Pyetësorit të Prustit i përgjigjet gazetari dhe shkrimtari, Alfons Zeneli.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia është term i komplikuar. I komplikuar po aq sa dhe vetë ajo. Këtë e tregon dhe fakti që askush nuk mund ta definojë kuptimin e saj. Mendoj se lumturia është një trajtë lëvizëse dhe pa formë. Shfaqet, largohet, vjen ose nuk vjen kurrë. Besoj se ajo është çast dhe njeriut mund t’i mjaftoj. Sepse ajo është çast i llojit të Big Beng-ut. Aq mjafton për të krijuar një gjithësi. Gjithsesi, për mua lumturi është të shkaktosh gëzim tek të tjerët. Çdo copëz e tillë përbën lumturinë e madhe të njeriut.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika e ndjek njeriun nga pas gjatë gjithë jetës. Është gjithmonë brenda tij. Çdo njeri ka frikërat e veta. Unë kam frikë nga frika dhe nga turpi. Frika shkakton reaksione negative në shpirtin dhe karakterin e njeriut. Këtu përjashtoj frikën si reagim ndaj kërcënimit të ekzistencës. Ato lloj reaksionesh që thashë pak më lart, nuk janë të pranueshme për natyrën time.
Kur frikësoshesh të vjen vetvetiu të dredhosh, të fshihesh gjëra të cilat e tkurrin njeriun. Ia gërryejnë personalitetin, sovranitetin, dinjitetin. Unë përpiqem të krijoj mure të forta mbrojtëse ndaj kësaj ndesi, ndaj frikës si element të cilin ne gjithsesi e kemi brenda vetes. Thjesht përpiqem të mos e ushqej kurrë.
Frika ime më e madhe ? Nuk e di. Nuk besoj se e kam një të tillë. Normalisht, tek njerëzit në përgjithësi frika më e madhe rezulton të jetë vdekja si fenomeni më tronditës e dramtik i jetës. Mua kjo nuk më shkakton frikë. Nëse kam ndonjë tjetër, nuk janë për t`u përmendur.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Një nxënës (në mos gabohem bolivian) i cili për vite me radhë i mësonte, lexonte dhe bënte detyrat e shkollës poshtë llampës së neonit në rruge pasi në shtëpi nuk kishin rrymë për shkak të varfërisë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Kardinal Mikel Koliqi. Një shembëllim i madhështisë së përvuajtur. Erudit, poliglot. Një bibliotekë lëvizëse biologjike. Vuajti madhërishëm në burgjet e skëterrshme të komunizmit. Gjatë një interviste, një gazetare i tha: ju kanë zgjedhur si Kardinal, me siguri nga që jeni i ditur dhe keni vuajtur në burgje. Jo, u përgjegj ai. Ndoshta nga që kam qenë më i moshuari. Shikoni se çfarë thjeshtësie , se çfarë standarti i epërm njerëzor.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Si gjithë të tjerët edhe unë mëkatar jam. Sigurisht kemi tipare që do të duhej të mos i kishim. Ajo që ndoshta me bie më shumë në sy është natyra ime jo fort e organizuar. Mbase jam spontan shumë më shumë nga çdo të duhej të isha. Gjithashtu nuk jam shumë insistues për projektet, për planet. Nuk më pëlqen të marr gjëra nëpërmjet insistimit qofshin dhe gjëra shumë të rëndësishme.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Babëzia. Babëzia është mëkati ekstrem. Një njeri i sëmurë nga babëzia ështe i ekspozuar automatikisht përballë të gjitha mëkateve të tjera. Sepse ajo shkakton një çrregullim total të sistemit motorik të karakterit. Babëzia e nxjerr individin në mënyrë të pakthyeshme nga orbita e njerëzores. Edhe mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
Ndoshta vetëm me duhanin. Jam duhanpirës normal. Se ka edhe më keq… Por, gjithsesi do të doja të konsumoja më pak.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Si çdo gjë edhe gënjeshtra ka ato ngjyrimet dhe llojet e veta. Kështu janë të gjithë elementet e karakterit të njeriut. Do të gënjeja nëse do bëhej fjalë për rrezik jete. Do të bëja gënjeshtra të bardha me qëllim moslëndimin e njerëzve. Nuk do gënjeja kurrë nëse kjo cenon qetësinë me statusin e një njeriu tjetër qoftë dhe i panjohur. Nëse jam sëmur, ta zëmë, do gënjeja që nuk jam. Do gënjeja për të bartur barrën e mikut.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Të gjitha janë të preferuar. Unë i përjetoj ende udhëtimet si fëmijë. Më japin shumë emocion, adrenalinë. Një nga çastet më të gëzueshme për mua është ai kur sapo nisem në një udhëtim. Por ato me te preferuarat janë kur rrugëtoj për Tropojë dhe për në Prishtinë. Me të dy këto qytete më lidh një dashuri thellësisht iracionale.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Shprehjen ” sipas meje”.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jeta e njeriut për nga intensiteti është shumë e gjatë dhe e larmishme. Në këtë gjeografi të gjerë përjetimesh është e natyrshme që mund të ketë shumë gjëra për të cilat ndjejmë pendesë. Kjo që do të them tani ndoshta duket pak kontradiktore por unë nuk kam pendesa. Nuk jam penduar që kam dashur apo besuar njerëz të cilët nuk e meritojnë, nuk jam pezmatuar nga zhgënjimet, nga pabesitë, nga mosmirënjohja, nga hipokrizia. E vetmja gjë që më kujtohet si peng është se do kisha dashur të kaloja më shumë kohë me prindërit dhe fëmijët gjë që nuk kam mundur ta bëj plotësisht edhe për shkak të profesionit.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Kjo është një pyetje sa e zakonshme aq dhe e bukur e me vend e po aq dhe e vështirë. Në konceptin tim dashuria është një pushtet i gjerë dhe i pakontrollueshëm. Ne thjesht pluskojmë në të. Përmasat e saj të pafundme lejojnë të duash më shumë se një, më shumë se dy.
