Pyetësori i Prustit/Besim Rexhaj: Mosmirënjohjen nuk mund ta gëlltis!

besim rexhaj pyetesori i prustit observerkult

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet profesori Besim Rexhaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Lumturia e përkryer? Edhe lumturi e edhe e përkryer! Ka një të tillë?! Vështirë se mund të ketë! Lumturia si gjendje, si gjendje shpirtërore, ndjenjore, si proces, si përjetim, është konstrukt i yni dhe, si e këtillë, është gjendje e proces i përkohshëm dhe, duke qenë e tillë, mund të flas për faza, për momente, për përjetime lumturie në një situatë psikologjike a në një situatë tjetër jetësore!…Pastaj, kur e vëzhgon nga një perspektivë e gjerë kuptimin dhe përjetimin e lumturisë, është tejet relative dhe, si e tillë, ajo që për dikë është lumturi e përjetim i saj, për dikë tjetër nuk është, madje është krejt e kundërta!…Edhe një gjë të vogël: lumturia është iluzion, qoftë pse ne jemi mësuar që si lumturi të trajtojmë e konsiderojmë diçka iluzore, të konstruktuar, të paqenë, qoftë pse shpesh, mungesën e dhembjes e të frikës, të ngjyrosur me pak tone gëzimi,  e quajmë lumturi…Duke qenë e këtillë, në këtë botë të paradokseve hamletiane, nuk gjakoj asgjë më shumë se sa kënaqësinë e qetësinë, një kënaqësi sublime, dhe gatishmërinë që të përballem me dhembjen e me vuajtjen e pashmangshme të jetës, që, në forma të ndryshme, janë bashkudhëtare të jetës së njeriut dje e sot…  

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika nga e papritura, frika nga humbja e njerëzve tanë të dashur, frika nga ikja e parakohshme e më të dashurve tanë…Ajo frika se, një ditë, sado me ngulm përpiqesh, sado investon veten në projektet e ëndrrat krijimtare, ia beh papritur fundi, atëherë kur nuk e pret, kur sëmundja dhe vdekja ecin me hapat e tyre të pahetueshëm drejt teje e më të dashurve tuaj dhe mund të të zënë në kurth dhe kur fati i më të dashurve tuaj mund të duket se lëkundet e varet në një pe të hollë të jetës…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Është e vështirë të adhurohen të gjallët, sepse, nga ndryshimet e zhvillimet e papritura, mund të zhgënjehesh…Ka persona, të cilët i respektoj, shumë madje, por të adhurosh dikë është e vështirë…Mbase një psikiatër e shkrimtar amerikan, Irvin D. Yalom, me romanet dhe veprat e tjera të të cilit e kam kaluar gjithë verën e vitit që shkoi, është personaliteti që e adhuroj, para së gjithash për gërshetimin fatlum të artit, të psikologjisë e filozofizë në veprat e në jetën e tij të gjatë e kreative…edhe në moshën e tij të shtyrë, tash 93 vjeç,  aktiv dhe i kthjellët, produktiv – a nuk është për adhurim?!….

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Nëse ka një tillë, ai është Skënderbeu, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, filmin për të cilin, vite e vite, së bashku me familjen time, e kemi shikuar me dashuri e kënaqësi, film i cili, pothuajse sa herë e kemi shikuar ashtu bashkë me familjen time në Festën e 28 Nëntorit, na ka bërë me lot në sy… Dhe jo pse Noli ynë i madh shpesh, siç e rrëfen ai vet, është identifikuar me Skënderbeun, por ngaqë, ashtu siç e njoh, nga librat, nga historitë e dokumentet e shkruara për te, ai është krejt i pazakonshëm… Prej këndej fëmijët e mi, vajza dhe djali im, kanë emrat e bukur e të veçantë, Donikë e Gjergj…    

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ahhh, sikur të ishte vetëm një tipar….Pa humor, e them se nuk pëlqej te vetja luhatjen dhe zvarritjen në vendime e në mendime që, mbase, sado mund të burojë nga kujdesi im, nga frika se mos nxitohem, jo rrallë më ka shkaktuar telashe e ndërlikime të panevojshme!… 

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mosmirënjohja! Mund t’ua falë të tjerëve lëshimet, gabimet, veprimet e dëmshme e të pamenduara, por mosmirënjohjen nuk mund ta gëlltis! E dini si e përjetoj këtë – si një mohim nga tjetri i energjisë sate, i përkushtimit, i kujdesit tënd, i asaj që ti, mbase edhe duke sakrifikuar, heq dorë prej saj vetëm e vetëm që tjetrit t’i ndihmosh, kurse ai nuk e pranon këtë, nuk e njeh!…Pas mosmirënjohjes fshihet një burim i madh i të këqijave të individit apo edhe të popullit, jo vetëm papjekuria e individit dhe e popullit apo e kombit, po edhe kufizime  e ligësi të tjera!…

Në cilat gjëra e teproni?

