historine e nji kombi në botë, emni u Nikoll Kaçorri u fshi nga historija.

Në asnji liber shkollet nuk u permend emni i tij, madje u arrit krimi i llahtarshëm: ai u fshi edhe nga lista e nënshkruesve, megjithse ishte nismëtari kryesor, dora e djathtë e atyne që mbështeten finaciarisht e diplomatisht kët pamvarësi: Perandoria Austro-hungareze.

Kulmi u arrit deri aty saqë në foton e vetme që i kishte mbijetue aktit gjenial të pagëzimit të shtetit shqiptar, megjithse ai ishte në mes të fotos, si Jezu Krishti në Ultima Cena e da Vincit, ai thjesht u fshi prej aty nga diktatura neverhoxhiane…

As kryetari i akademise se shkencave komuniste Aleks Buda nuk e gjen nji fjalë të mirë për të, për flamurtarin e pamvarësisë së kombit shqiptar.

4* (Aleks Buda, Historia e Shqiperisë. Akti i pamvarësisë.)

Nji herë që zona e parë operative në 50 vjetorin e pamvarësisë  nderoi të gjithë nismëtarët me tituj e perkujtimore, e shfleftësoi figurën e Nikoll Kaçorrit, tue i dhanë nji medalje te klasit te dytë…(?) *

5* ( Danjel Gazulli. Dom Nikoll Kaçorri)

Krimi shtetnor komunist ndaj historisë shqiptare arriti deri aty saqë në përmendoren e Pamvarësise truproja e tij u hoq me urdhën të ramis alise e never hoxhes. Në asnji vepër të artit as për 50 vjetor e as ma vonë nuk u ba e portreti i tij e as u nxor kund kurrë asnjiherë.

Po çka u kishte ba komunistave shqiptarë ngritësi i flamurit të pamvarësise, që kishte vdekë tashma në 1917 e largët?

Periudha e ballafaqjes me  historine nën diktaturën hoxhiane asht quejte me te drejte nga nji historian modern vjenez si nji ballafaqje me „nji kandveshtrim autist qe mbyllet ne vedi e isolohet nga bota“ tue ba keshtu tane anamnezen e historishkruesve.

6.* (O.J. Schmitt. Historia e Shqipnise si Histori e Ballkanit)

As kinostudjoja komuniste nuk e permendi askund, megjithse i kushtoi nji film prej 2 orësh ngritjes së flamurit, porse pa Nikoll Kaçorrin, film të quejtun “Nëntori i dytë”, megjithse siç do e shofim në dramën tonë, ai ishte shpirti e trupi i flamurit shqiptar e i pamvarësisë.

Ai ishte shpirti e mendja e Gegnise e 3 vilajeteve, Shkodrës, Kosovës e Manastirit, ndërsa Ismail Qemali prezantonte Vilajetin e Janinës: Toskërinë.

Në fjalorin e enciklopedisë shqiptare ende sot janë vetëm pak rreshta mbi të, që asht edhe flamurtari, figura kryesore, falë të cilit kena pamvarësinë sot, ose kalimin e Arbnisë në Shqipni, për mbijetesë.

Natyrisht që kjo asht nji dramë moderne, lerg skematizmit të realsocializmit, ku Ismail Qemali paraqitej si Plaku i vitit te ri, si nji Santa Klaus që sjell flamurin e Kastriotit ne kitschin e Kinostudjos Shqiperia e re. Këtu në mes të simboleve poetike, ketyne shkendijave gjeniale te letërsisë e artit, jepet figura e plotë, komplekse e Dom Nikoll Kaçorrit.

3.

KANDVESHTRIMI HISTORIK NE HAPSINE E KOHE PER ME BA KALIMIN E NATYRSHEM NGA HISTORIA NE DRAMEN FIKTION!

Dom Nikoll Kaçorri asht kolona ku mbahet pamvarësia e Shqipnisë sepse ai përfaqson mbarë Gegninë ose ¾ e Shqipnisë natyrale në hapsinë e kohë në nji kohë kur kombi shqiptar mbante mbi supe shpatën Damoklejane të historisë.

Vepra e parë e madhe historike mbi kombin shqiptar shkrue nga albanologu Thalloczy  perkthye nga TEF CURANI si „Të ndodhunat e Shqypnise prej nji Gege që don vendin e vet“ ka qenë edhe nji impuls i madh për me e dhanë historinë e Shqipnisë në hapsinë e kohë me anë të personazheve të saj.

