Publikohet dokumenti sekret: Kadare të mbajë qëndrim për ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave, ose të dalë në anën e armikut

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet një dokument arkivor me siglën “Sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që i përket muajit korrik të vitit 1990, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të mbajtur më dt. 23 korrik të vitit 1990, e cila nën drejtimin e Ramiz Alisë, morri në analizë dhe diskutoj deri me detaje, të gjitha ngjarjet e ndodhura në fillimin e atij muaji, ku me qindra e mijra shtetas shqiptar, të të gjitha moshave, shpërthyen muret e kangjellat e ambasadave të huaja që ishin akredituara në atë kohë në Tiranë dhe u futën aty duke kërkuar që të emigronin jashtë shtetit si azilant politik.

Procesverbali i plotë i asaj mbledhje ku merrte pjesë edhe Nexhmije Hoxha, në funksionin e Kryetarit të Frontit Demokratik të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku përveç tyre, diskutuan edhe sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Foto Çami e Xhelil Gjoni, sekretari i parë i Komitit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranë e anëtar i Komitetit Qendror, Pirro Kondi, etj. Diskutimi i plotë i Ramiz Alisë dhe debatet e tij me pjesëmarrësit e asaj mbledhje, për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, lidhur me mospranimin e tij për të dhënë një intervistë në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku të pronocohej hapur kundër atyre që u futën nëpër ambasada, si dhe “indiferencën e intelektualëve shqiptarë, që nuk thanë asnjë fjalë për ftesën që presidenti francez, Fransua Miterand, i bëri Kadaresë për të shkuar në Francë dhe për të marrë pjesë si i ftuar special, në festimet e 200 vjetorit të Revolucionit Francez”?!

Ky dokument që po publikojmë në këtë pjesë të librit, është me mjaft interes, pasi që prej gati tre dekadash, fatkeqësisht dhe paradoksalisht, është thënë se: Kadare është shprehur për refugjatët që hynë në ambasada në korrikun e vitit 1990, duke i konsideruar ata si: “Jashtëqitja e kombit”. Dokumenti në fjalë është një proces-verbal i mbledhjes se Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të datës 23 korrik i vitit 1990, (plot tre javë pas hapjes së ambasadave) dhe aty marrin pjesë pothuaj e gjithë kupola e regjimit komunist në fuqi, përfshi dhe Nexhmije Hoxhën, si dhe disa të ftuar të tjerë, po funksionarë të lartë të regjimit.

Dhe që në fillim të mbledhjes, Ramiz Alia, i’u bën të ditur të pranishmëve se; “pushtetin nuk do ta lëshojnë pa gjak” dhe në kuadër të kësaj situate, ai jep udhëzimet e nevojshme, ku midis të tjerash shprehet: “Fotoja, Pirroja, dhe ti Lisien, këtu në Tiranë duhet të hartoni një program pune edukative për të ngritur në këmbë opinionin e shëndoshë. Mund të mbani rreth jush edhe disa intelektualë të njohur e me autoritet, si: Dritëro Agolli etj…, se Ismail Kadareja nuk po ndihet”. Pra Ramizi ka informacione të sakta se Kadare, nuk është bashkuar me ta, d.m.th., me regjimin dhe linjën e Tiranës zyrtare. Dhe pyetjes së tij, i përgjigjet Lisien Bashkurti, duke thënë: “Ismailit i kemi shkuar tre herë në shtëpi, për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë”, por nuk pranoi ta përgatiste….”.

Ndërkaq, Ramiz Alia u jep bashkëbiseduesve një përgjigje sa sugjeruese, aq dhe urdhëruese: “Po pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadare nuk pranoi të jepte intervistë?! Kështu do ta vinit para përgjegjësisë morale dhe para opinionit të mbarë rinisë”. Pra siç shihet dhe nga këto që cituam më lart, Ismail Kadare, nuk është shprehur fare ndaj atyre shqiptarëve që hynë në ambasada, edhe pse i kanë shkuar tre herë në shtëpi për t’ia kërkuar me ngulëm atë gjë.

Dhe tërbimi i Ramiz Alisë ndaj qëndrimit të Kadaresë që s’pranoi të bëhet pjesë e korit apo propagandës së partisë për të sulmuar njerëzit e ambasadave, shkon më tej. Në vijim të mbledhjes, ai aludon dhe akuzon hapur Kadarenë, se: është vënë në shërbim të Perëndimit dhe u bën thirrje intelektualëve shqiptarë që të shprehen hapur në shtyp kundër tij dhe presidentit francez, François Mitterrand, që sipas tij (pra Ramizit), ftoi Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në atë kohë, “kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe villte vrer kundër Shqipërisë”. Ashtu si dhe pjesa tjetër e dokumenteve që publikohen në këtë libër, edhe ky jepet i plotë.