Duket e tingëllon paradoksale, por nganjëherë, me më të dashurit e mi e edhe me të tjerët, e teproj me kujdesin e me durimin e, ndonjëherë, krejt paradoksale, e teproj edhe me reagimet e papritura e të fuqishme, për të cilat nganjëherë pendohem më shumë e nganjëherë më pak!!…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Ideja apo qëllimi se, duke iu shmangur të së vërtetës, në një situatë të skajshme jetësore, mund t’i shërbejë mirëqenies së njeriut të dashur e të respektuar, se mund ta shpëtoj nga dhembja e rëndë apo e papërballueshme njeriun e dashur e të pafuqishëm, por të drejtë!…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Kudo të kem shkuar, sado i bukur e i paharrueshëm të ketë qenë udhëtimi, sado të veçanta të kenë qenë pamjet apo përjetimet e një rrugëtimi brenda apo jashtë vendit, kthimi në shtëpinë time është rrugëtimi im i parapëlqyer – ajo adresa që më fal gëzim, paqe e qetësi dhe këtu e kam fjalën, jo vetëm për kthimin në shtëpinë time, por në vatrën time familjare…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Janë disa sosh: Ehhh!…Cka të them!…Si ta them!.. E pooo!.. Do të doja!…Mbase!…Më duket se shprehjet e këtilla, ndryshe prej ca njerëzve të tjerë, jo të paktë, që i thonë për të bërë përshtypje, i them ngaqë nuk them as shpejt e as lehtë PO, JO, ASSESI etj.  

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Kur kam premtuar dhe nuk i kam dal zot premtimit tim…Dhe, ndjenja e keqardhjes dhe e pendesës ka ndodh dhe ka trokitur në ndërgjegjen time, madje edhe atëherë kur gjërat nuk kanë qenë në dorën time…E dini, premtimi i pasendërtuar godet dyfish – së pari atë që e jep e, pastaj, edhe atë, të cilit i jepet dhe, rrjedhimisht, njeriu kaplohet nga ndjenja se e braktis një pjesë të vetvetes e, sigurisht, edhe tjetrin!…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Familja ime, fëmijët e mi, zhvillimi, mirëqenia dhe realizimi i tyre jetësor!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Është një gjendje e pritjes, pastaj një prirje e kthimit nga vetvetja dhe e përgjimit të burimeve të mia të brendshme, një gjendje e një ankthi të lehtë dhe e një ndjenje të mirë e të kënaqshme e vet-realizimit, që më ka shoqëruar kohët e fundit pas shumë pune e përpjekjesh dhe dorëzimit të një librit tim tek botuesi…Një nevojë për meditim dhe kthim më të shpeshtë nga vetvetja…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ehhh, prapë po e them: sikur të ishte vetëm një gjë, të cilën do të doja ta ndryshoja!…Dua të them se, edhe kështu si jam dhe me këto që kam, jam mirë dhe i kënaqur me vetveten, por unë besoj thellësisht se njeriu, në rastin konkret unë, duhet dhe mundet të pasuroj vetveten, të përmirësoj dhe të ndreq e të shmang të metat e mia!…Unë besoj se individi ka kapacitete të mëdha, pothuajse burime të pashtershme të energjive e të mundësive, të cilat, për fatin e keq të njerëzve, zakonisht, jo që nuk shfrytëzohen e nuk vihen në shërbim të rritës e të realizimit të tyre vetanak, të asaj që C. G. Jungu e quan INDIVIDUIM,  por shumica e njerëzve as që janë të vetëdijshëm për këto potenciale dhe vetëm e bëjnë jetën sipas programeve sociokulturore të caktuara të shoqërisë, duke u bërë, pavetëdijshëm, rob të idealeve (dogmave), të cilat programuesit e shoqërive të konsumit masiv i plasojnë si norma të vlerave shoqërore!…
Së këndejmi, është krejt afër mendsh që njerëzit, përgjithësisht, në kohën e shprishjes së sistemit të vlerave, të perceptojnë si sukses kultivimin dhe përqafimin e vlerave të dyshimta, kiçerike, pseudo-vlerave dhe që, rrjedhimisht, duke qenë viktima të konceptit socialisht të konstruktuar të kultit të suksesit, të SUKSESIT  TË JASHTËM,  të konsiderojnë arritje jetësore, intelektuale, financiare etj.,  arritjet e tyre edhe atëherë kur këto arritje ndërtohen mbi themele problematike, të paqëndrueshme… Në këtë frymë të shtjellimit, e them se do të doja të kisha më shumë guxim, jo që më mungon guximi, por do të doja të kem edhe më shumë guxim për të bërë ndryshime te vetja e, mbase, edhe tek të tjerët, apo që t’a frymëzoja ndryshimin tek tjetri, tek të tjerët!
Ne, me kalimin e viteve e të dhjetëvjetëshave, ndërtojmë hartat tona mentale e psikologjike, ndërtojmë kufijtë e përjetimit e të veprimit tonë vetanak dhe çdo kalim apo tejkalim të këtyre kufijve të hartave tona mentale e përjetojmë si lëshim të zonës së rehatisë, të asaj që i thonë comfort zone, pra, çdo dalje nga ajo zonë e përjetojmë si rrezik dhe rrezikim të realitetit tonë, si prishje të mundshme të drejtpeshimit psiko-social… Dhe prandaj zmbrapsemi nga veprimet dhe hapat e guximshëm jetësor.
Çka të them tjetër – mbase edhe kjo që po e them është paksa e guximshme (po e them me humor)…, por, sidoqoftë, konsideroj që do të doja të kisha më shumë guxim, unë vet, po edhe të tjerët, e të pyeteshim, edhe zëshëm – kush jemi ne, a jemi dhe sa jemi ne produkt i vetvetes, i prirjeve tona më të natyrshme për zhvillim, apo ndoshta kryesisht jemi produkt i fabrikës shoqërore, i makro-sistemeve të programimeve, për të cilat nuk ia kemi idenë fare!…   

