“Pse ‘Biri’ i Flutura Açkës është një fenomen në letrat shqipe?”

Nga Elvira Lumi

Gjatë leximit të “Birit” të Flutura Açkës, më erdhi në mendje menjëherë termi antik: Komos (. fjalë për fjalë; e mrekullueshme, fantastike, magjike, përrallore, sidomos “rrahja e kokës dhe e gjirit në vajtime”). Është një këngë lirike e vajtimit në tragjedinë athinase, ku kori dhe një karakter personazhi dramatik këndojnë së bashku.

Akomos ndodh kur “tensioni i ngjarjeve shfaqet dhe ngrihet në një kulm të pikëllimit ku vajtimi nuk bie në shkallën zero të përjetimit të ngjarjeve, në makabritet apo horror ndjellakeq, me gjithë ngarkesën dramatike dhe tragjike të peshës së ecejakeve në spitale për të fituar betejën me jetën të birit.

Narracioni i veprës të përfshin në një kompleks emocionesh të thella dhe mendimesh filozofike, ku rregullat e jetës janë kthyer përmbys dhe mjeshtëria e autores është kalimi “i butë” nga bota e të gjallëve (e këtejme) në botën e të vdekurve (e andejme), ku rrëfimi merr trajtën e një “skazy” tashmë jo më tragjik, por të një romani përrallor ku tragjikja i lë vendin së mrekullueshmes, magjikes; moshës së rinisë së birit dhe të drejtës për të jetuar, ëndrrave të tij, një projeksion dhe perspektivë se si do të ishte e ardhmja e birit me dëshirat dhe ëndrrat e brezit që përfaqëson, rinisë si e ardhmja e shoqërisë.

Po biri mbeti një i Ri i përhershëm, një Piter Pan-fëmijë, jeta e të cilit ngriu nga procesi i rritjes duke ndërprerë procesin e jetës madhore të Mr. J. Ky roman i kujton familjes, shoqërisë dhe shtetit, se sa mund dhe sakrifica duhet të investojë për të ardhmen e shëndetshme, për rininë e më gjerë, në një jetë që fsheh të papritura dhe beteja humane, në një botë që biri e la pas me pandeminë dhe Koronavirusin-19, në rang botëror. Po pse “Biri” është një fenomen letrar?

Nga një sondazh që kam bërë me një grup profesorësh të letërsisë në universitetin “A. Xhuvani”, Elbasan, këto ditë, kanë pohuar se romani “Biri” i F.Açkës i ka ngjallur përjetime më të bukura se romani “Paola” e I. Alendes. Jo vetëm se romani e tejkalon dramën e dhimbjes së humbjes së birit dhe rrjedh si një lumë, ku nuk mund të lahesh dy herë me të njëjtin ujë, por referuar dhe letërsisë shqiptare, që mendoj se e njoh mirë, nuk më rezulton një tjetër roman që e kapërcen natyrën e dramës personale (kujtojmë këtu dhe romanin-refleksion “Lum, Lumi i A.Podrimes (1982).

Në rastin e romanit “Biri”, ngjarjet që përshkruhen, struktura narrative e rrëfimit, e tejkalon gjuhën e autobiografikes. Mund ta përqasim pak me tregimet e Kutelit, por romani i F. Açkës është me përmasat e një epopeje të sublimes së jetës së të një të riu, birit, i cili si një meteor kaloi në qiejt e jetës shqiptare dhe asaj holandeze, shkëlqeu dhe la gjurmë të forta që shkrimtarja e përjetësoi me romanin “Biri”.

Për këtë autorja meriton përgëzime. “Fenomen”: gr (phenomena” do të thotë “things appering”; gjëra që duken, “gjëra që shfaqen” +logos, knowledge, pra, fjalë për fjalë: dije, njohuri që del në sintagmën: – dije që shfaqen, njohuri që duken. Açka në qendër të rrëfimit vë rolin jetësor dhe qendror të lidhjes natyrore dhe psikologjike të binomit nënë-bir, ku lexuesi duhet ta perceptojë si një lidhje subreale, një raport ku trashëgimia gjenetike nga nëna te biri po ndërpritet aksidentalisht si pasojë e një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme.

