Publikohet lista e filmave garues të “Dokufestit”, ja kush merr pjesë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest” ka shpallur programin e plotë të filmave garuese për edicionin e 20-të.

Edicioni i 20-të i “DokuFestit” do të mbahet nga 6 deri më 14 gusht në qytetin historik të Prizrenit dhe në platformën online.

“DokuFest” ka bërë të ditur se për këtë edicion do të prezantohen 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës, të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese.

Pothuajse të gjithë filmat që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre kosovare, duke e bërë “DokuFestin” platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.

Tema e festivalit për këtë edicion do të jetë “Re:set Re:mix Re:act”.

Përveç programit të shpallur tashmë që feston 20-vjetorin e festivalit, të titulluar “20 For 20: Replay”, si dhe programin e filmave që kanë të bëjnë me muzikë, me titull ”Sonic Experiments: Music on Film”, “DokuFest” do të vazhdojë të bëjë publike programe të tjera nga lista e tij e plotë në ditët në vijim, transmeton ’21Media’.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i “DokuFestit”, citohet të ketë thënë se edhe këtë edicion, pavarësisht sfidave “DokuFesti” vazhdon të jetë i përkushtuar në sjelljen e më të mirës së kinemasë botërore në Prizren dhe në Kosovë.

“Ne jemi të entuziazmuar që po kthehemi me një tjetër program eklektik që sigurisht do të habisë, mahnitë, prekë dhe do të nxisë audiencën tonë”, ka thënë Nurkollari.

Për më shumë infomacion lidhur me këtë festival klikoni në linkun më poshtë: https://dokufest.com/al/programme