                              Procesverbali i mbledhjes së 23 korrikut 1990  

                                                                                                                           Sekret Mbledhje e Sekretarëve të K.Q. të Partisë  

                                                                                                                    23 Korrik 1990

Në këtë mbledhje shoku Ramiz Alia trajtoi disa konkluzione, probleme e detyra që dalin nga zhvillimi i situatave të brendshme e të jashtme, veçanërisht pas ngjarjeve të 2 Korrikut 1990 në Tiranë.  Ai porositi sekretarin e K.Q. të Partisë shokun Foto Çami, sekretarin e K. Q. të Partisë së rrethit të Tiranës shokun Pirro Kondi, dhe sekretarin e parë të K. Q. të PPSH-së Lisen Bashkurtin, të marrin kontakte direkte me masat sidomos me rininë studentore e intelektualët, të ndërtojnë një program pune të kualifikuar e të larmishëm dhe të bashkërendojnë më mirë tërë punën edukative.

Zhvillimi i mbledhjes.

SHOKU RAMIZ ALIA: Desha të bisedoj sot me ju për situatat dhe ngjarjet që po kalojmë. Kurrë ndonjëherë imperialistët reaksioni dhe tërë armiqtë e komunizmit nuk janë hedhur kundër tij me një sulm kaq të tërbuar sa tani. Ata synojnë të zhduket kudo fara e socializmit dhe e komunizmit. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se Shqipëria ndodhet në qendër të këtij sulmi: Synohet të përmbyset pushteti ynë popullor, të shuhet socializmi. Këto synime spikatin akoma më qartë pas ndryshimeve e ngjarjeve që ndodhën në Evropën Lindore, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik. Prova më e re për këtë janë ngjarjet që po ndodhin në Bullgari. Presidentin Mlladenov e hoqën edhe pse e kishin zgjedhur me votime pak kohë më parë. Edhe atje, po e marrin pushtetin forcat e hapura antikomuniste siç ndodhi në Çekosllovaki e Hungari. Sipas kushtetutës së re që kanë bërë, presidenti mund të ndryshohet, ai mund ta mbyllë parlamentin dhe të bëjë zgjedhje të reja që të fitojë partia e tij. Këto synime forcat e reaksionit kërkojnë t’i realizojnë edhe në Shqipëri.

SHOKU FOTO ÇAMI:  Kjo është pikënisja, çështja themelore në bazë të së cilës duhet gjykuar për çdo ngjarje, për çdo qëndrim.

SHOKU RAMIZ ALIA:  Njerëzve tanë duhet tua bëjmë shumë të qarta synimet e armiqve. Të bisedohet shtruar me të gjitha kategoritë: punëtorë, fshatarë, shkrimtarë, artistë etj. Tu thuhet që shtrohet çështja për ta mbrojtur pushtetin tonë, Shqipërinë, socializmin. A jeni ju për t’i mbrojtur këto, çka kemi me të vyerat, apo kërkoni t’u nënshtrohemi kërkesave e tekave të borgjezisë, imperializmit e reaksionit? Duhet tu bëhet e qartë gjithashtu se në ç’rrugë kërkon t’i realizojë reaksioni këto synime. Veçantia e situatës së sotme është se armiqtë përpiqen që t’i realizojnë synimet e tyre jo në rrugë violente, ushtarake, me okupacion, por në rrugë  paqësore dhe për këtë qëllim po përdorin tri armë të forta: E para, kërkohet demokraci, por në kuptimin që i jep këtij termi borgjezia: Kjo demokraci për borgjezët, për reaksionin, për anti-komunizmin. Kjo demokraci synon tu hapen rrugë e mundësi çdo qëndrimi e veprimi anti-komunist dhe të përpunohet opinioni sipas interesave të borgjezisë. E dyta kërkohet pluralizëm.

Disa njerëz nuk e kuptojnë se ku synon pluralizmi që pretendon e inkurajon borgjezia dhe mendojnë me mendjelehtësi se nuk ka ndonjë të keqe të ketë në dy-tri parti. Por kjo do të thotë të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thjesht luajale, po një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor. Në Shqipërinë e sotme nuk mund të krijohet asnjë lloj opozite serioze kundër PPSH-së, sepse askush nuk ka influencë t’i kundërvihet terrenit në të cilin ka qenë e ka luftuar deri dje. Cilido punonjës, intelektual, shkrimtar, apo shkencëtar i kësaj toke dhe i socializmit nga gjiri i të cilit ka dalë, është bashkudhëtar i tij dhe nuk mund të dalë kundër. Por reaksionit i duhet një njeri i tillë, i duhet një parti që të jetë antisocialiste, antikomuniste. Kështu e kërkoi, dhe e gjeti në Çekosllovaki, një Havel se nuk i hynte në punë Dubçeku ngaqë ishte i kompromentuar me komunizmin.

E kërkoi dhe e gjeti një të tillë në Hungari. Dhe ja së fundi tani në Bullgari po ndodh e njëjta gjë. Njerëzit tanë nuk e kuptojnë se krijimi, i një opozite antikomuniste në Shqipëri do të thotë t’i hapet rrugë pajtimit kombëtar, tu hapet rrugë disa emigrantëve të shitur të vijnë e të krijohet parti këtu, shkurt të vijnë dollarët amerikanë dhe të blejnë votat e popullit tonë. Ajo nuk mund të jetë kurrë opozitë politike në kuptimin demokratik të fjalës, por një parti e formuar nga njerëz “të hurit e të litarit”, që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e me atdheun, pas nocioneve të të cilëve fshihen. Këta njerëz mund t’i pasojnë element të tjerë brenda vendit, qofshin vagabondë, të rinj të fantaksur apo dhe ndonjë element intelektual që përtej “demokracisë” mendon se “zbulon Amerikën”.

Modelet e partive e të idealeve të tyre të kopjuara do t’u ngjallin filialet e partive gjermane, të subvencionuara prej tyre në Hungari apo në Çekosllovaki. Shembull tipik i përpjekjeve të tilla në vendin tone, ishte aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizmi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve tanë nëpër ambasada. Pra pluralizmi që armiqtë u përpoqën ta inkurajonin, nuk është një pasqyrim i demokracisë, por një mjet për të likuiduar pushtetin popullor në rrugë paqësore, nëpërmjet votave të blera, korrupsionit, presionit politik dhe ekonomik. Kjo është sot arma e preferuar e reaksionit. Mund t’u sjell disa shembuj për ta argumentuar këtë ide. Mjafton t’u përmendim vetëm zhurmën e madhe propagandistike e premtimet e bujshme që i’u bënë Polonisë për t’i dhënë miliarda, në qoftë se pushtetin do ta merrte Solidarnosti.

Synimi i reaksionit ishte të siguroheshin vota për Solidarnostin, por më pas asnjë ndihmë në para nuk iu dha Polonisë. Të njëjtat premtime iu përsëritën tani Rumanisë dhe Bullgarisë, që shpresonin të merrnin kredi pasi të zhvilloheshin zgjedhjet e lira, por si qeveritë dhe masat, mbetën të zhgënjyera. E treta armë që përdor reaksioni dhe borgjezia është tregu i lirë nëpërmjet të cilit ajo synon që në vendet ish-socialiste, t’i bëjë restaurime pronës private, sidomos asaj të madhe. Kështu pluralizmi politik gjen mbështetjen e vet në pluralizmin ekonomik, me anë të të cilit prona shtetërore socialiste shkatërrohet e shndërrohet në pronë private. Dihet që çdo parti shpreh interesat e një klase të caktuar, ose të përfaqësuesve të një lloji të caktuar prone. Një parti agrare ta zëmë, nuk mund të shprehë kurrë interesat e fshatarësisë kolektive, sepse ajo do të ishte për mbrojtjen e interesave agrare, që toka të jetë pronë private e fshatarit. Vetëm partia Komuniste shpreh interesat e pronës shoqërore.