Sëmundja e birit është një kalvar i gjatë i skanerëve dhe ilaçeve që i injektohen Birit, është një përjetim e një bote spitali, një dramë dhimbje fizike dhe shpirtërore që si fenomen jetësor real vetëm shqisat dhe një karakter i forte si Mr. J mundi ta përballojë. Shkenca hesht përballë diagnozës së birit. Gjuha dhe ngjarjet e rrëfimit rrjedhin në trajtën e një kronikë të një vdekje të paralajmëruar. Biri po vetëdijesohet se po ikën nga kjo jetë, megjithatë ai nuk e humb arsyen dhe forcën rinore se duhet të luftojë deri në fund për të fituar jetën, një e drejtë natyrore që i takon dhe i përket së ardhmes.

Me rrëfimin e saj epik, Açka ka mundur të ndërtojë “ndërgjegjen e ndërgjegjes së tjetrit”, nga njëra anë është ndërgjegjja e birit që përjeton dramën e ndarjes nga kjo botë në një moshë shumë të re, dhimbja fizike dhe shpirtërore e Mr. J për këtë botë që po e le papritur, nga ana tjetër është dhimbja e nënës dhe e shkrimtares që po ia përcjell këtë dramë lexuesit shqiptar dhe më gjerë.

Kryeveprat e letërsisë botërore gjithmonë kanë pasqyruar fenomene, pra, dukuri dhe karaktere personazhesh që kalojnë kufijtë e veprës, duke arritur deri në përgjithësime universale. Falë lidhjes unike nënë-bir dhe patjetërsuesshmërisë së kësaj lidhjeje, Açka këtë universalitet e përshkruan nëpërmjet ndjenjës së adhurimit të birit për nënën dhe anasjelltas.

Biri mbart personalitetin e një të riu të mençur dhe të talentuar, të fortë dhe të lexuar, që me gjuhën e një diskursi filozofik, është ai që e mëson nënën si do të jetojë me mungesën e birit të saj të vyer. Mr. J na mëson me botën e tij shpirtërore dhe karakterin e fortë, jo vetëm për lidhjen nënë-bir, por edhe për dashurinë në fillesat e veta, për pasionin e një të riu për ta jetuar jetën me cilësi.

Biri ka pasion shkencën dhe teknologjinë, mëson nga lidhja baba-bir, adhuron udhëtimet dhe eksplorimet në hartat sa ballkanike aq dhe ato evropiane dhe botërore. Romani ‘Biri’ është një vepër romanore që të zgjeron frymëmarrjen e dashurisë së përjetshme nënë-bir si dhe arkivën e dijes botërore nga një i ri.

Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Holandë, Australi, Rusi, Itali, Amerika Latine, Afrika e Jugut, etj. Mr. J ka një pasion shtegtimin e botës dhe zbulimin e kulturave të ndryshme.

Romani ‘Biri’ nuk është një vepër që bie në mistikën e errët të besimit të shenjtë, po me metempsikozën si fenomen, shpirti i Birit është një botë që mbart përjetësinë dhe dashurinë për jetën, si një tërësi shenjash të epërme që shfaqen në gjuhën e çdo fjale dhe germe të romanit, në frymën e strukturës epike të narracionit dhe të personazheve.

Autorja rindërton artistikisht një ngjarje personale dhe autobiografike dhe përtej personales ajo përgjithëson dhe universalizon dhimbjen dhe dramën e humbjes së birit të vetëm. Ajo nuk vërtitet në qerthullin e vajtimit me ligje, por përtej dhimbjes për humbjen e birit, nëna-shkrimtare gjen forcë dhe arrin të kthejë në monument poetik jetën e birit që përfaqëson modelin më të bukur të jetës së rinisë, këtij brezi plot ëndrra, pasione dhe ide.

Romani përbën një fenomen në letërsinë shqiptare jo vetëm për transformimin e ngjarjes reale në histori mitike dhe poetike, por edhe për ndërtimin e një “utopie poetike” mbi absurdin dhe paradoksin e vdekjes së parakohshme të birit.

