Pse lexohet kaq pak? Pse kemi kaq pak lexues?

Pse në një popullsi botërore prej rreth 7 miliardë, lexuesit e rregullt janë në shifrën qesharake të një milion njerëzve, ndoshta dy nëse duam të jemi shumë, po shumë optimistë? Dhe nuk dinë se çfarë humbasin…

Nga Pierluigi Battista

Shkalla e arsimimit është rritur shumë, veçanërisht në zonat më të zhvilluara dhe për këtë arsye mbetet pyetja; pse rreth 6 miliardë e 998 milionë qenie njerëzore, shumica e të cilëve nuk janë analfabetë dhe madje duke përjashtuar edhe numrin ende fatkeqësisht të lartë të atyre që jetojnë në kushte mjerimi të plotë, nuk e marrin kurrë një libër në duar? Ata nuk e dinë se çfarë humbasin, dhe kjo, jo për të përsëritur retorikën e zakonshme që librat të bëjnë më të butë, më të civilizuar, dhe më të mirë. Ata nuk e dinë se çfarë humbasin, dhe për shkaqe aspak pedagogjike, sepse, siç shkruante i madhi Harold Bloom, “leximi nuk do të na bëjë qytetarë më të mirë”.

Por nga sa histori të mrekullueshme e privojnë veten analfabetët, të cilët nuk kanë shfletuar faqet e një libri që nga koha e shkollës. Me sa pasione, intriga, emocione, komplote imponuese, informacione të çmuara mund të kishin pasuruar ndjeshmërinë e tyre, të kishin zhdukur urinë e tyre për histori, të kishin kaluar kohën me kënaqësi.

Madje mund të ishin argëtuar, ato gjashtë miliardë e 998 milionë qenie njerëzore aq të pamendta, sa që i mohojnë vetes një argëtim, që ne lexuesve të zakonshëm na duket i domosdoshëm. Jo për snobizëm të neveritshëm, por sepse, siç e thoshte në mënyrë gjeniale Harold Bloom – duke paralajmëruar kundër sofizmave të zakonshme me “qytetarë më të mirë” që duhet të bëhemi me një libër në dorë – “leximi i Shekspirit do të na mësojë të dëgjojmë kur flasim me veten tonë”.

Do të mësonim të “dëgjonim veten”: i mahnitshëm Bloom. Do të mund të deshifronim më mirë gjërat, ato që na shqetësojnë, të kuptojmë nuancat, të pajisemi me armë të reja në luftën e jetës. Por jo: pse nuk e kuptojnë 6 miliardë e 998 milionë njerëz se çfarë humbasin?

Kësaj pyetje të ngritur nga Sandro Veronesi, e pranoj se nuk di t’i përgjigjem. Sepse të lexosh është e lodhshme? Nuk është e vërtetë, e lodhshme është të bësh një gjë që nuk të pëlqen, dhjetë minuta duke bërë një punë që nuk e ke hiç qejf, janë shumë më të lodhshme se sa një orë duke bërë një punë që të pëlqen. Atëherë, pse librat janë të vështirë? Nuk ekzistojnë libra të vështirë, nëse diçka të apasionon dhe të rrëmben, ajo pushon së qëni e vështirë.

Gjuha e gazetave sportive, për shembull, është shumë e vështirë dhe e e ashpër, shumë e zyrtarizuar dhe madje e zhargonizuar për ata që nuk kanë pasion sportin, por nëse jeni të apasionuar deri fanatizëm mund të mos dini anjë fjalë anglisht, por fjalën off-side e kuptoni menjëherë çfarë është.

Nuk lexojnë sepse kërkohet përqëndrim? Por siç është thënë, edhe të luash seriozisht me letra kërkon shumë përqëndrim. Madje edhe të luash Play Station. Sepse librat shpesh janë të mërzitshëm? Po ne shpesh herë ngulemi para televizorit, duke ndjekur bashkë me familjen emisione shumë më të mërzitshme se sa “Tre musketerët”.

Atëherë? Atëherë, nuk e di. Kush e di nëse, kush lexon këto radhë, ka një përgjigje bindëse për të më dhënë. Dhe për të bindur ata 6 miliard e 998 milionë qenie njerëzore që nuk duan të argëtohen me ne. Dhe që nuk dinë se çfarë humbasin.(Il Venerdi )

ObserverKult


Lexo edhe:

LEXIMI I LIBRAVE DUHET TË JETË PRIORITET NË JETËN TUAJ, JA ARSYET SHKENCORE…

Leximi i librave duhet të jetë prioritet në jetën tuaj, ja arsyet shkencore…” nga Christina Desmarais

Më shumë se një e katërta – 26 për qind – e të rriturve në SHBA, e pranojnë se nuk kanë lexuar qoftë edhe një pjesë të një libri gjatë vitit të kaluar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


POEMA E DASHURISË SË PAMUNDUR

Poema e dashurisë së pamundur nga José Ángel Buesa

Sonte kalove kah rruga ime
dhe më sëmboi në shpirt s’e di se ç’etje
por i vetëdijshëm jam për timin fat
që mund të të shikoj vetëm nga larg.

Jo, ti kurrë nuk the që ka pranverë
në trëndafilat e fshehtë të buqetës tënde.
As unë ndryshe s’duhet të të shikoj
pos nga larg dhe vetëm kaq.

E kështu ndonjëherë e qetë dhe e bukur kalon,
ashtu sikur të pashë këtë natë që shkon.
Si një yll të të shikoj duhet unë
që nga larg vështrohet dhe hiç më shumë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult