Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Muzeut Historik Kombëtar

Është nëshkruar protokoll bashkëpunimi i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar pranë Ministrisë së Kulturës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë dhe tha se lidhjet që Akademia ka me historinë dhe punën që po bën për hartimin e saj do të krijojnë një marrëdhënie të mirë të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy institucioneve, ndaj këto bashkëpunime janë të mirëpritura.

“Pëllumb Xhufi e cilësoi si të denjë dhe me një personel të formuar institucionin e Muzeut Kombëtar në lidhjen e kësaj marrëveshjeje dhe theksoi ndër të tjera se Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të sigurojë pjesëmarrjen e akademikëve në procesin e rikonceptimit e të pasurimit të linjave muzeale, ndërkohë që muzeu Historik Kombëtar do të kontribuojë me kapacitetet, fondet e fototekën në realizimin e projektit madhor “Historia e shqiptarëve””, njofton Akademia e Shkencave të Shqipërisë .

Ky protokoll bashkëpunimi u firmos nga Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe nga Dorian Koçi drejtor i Muzeu Historik Kombëtar.
Palët ranë dakort të institucionalizojnë me anë të këtij protokolli një bashkëpunim të qëndrueshëm në arritjen e objektivave e të qëllimeve të përbashkëta për vitin 2021.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes u mbajt edhe konferenca e përbashkët mes dy institucioneve, “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”.

LEXO EDHE: Akademia e Shkencave mbajti konferencë shkencore për poetin kombëtar, Naim Frashëri