Atdheu, gjuha, prindërit dhe fëmijët.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Momentalisht tek unë spikat shqetësimi. Unë jam njeri shumë social dhe duke parë se sa shumë fenomene negative e antivlera po marrin “qytetarinë” në shoqërinë shqiptare, ndjehem shumë keq. Gjendja skandaloze në të cilën ndodhet Shqipëria, përbën një shqetësim pushtues tek unë. Këtu nuk përjashtoj as Kosovën që për mua është e njëta gjë si Shqipëri.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nuk jam aspak narcist, përkundrazi. E lejoj ndërgjegjen të më qortojë sa të dojë. Por diskutimi i kësaj pike është shumë teorik në vetvete. Nëse tani në këtë moshë dhe i ngarkuar me një jetë shumë intensive, me dendësi të madhe ngjarjesh e përjetimesh, me eksperienca të shumta rri e shoh atë që ka kaluar, më krijohet bindja se pasuria shpirtërore që kam krijuar do të mund të krijohej vetëm kështu. Prandaj një mundësi për të retushuar jetën, unë do ta refuzoja.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Personaliteti im njerëzor, profesional dhe respekti i njerëzve. Dashuria e njerëzve. Nuk mendoj se ka arritje më të madhe se sa kjo në jetën e njeriut.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nëse e keni fjalën për tek vetja nuk do të ndryshoja asgjë. Nëse e keni fjalën për përgjithësinë e jetës, atëherë ka shumë gjëra. E nëse ka shumë, misioni sa vjen e bëhet më i pamundur.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pyetje e mrekullueshme. Nuk di çka të të them për ndonjë send të preferuar. Por do të kisha zgjedhur të kthehesha në pemë, delfin ose ujk.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Kujtimet, fotografitë e familjes e të shokëve. Poezitë të cilat edhe ato janë gjithashtu foto të çasteve shpirtërore.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimi më i madh i kohës së sotme është triumfi i sipërfaqes mbi përmbajtjen dhe pasurimi i shpejtë i injorantëve.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Me rastin e teknologjisë tashmë mundësitë tona për të udhëtuar e për të parë pa qenë e nevojshme të udhëtosh janë zgjeruar. Për pasojë tashmë kemi një diapazon më të zgjeruar, fushëpamje më të madhe. Ndaj dhe numri i mundshëm i vendeve të preferuara për të jetuar është rritur. Por unë më shumë preferoj zona me zhvillim jo shumë të madh urban sikurse është Tirana fjala vjen jeta në të cilën tashmë është një mundim i madh. Më shkojnë ndërmend qytezat e vogla austriake. Aty do të doja.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Cilësia ime më e veçantë është fuqia për të falur dhe durimi.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Në fakt burri ka shumë detyrime. Ka shumë veti esenciale që e certifikojnë burrin. Por sipas meje, një veti e bukur që duhet ta kenë burrat është mosmarrja me thashetheme, mostransmetimi i bisedave. Burri duhet të jetë një përçues shumë i keq i muhabeteve. Siç thashë ka dhe tjera natyrisht. Por kjo është vendimtare për ta dalluar nga burracakët.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Tek gruaja do të vlerësoja më shumë nga të gjitha vetitë intelektin. Gratë e lexuara e të ditura janë qenia më e bukur e botës.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Eh.. Në art është shumë e vështirë të thuhet. Tolstoi, Cvajg, Buxati. Kjo është pyetje shumë rënde..(shaka). Më duhet të përmend dhe Azem Shkrelin.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Në një prej pyetjeve të mëparshme përmenda një rast të një djaloshi nga Amerika Latine që studionte nën dritat e rrugës. Në Shqipëri, në Tiranë, në Prishtinë, Gjakovë, Shkodër e kudo ka plot njerëz të këtij kalibri që me fuqinë e shpirtit të tyre sfidojnë materien. Njerëzit që me një durim epik sigurojnë jetesën në kushte vështirësish ekstreme. Heroj tipik për mua personalisht janë ish-të burgosurit politikë. Shembujt e tyre e kalojnë imagjinatën. Nëse Shqipëria do të ishte një vend normal, shumë figura ish-të burgosurish do të njiheshin në mbarë botën si shembuj të triumfit të njeriut mbi bishën. Këta janë heroj.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Muzikën dhe pikturën.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Nuk e mendoj. Unë jam fatalist. Nuk më shqetëson e tremb ardhja e saj. Ndaj nuk di të zgjedh ndonjë mënyrë për momentin. Por besoj do të doja diçka që t’i trishtonte sa më pak të jetë e mundur ata që do të mbeten pas.
Cila është motoja juaj?
T’i bëj gjërat me dashuri të madhe.
ObserverKult
Lexo edhe: