Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Artan Gjyzel Hasani.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Unë nuk besoj te lumturia, aq më pak te përkryerja e saj. Në një arsyetim ideal, lumturia e përkryer do të ishte ajo gjëndje ku njerëzit i japin mundësi njëri tjetrit të jenë vetvetja pa asnjë kusht.
Cila është frika juaj më e madhe?
Lartësitë, por jo fluturimet.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njeriun që dua.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Asnjëri.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjykimi i vetes.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
Mirëbesimi.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga e panjohur, pak rëndësi ka mjeti, mjafton që ajo rrugë të kalojë nga shpirti.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dreqi ta hajë…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kur kam zhgënjyer njerëz që më kanë dashur shumë, sidomos tim atë…
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta, përderisa akoma nuk e kam braktisur.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Poetike dhe anormalisht e shëndetshme.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tekvetvetja, cila do të ishte ajo?
Vendndodhjen e trurit. Do të ishte më mirë të ndodhej pranë zemrës.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Rritjen dhe edukimin e tim biri.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Shpejtësinë e rrjedhës së saj. Do ta ngadalësoja.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftësi njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nuk e kam menduar kurrë, por besoj ky që jam.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Unaza e tim eti që qëndron në gishtin tim qëkur ai u largua nga kjo jetë. E shtrenjtë në çdo këndvështrim…
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Zvarritjen.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një nga ishujt e vegjël të Egjeut.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mendjen e hapur.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Inteligjencën, thënë ndryshe, aftësinë për t’i dhënë mundësi tjetrit të tregojë sa budalla është.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Leonard Cohen.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që i mbijetojnë banalitetit.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të këngëtarit.
Si do të dëshironit te vdisni?
Në gjumë.
Cila është motoja juaj?
Në krah kam një tattoo të vjetër ku shkruhet “Follow your heart & f..k the rest”./Gazeta Observer