Më 5 janar 1991, u recitua për herë të parë në publik pas 45 vjetësh “Iliada” shqiptare, “Lahuta e Malcis”. Përgjatë gjysmëshekullit të regjimit komunist, kryevepra e Atë Gjergj Fishtës, u censurua krahas botimeve të autorëve të tjerë nga veriu i vendit, Camaj dhe Harapi.
Megjithatë, popullariteti i kësaj vepre në radhët e shqiptarëve, në mënyrë të veçantë mes shkodranëve, ishte i padyshimtë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, gjatë këndimit të vargjeve të Fishtës, në Shkodër, pati një çast pezulli prej aktorit në rolin e rapsodit.
Mirëpo, performuesit i erdhi në ndihmë publiku, që fragmente të veprës i kishte memorizuar varg për varg.
Studiues të shumtë, vendas dhe të huaj, e kanë cilësuar Fishtën si figurën më madhore të letrave shqipe në shek. XX-të.
Krahas barabitjes me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës do të gjendeshin përngjashmëri edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaciteti.
Një tjetër korife i letrave shqipe Faik Konica shprehej: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë!
Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”.
Poemën “Lahuta e Malcisë”, Fishta e filloi më 1905, me këngën e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”.
Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin.
Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin bashkë.
Nga Marashi, Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazes, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrazhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë.
Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. “Lahuta e Malësisë”, me gjuhën e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Poema në vargje tetë rrokësh sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Ded Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj.
Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të përputhura, herë të kryqëzuara.
Këngët e krijuara në rini janë të hovshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, medituese dhe filozofike, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.
Historia
Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malësísë” dhe krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, ndërkohë u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991.
Pas pëmbysjes së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht me titullin “Lahuta e Malësisë”.
Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen me vlerësimin e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar.
Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malësisë” përballë poemës “Kunora e Malësisë” të poetit malazes Negoshi.
Me “Lahutën e Malësisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe, në luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë.
Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malësisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve.
Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar. Në veçanti “Lahuta e Malsisë”, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj.
Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej, dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë.
Përkthimi
Lahuta nisi “të këndojë” edhe në gjuhë të huaja. Lahuta sot këndon, e plotë, në tri nga gjuhët më kryesore të botës. U përkthye disa herë italisht, duke nisur nga imzot Jul Bonati.
E pastaj nga Ernest Koliqi, që deshi ta realizonte plotësisht, por u ndal vetëm te disa kangë: Kanga XXVI “Koha e re”(1962); Kangët XII-XIII- XIV-XV, të shoqëruara me hyrje (1971) dhe Kangët II-III-IV (1973).
Përpjekje për ta përkthyer në italisht bëri edhe Atë Fulvio Cordignano, që e vlerësonte shumë kryeveprën e Fishtës, të cilën e bëri të njohur në bashkësinë e jezuitëve aq, sa të nxiste sivëllain, Atë Giovanni Giorgiani S.I., kryeredaktor i programit “Orizzonte Cristiana” pranë Radio Vatikanit, të mbronte diplomën me “Lahutën”, duke ia përkthyer në italisht të gjitha pjesët, që i duheshin.
Kjo punë diplome ruhet në Bibliotekën Françeskane, në Shkodër. Pastaj i erdhi radha gjermanishtes… E edhe anglishtes…Lahuta u përkthye gjermanisht nga albanologu Maximilian Lambertz (Vjenë 1882- Lajpcig 1963).
Që më 1913 Larmbertz e quajti Fishtën “Dichtergenius”(Poet gjenial), ndërsa “Lahutën e Malcis”, “kryevepër”.
Një vit më pas botoi monografinë “Poezia popullore e shqiptarëve”. Në të citoi, mes të tjerash, vajin e motrës së Avdi Hisës, të cilit Vulo malaziasi i grabiste armët, me gjithë tufën e gjasë (Kanga III: Preja), duke përkthyer gjermanisht vargjet 60-112 e, ç’është më e rëndësishme, filloi krahasimin e epikës së Fishtës, me atë të Homerit, e vajit të Lahutës, me vajin e Akilit mbi Patroklin e të Andromakës mbi Hektorin.1 Për famën e Fishtës si poet, Lambertz shkruan: “Populli i vet e nderoi me titullin Poet kombëtar (nationaler Dichter), ndërsa çmohej edhe jashtë qysh në gjallje të tij”. Viti 1949 në veprimtarinë shkencore të Lambertzit do të meritonte të quhej “Viti i Fishtës”.
Përkthyesi i “Lahutës” në anglisht Robert Elsie shkruan: “Lahuta e Malcis” është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore.
S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15. 613 vargje…
Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet.
Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit.
Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë.
Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”.
Pjesa thelbësore e Lahutës u hartua në fillim të shekullit XX, kurse varianti përfundimtar – nëse ishte tamam përfundimtar – u botua në vitin 1937, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
KOSTAS URANIS: U MUNDA, PA SHKUAR HIÇ NË LUFTË…
K’ të jetën time boshe, prej të gjori,
sodis me një vështrim të stërpërgjumur.
Më ngjan se i bëj roje një vapori,
që tash sa kohë motorët i kanë humbur.
Si ujë i ndyrë, në një moçal të ndenjur
rutinat dhe mërzia më kanë kapur.
Dhe s’ më kujtohet që kur s’ kam dëgjuar
sirenat të më ftojnë në det të hapur…
E kotë – e di dhe vetë! – se dhe që luajnë
një herë në aq, ca flatra të pasionit,
nuk thotë të flakërojë në jetën time
një gaz i madh a dhimbje si e gjonit.
Pa pikë vullneti, me të njëjtët njerëz,
ditët njëlloj po i jetoj, si puft.
Me një maraz që mushkëritë më grryen:
U munda, dhe pa shkuar hiç në luftë…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
PABLO NERUDA: BUKËN E AJRIN HIQMA NË DAÇ, POR BUZËQESHJEN MOS MA MERR!
Poezi nga Pablo Neruda
Bukën hiqma në daç
edhe ajrin hiqma,
por buzëqeshjen tënde lerma.
Trëndafilin lermë,
heshtën që copton,
ujët që papritmas
prej shendit tënd shpërthen
të beftën dallgë argjendi
që prej teje lindet.
E vështirë lufta ime
dhe kthehem sy lodhur,
shpesh, pasi shoh
botën që s’ndryshon,
por ja, buzëqeshja jote më vjen,
kudo më kërkon edhe në qiell
dhe të gjitha dyert
e jetës m’i hap.
E dashur, në çastet
më të rëndë, zbehet
buzëqeshja jote dhe, nëse papritmas sheh
gjakun tim të skuqë rrugën,
ti qesh, sepse qeshja jote
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult