Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti nënshkroi, marrëveshje me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me qëllim promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në botë.
“Artistët shqiptarë në diasporë janë ambasadorët tanë më të mirë, ndaj edhe duhet të krijojmë të gjitha hapësirat për promovimin e tyre në vendin amë. Me këtë qëllim, por edhe për të promovuar kulturën shqiptare përtej kufijve lidhëm sot një marrëveshje me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Margariti informoi edhe për detaje të marrëveshjes. “Përmes kësaj marrëveshjeje synojmë të nxisim dhe zhvillojmë aktivitete të artit dhe kulturës të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore. Po ashtu angazhohemi në ngritjen e Këshillit Koordinues të Artistëve në Diasporë, anëtarë të të cilit do të jenë artistë me kontribut të çmuar në promovimin dhe zhvillimin e artit shqiptar”, theksoi ajo./ATSH