Pra pluralizëm politik dhe ekonomik do të thotë vdekje e pushtetit popullor ose një kundërvënie legale ndaj tij. Kaq i vërtetë është ky konkluzion, sa që edhe deklaratat e fundit të Tregut të Përbashkët për ndihmat e kreditë që do t’ju jepen vendeve të Evropës Lindore, dolën posaçërisht për të inkurajuar tregun e lirë dhe privat. Në këto tre drejtime, reaksioni i jep rrugë planit për përmbysjen e pushtetit popullor. Tek në prirjet për pluralizëm partish, reaksioni i ushqen duke hedhur idenë e pajtimit kombëtar. Para pak kohësh u zhvillua në Lubjanë një i ashtuquajtur Manifestim Kulturor Gjithëshqiptar, ku ishte ftuar dhe Ismail Kadare. Ideja që të mos politizohet letërsia, por të njihet e studiohet në tërë vlerat e saj, veçanërisht letërsia e shekujve të kaluar, duke mos gjykuar nga kriteri ideologjik, por nga fryma kombëtare etj, është shfaqur edhe ndonjë intelektual e studiues i yni. Dhe ja, “dardha e ka gjithmonë një bisht prapa”.

Në bazë të kësaj ideje qëndron fryma e pajtimit kombëtar që përshkoi edhe Manifestimi Kulturor të Lubjanës. Nën petkun e pajtimit kombëtar synohet të luftohet komunizmi, pushteti popullor në Shqipëri. Ndryshimet e situatave dhe ato në marrëdhëniet midis vendeve reaksioni përpiqet ti shfrytëzojë në interes të vet. Për shembull, thuhet se Gjermania që pushtoi, vrau e u shkaktoi vuajtje miliona njerëzve u bë aleate me Bashkimin Sovjetik. Ose këtu tek ne, ndonjë bën analogji të tilla: Kur me Gjermaninë që na pushtoi e na vrau, sot kemi lidhur marrëdhënie diplomatike, ç’kuptim ka të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit? Sipas kësaj logjike, në komunistët duhet të heqim dorë nga idealet tona, të pajtohemi me reaksionin e të shkatërrojmë gjithçka kemi arritur e ndërtuar me mund e sakrifica?!

Askush nuk i ka shërbyer imperializmit më shumë se komunistët jugosllavë, megjithatë sot ai as ata komunistë nuk i do. Nuk e do më as Dolancin, as Shuvarin, as Puçnikun që mori pushtetin në Slloveni, as Millosheviçin në Serbi, por do njerëz si Tuxhmani, do çetnikë e ustashë, do që të mos ekzistojë asnjë fjalë socializëm e komunizëm. Duhet të jetë i qartë për komunistët, rininë, patriotët e mbarë njerëzit tanë ky kuadër ngjarjesh, synimesh e sulmesh armiqësore që i kanosen Shqipërisë. Këtej del konkluzioni e detyra për ta mbrojtur pushtetin popullor, socializmin e fitoret tona. Kjo është njëra anë e problemit. Ana e dytë është se, për të realizuar synimet e tyre, armiqtë do të përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e të metat tona, vështirësitë dhe mungesat në ekonomi, faktorë objektivë e subjektivë që mund të çojnë ujë në mullirin e tyre.

Në këto situata është e domosdoshme të luftohet me këmbëngulje të metat e gabimet e njerëzve tanë, të distancohemi nga ato me të cilat nuk mund të pajtohemi dhe që armiku mund t’i shfrytëzojë. Nuk duhet të marrim në mbrojtje veprime e qëndrime të padrejta. Në qoftë se polici, për shembull për një shkak të parëndësishëm, përdor dhunën ndaj qytetarit, duke dalë jashtë kompetencave të tij, duhet thënë se ky veprim është i gabuar dhe ta dënojmë. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për kufitarin, që në krye të detyrës, qëllon me armë dikë që tenton të kalojë kufirin.

Gjatë kufirit tonë me Greqinë janë afruar grupe të mëdha diversantësh. Ku ta dijë kufitari se ai që kalon kufirin nuk është një diversant që ka hyrë e kërkon të dalë? Ku ta dijë ai se ky njeri nuk ka me vete drogë apo nuk është një vrarës? Kufitari i thotë “ndal” shkelësit të kufirit dhe atë që nuk ndalet e qëllon. A mund ta bëjmë fajtor pse qëlloi!? Jo, ai bëri detyrën. Por në kolektivin e Kinostudios një shok qenka shumë i shqetësuar për këtë problem dhe kërkon përgjigje. Nuk është e vështirë dhe s’ka pse të ngurrojmë për t’i dhënë menjëherë përgjigjen që kërkon, Foto. Ç’do të bënte, për shembull roja i Kinostudios, në qoftë se dikush do të përpiqej t’i hynte për të djegur arkivin e filmit?/Memorie.al

LEXO EDHE: Ismail Kadare dhe bashkëshortja heqin përfundimisht dorë nga Franca