Shkrimtarja e rimerr ngjarjen reale dhe e shndërron në gjuhë poetike-narrative, gjendja e saj fizike, shpirtërore dhe mendore është e ndërmjetme, transubstive, metafizike, një lloj gjendje metempsikoze, një kalim i autores nga bota e “këtejme” në botën e “andejme” që vjen si pasojë e përjetimit të saj tragjik si nënë që po humb birin e vet, por dhe të një lloj dëshmitareje që ndien dhe përjeton në çdo çast, dhimbjen fizike dhe shpirtërore të birit që po vuan pa kthim.

Siç përshkruan edhe Kuteli, shkrimtarja shkruan në kushtet e kapërcimit të botës së të gjallëve dhe në shtegtimin e në mbretërinë e botës së të vdekurve. Ajo ka detyrën si nënë të dëshmojë, të shkruajë për çdo sekondë të jetës së djalit të vet me këtë roman, duke u ndjerë dhe duke u endur “midis të vdekurve dhe të gjallëve”. Prandaj dhe romani është fantastik, magjik dhe i mrekullueshëm.

Shkrimtarja-nënë shkruan: “Atje në male më duket se i ndërtoj siç duhet copat e rëna të zisë sime të përjetshme; atyre grykave u përcoll dikur nëpër legjenda edhe vajtimi i Ajkunës për të birin e vdekur, Omerin, një i tillë vajtim që i ndali yjet ta këqyrnin shpellimin e shpirtit të nënës, e cila nga trishtimi zuri të mallkonte hënën që nuk e kishte lajmëruar në kohë… të nënës që ecën zvarrë nën këqyrjen a aheve që shtrijnë degët për ta mbajtur nga rrëzimi; të nënës që i shtyn zogjtë ta ndërpresin këngën prej këtij tingulli që nuk e kanë dëgjuar kurrë më parë-Vajin e Nënës.

Vaji i nënës. Që i shkakton cikmë malit, që i shkakton rrëqethje qiellit, që i shkakton zbrazmë tokës”. Açka sjell me këtë roman një galeri kërkimesh historike dhe poetike nga vepra të ngjashme letrare të përbotshme dhe shqiptare, të cilat pasurojnë narrative e saj dhe kumtin njerëzor, i cili nuk njeh kufij gjeografikë apo kohorë. Kjo metamorfozë e gjuhës së autores e bën romanin një fenomen letrar shqiptar, por edhe botëror.

“Universalizimi i thënies” duket i paqartë në leximin e parë, por duke u thelluar më shumë në leximin e këtij grupi sintagmatik do të na mjaftojë për ta përfshirë në këtë grup dhe termin “profetizëm” i tekstit.

Ashtu si biri mbeti një potencial dhe projeksion i së ardhmes së jetës një të riu, por dhe i fundit dramatik të jetës që ndërpritet në kulmin e energjive fizike dhe mendore të Mr. J. Teksti i romanit e mbart këtë profeci dhe heroi nuk është një i ri që heroizmin e tij e shpalli në luftë me armikun e dukshëm, por një i ri- hero që luftoi deri në fund me një armik të padukshëm, me sëmundjen e brendshme të trupit.

Ai luftoi pa u dorëzuar në emër të shëndetit të brezit më të shëndetshëm, rinisë që ai përfaqëson, pa e thyer krenarinë njerëzore të karakterit të tij të fortë. Mr. J është i dëlirë, i sinqertë në dashuri, buzëqesh dhe pse ndien dhimbje fizike dhe shpirtërore. Kjo përsiatje ndjesish dhe mendimesh të birit nga shkrimtarja e lënë të hapur diskursin filozofik për jetën.

Tetëmbëdhjetë vitet e Birit përjetohen si tetëmbëdhjetë orë, përjetohen edhe si gjyqi i fundit që rinia i bën gjeneratave të tjera për humbjen e së ardhmes së shoqërisë së vet nëpërmjet brezit të ri që po vuan, por mbart kaq shumë energji dhe potencial fizik dhe mendor.