7* (Layosh Thalloczy – Kërkime Juglindore)

Përpjekjet e akademikeve të „zonës së parë operative“ sot, për me shpallë Kosovën, zemren e Gegnisë si e banueme nga kosovarë e jo shqiptarë, kallxon edhe nji herë se politika osmano-komuniste i ka shtri thellë rranjët helmatuese në kombin shqiptar, ato rranjë që gadi e vranë edhe dom Nikollin siç ndeshet në ket dramë.

8* (gazeta Shekulli 2012)

Antropologia Stefani Schwandner -Sievers shkuen në, „ Virgjineshat e Elefantet“, se Elefantet janë studjuesit e shekulli 21 që përdorin metodat shkencore moderne të shpjegimit të  historisë së Shqipnisë, ndërsa Virgjineshat janë disa studjues shqiptarë që preken menjiherë nëse u prekë aty ku janë të ndjeshëm.

9* (Stefanie Schwandner-Sievers „Jungfrauen und Elephanten in Porcelanladen“. )

Kjo ndjeshmëri asht pikërisht neuroza e shkeujve, rranja e helmueme osmano-komuniste qe ka mbijetue në postdikaturë, ka krijue nji simbioze e po e çon kombin shqiptar në nji dualizëm, siç thotë Fishta i madh: SI E DO ANMIKU!

Në kët ambjent figura historike e dom Nikoll Kaçorrit të Flamurit të pamvarësisë jep atë rranjën e shëndoshë të kombit, që u rritë e mbijetoi në terrenin e rrethuem me tokën e helmueme e pame edhe në dimensionin e sotëm historik.

Në kët dramë dimensioni i kohës e hapsinës shqiptare shkrihet në nji e na jep të plotë dom Nikollin, aq të plotë saqë shumkush që e ka lexue dramën, ka përjetue asosacionin e dy grave që ndeshën të Ringjallunin, i cili megjithatë u tha se „Mos më prekni se ende nuk kam shkue te Ati…“.

Unë mendoj se kur të hypi në skenat shqiptare, dom Nikolli kam e u kthye në zemrat e shqiptarëve, me tane dimensionin e tij në hapsinë e kohë.

Si çdo vepër arti edhe kjo dramë ka mbi te tana nji qëllim të naltë artistik: DHANJEN E PLOTË TË KARAKTERIT TE PERSONAZHIT HISTORIK! Ne realizimin e ketij karakteri qindron edhe mbijetesa ose vdekja e kesaj vepre letrare si dhe e çdo vepre arti.

4

FLAMURTARI QË KALLXON IDENTITET:

Në nji ditë Maji të Vjenës së zbukurueme nga Lulet e Fliderit kaloi në amshim dom Nikoll Kaçorri flamurtari i pamvarësisë shqiptare, e në nji ditë maji vjen po nga ky qytet kjo dramë përkujtimore.

Kjo dramë asht shkrue me tanë njoftjen e masipërme, me vetmohimin e nji prelati për atdhe e me mohimin që diktatura i ban njeriut që kishte bashkthemelue shtetin shqiptar, pamvarësinë e kombit shqiptar.

Unë mendoj se nji vepër arti, nji dramë të përjetson e të edukon me të vertetën ma shumë se tana medaljet, se librat e historisë apo baltosja e realsocializmit.

Aq më shumë kur personazhet historike këtu në dramë nuk flasin simbas oreksit shovinist, porse vetëm në bazë të dokumentave të besueshme të kohes siç janë ato të Konsujve të perandorisë Austro-hungareze.*

10* ( E.A Frantz. Konsull. Dhuna si faktor disintegrimi i perandorisë osmane në Ballkan.)

Kjo dramë në frymën moderne të dramës së shekullit të XXI afron dom Nikoll Kaçorrin siç nuk asht pa kurrë ma parë, me tanë frymën e sotme e të djeshme, si nji gjigand, të mbuluem nga pluhuni i harresës, mbi të cilin fryn nji erë dhe e nxjerr me tanë madhështinë e tij.

Koha e kthimit të  maleve ne madhështine natyrale po afron edhe në vendin e shqipeve e koha e haleve po zhduket bashkë me to përherë e ma shumë.

Anipse institucionet e artit e të kultures mbahen ende peng nga trasheguesat e realsocialistëve, kjo dramë në stil e në fryme të re e moderne e ka gjetë tashma vendin e vet në skenën e kohës.

Falë Amazon, lexim të mbarë mikesha e miq.

AUTORI

Vjenë, Maj 2021.

ObserverKult