Protesta: Baritoni i njohur ‘vajton’ Klodjan Rashën me këngë kishtare (Video)

Baritoni i njohur Ylber Gjini për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i forcave “Shqiponja” ka zgjedhur që të protestojë me një këngë kishtare. Apeli i tij për të rinjtë që të jenë të duruar sa të dalë vendimi për efektivin, që protesta të mos degradojë në dhunë.

Një këngë ortodokse, që këndohet në ritualet kishtare është forma me të cilën tenori Ylber Gjini zgjodhi që të vajtojë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Artisti shpjegon për “ReportTV” se nuk është menduar dy herë për këtë interpretim, por i ka ardhur natyrshëm. Ndërsa, bën apel të rinjve që protestojnë, që të ruajnë qetësinë derisa të dalë vendimi, pasi zgjidhja nuk është dhuna.

“Nuk duhet që të harrojmë se kemi të bëjmë me të rinj, që nuk e gjykojnë situatën siç e gjykojmë ne. Të gjithë jemi të prekur dhe të rënduar për këtë që ka ndodh. Por duhet që të ruhet qetësia, derisa atë dalë vendimi për efektivin”.

Gjini shton se protesta të tilla, sikundër ndodh në të gjithë botën nuk mund të quhen të organizuara, por spontane.

“Protesta është qytetari, por kur degradon ne nuk kemi fuqi ekonomike që të shkatërrojmë. Nuk duhet të ketë dhunë, por këto reagime janë të momentit”, përfundon artisti i njohur Ylber Gjini./shqiptarja.com