Sa dhimbje dhe mungesë perspektive me humbjen e një nga shtyllave kryesore që mban vizionin për të ardhmen, për rininë. Po më tej, si mund të kuptohet jeta dhe si mund të vazhdojë ajo pa rininë, lulen e marsit, të prillit dhe të majit nga nëna që e solli në jetë?

Në rastin e romanit “Biri”, rrëfimi është metafizik, i shkruar me frymëzim-hyjnor, divin, poetik, ligjor, që përmban gjurmën e zbulesës dhe i referohet origjinës së krijimit të botës, zanafillës nënë-bir, si origjina e krijimit dhe burim i jetës në tokë. Amaneti i Mr. J dhe gjuha surreale e tekstit romanor na shfaqet në formën e një profetizmi nga biri për nënën, e cila duhet ta vazhdojë misionin e saj qytetar dhe krijues dhe pas fundit të misionit të saj si nënë.

Kjo ide e bën autoren një martire të familjes dhe shoqërisë, por edhe një shkrimtare të angazhuar. Për sa u përket shkollave dhe rrymave letrare, romanin do ta përcaktoja si surreal, i realizmit magjik dhe futurist. Mr.J është i ri me pjekuri te parakohshme, që e shfaq në shijet e idetë e tij për shkencën, politikën, diplomacinë, identitetin, dashurinë, biznesin, gjuhët, shahun, sportin e ragbisë, muzikën antikomformiste, udhëtimet, interesin për njohjen dhe gjykimin e diktaturës shqiptare, kanunit te Lek Dukagjinit, Kosovës, Çamërisë etj., që janë objekt i një studimi tjetër dhe dëshmi e një bote rinore multidimensionale.

Ëndrrat dhe talenti i një të riu tetëmbëdhjetëvjeçar si Mr. J është në një moshë që do të votojë për herë të parë dhe do të jetë i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm para ligjit, por jeta e tij u ndërpre në kulmin e shpërthimit të këtyre ëndrrave dhe pasioneve, prandaj dhe romani bëhet një subjekt artistik futurist. Romani “Biri” ka zanafillën e një ditari personal të shkrimtares, ku kujtesa dhe lidhja gjenetike nënë- bir merr trajtën e një promemorie poetike, më tej transpozohet si një roman requem, duke u finalizuar një roman modern futurist.

“Unë jam shqiptar”, pohon biri, “unë dua të bëhem një politikan i pakorruptuar” e vazhdon më tej diskursin e ëndrrave dhe pasioneve të tij futuriste. Dashuria më e madhe e Mr. J është dashuria për jetën, për nënën dhe për e brezin që përfaqëson, rininë.

Po a është mirëfilli një shqiptar i plotë Mr. J si identitet etnik? Në këtë rast do të na duhet të analizojmë identitetin e dyfishtë të këtij heroi, karakterin bilingual të gjuhës së tij. Nga njëra anë si shqipfolës ai është një trashëgimtar i gjuhës së nënës, (mother tongue), nga ana tjetër si holandezfolës që është gjuha e babait dhe e vendit ku po edukohet dhe do të rritet.

Por pavarësisht këtij identiteti të dyfishtë të heroit të romanit, dashuria e tij më e madhe është gjuha shqipe, që e fliste aq pastër dhe Shqipëria ku janë rrënjët identitare të të parëve nga nëna dhe ku Mr. J ruan kujtime të pashlyeshme, një mentalitet mesdhetar të kureshtjes për njohjen e botës dhe një ndjenjë adhurimi dhe idealizimi për këtë vend si biri i saj.

Megjithë idealizimin e origjinës shqiptare, Mr. J ka një identitet mbinacional, ai është multinacional dhe përbëhet nga kultura dhe gjuha shqiptare dhe nga kultura dhe gjuha holandeze si dhe ajo europiane, duke na u paraqitur personazhi i romanit, biri një karakter universal dhe me identitet të lirë.

2021

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA ME LOT NË SY FLET PËR LIBRIN KUSHTUAR DJALIT TË SAJ