Pse gjykojmë njerëzit duke u nisur nga pamja e jashtme?

Dashnor Kokonozi

Fytyra jonë e keqe.

Nga Dashnor Kokonozi
….
Më qëllon të shoh në fcb portrete personash publikë ose jo. As nuk di gjë e as kam ndonjë mendim për ta. Jam i pa parazituar nga informacione anësore.
Dikur mëson se ndonjëri prej tyre është akuzuar nga drejtësia si i korruptuar, një tjetër si kriminel, tjetri si përdhunues. Befas, portreti tij nuk ka asgjë të ngjashme me atë të mëparshmin.

Në mendjen time ai tashmë i plotëson të gjitha standartet e kriminelit.
Ja, them me vete, duket kjo fytyrë e keqe që është kriminel.
Ka të tjerë që i shoh për herë të parë ditën që shpallen kriminelë. E shoh dhe thua si ka ndodhur që nuk e kanë arrestuar më parë? Ai që në surrat duket se është i tillë.
Nuk e di nëse do të mendoja të njëjtën gjë, pa lexuar etiketën e freskët që i është vënë si kriminel.

Pastaj më ndodhi një herë që një i njohuri im i dikurshëm u akuzua si pedofil. Qe tronditëse për të gjithë. I shihja foton që i nxori policia dhe e mora veten inat si nuk e kisha njohur me parë një monstër të tillë, se ai nuk u bë brenda ditës ashtu. I shihja gjatë portretin. Vërtet që dukej nga fytyra që ashtu kishte qenë gjithë jetën. Dhe unë kisha pirë kafe më të dhe nuk kisha kuptuar asgjë.

Pastaj ai doli i pafajshëm.
I shihja përsëri të njëjtën foto që kishte nxjerrë policia dhe me vete thashë se ishte mjaft normale që doli i pafajshëm. Po të kishte qenë i tillë, unë do ta kisha njohur me kohë nga fytyra…

Pyes shpesh veten pse evolucioni na ka dhënë një cilësi të tillë, pra pse na nxit të gjykojmë natyrën e njerëzve duke u nisur nga pamja e jashtme. Sigurisht, për të mirë e bën. Për të na dhënë një shans mbijetese nëse jemi përballë situatash të tilla. Por ka të ngjarë që edhe natyra nganjëherë harxhon energji në mënyrë të panevojshme. Bën më shumë se sa kemi nevojë.

Po të më kishte pyetur mua (nuk e di ku isha atëherë), do t’i thoja të na mësonte jo të gjykonim, por të mos gjykonim njeri.
Kështu do të kishim më shumë shanse të kapnim të vërtetën.
Por tani është vonë. Zemreku është ngrehur gjenetikisht dhe ne gjithë jetën do të jemi të dënuar të gjykojmë të tjerët.
Për të keqen tonë!

ObserverKult

dashnor kokonozi:
Dashnor Kokonozi

Lexo edhe:

PO TA GJYKOJMË ME KUJDES, VDEKJA NUK ËSHTË AQ SERIOZE SA MARTESA…

GJYKOJMË GRUAN E DIVORCUAR, TË PËRDHUNUAR, GRUAN QË DENONCON…