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Nuk e di tamam dhe, sado kjo mund të tingëlloj goxha absurde, nuk e di me saktësi! Në faza të ndryshme të zhvillimeve tona, kur ne i dorëzohemi një ëndrre apo një tjetre jetësore dhe ajo ëndërr na bëhet realitet, ne kemi ndjenjën e vet-përmbushjes, kurse në një fazë tjetër të zhvillimeve tona jetësore ëndrra të tjera bëhen ideal i yni dhe ato që quajmë të arritura e suksese relativizohen, zbehen…Ajo që jam përpjekë të arrij është që të mos bëhem rob i idesë së sukseseve afatshkurta dhe të jashtme, kult ky i cili – SUKSESI – është bërë pengesë në rrugën e njëmendët të realizimit jetësor, për të cilën shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm.
Po ashtu, jam përpjekur që, sa ka qenë e mundur, të mos krahasohem me të tjerët dhe të mos i mat sukseset dhe të arriturat e mia me ato të të tjerëve, por, njëherë, të matem e të krahasohem me vetveten, me atë se sa po e tejkaloj vetveten dhe, së dyti, sa po i shfrytëzoj potencialet e mia! Sepse, secili prej nesh, natyrshëm është unik, me kufizimet dhe me përparësitë e veta!
Jam pyetur e pyetem shpesh, po ashtu, a është shfrytëzimi i këtillë i energjisë sime në shërbim të realizimit tim, në shërim të asaj që humanisti dhe psikologu i njohur, Abraham Maslowi e quan vet-aktualizim, vet-sendërtim! Edhe sukseset më të mëdha të jashtme, nëse nuk shoqërohen nga ndjenja e brendshme e vet-realizimit, e pakta për mua, nuk janë suksese dhe të arritura jetësore!
Me habi e me dhembje kam vëzhguar e vëzhgoj edhe sot e gjithë ditën prishjen e sistemit të vlerave tona dje e sot, posaçërisht në këto kohët e fundit të mbizotërimit  dhe të keqpërdorimit masiv të rrjeteve sociale, kur KULTI I SUKSESIT është obsesion, është një robëri, të cilës ne i jemi dorëzuar e po i dorëzohemi gjithnjë e më shumë!
Prandaj, një nga të arriturat e mëdha të miat e konsideroj refuzimin tim të dogmave mendore e shoqërore të kohës sonë lidhur me Kultin e Suksesit dhe përkushtimin tim që, me aq sa mundem, të kultivoj filozofinë jetësore të realizimit e të vet-realizimit të potencialit tim, i madh apo i vogël qoftë ky potencial! 

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Ahhh, prapë do të thosha, shumëçka dhe, kur them kështu, kam parasysh faktin se jo gjithherë kam bërë më të mirën time, jo gjithherë kam qenë mjaftueshëm kreativ, i kthjellët dhe i urtë në hapat, veprimet dhe në përcaktimet jetësore! E kam fjalën se mund të kisha qenë ndonjëherë më i hapur e ndonjëherë më i mbyllur kundruall të tjerëve, se duhet të kisha qenë më durimtar e këmbëngulës…Mbase, nga kjo që po e them kaq hapur mund të rezultojë emëruesi i përbashkët i asaj që, po të ktheja kokën, do të doja të ndryshoj… 

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Sikur kjo të ishte e mundshme, besoj me siguri të madhe se edhe nga PËRTEJ do të doja të kthehesha e të shndërrohesha në njeriun që përkujdeset për më të dashurit e vet e, mbi të gjitha, për fëmijët e mi, për nipin tim, Janin, shpresoj nesër pasnesër edhe për nipat, mbesat e mia të tjera, sikur të ishte e mundur kjo…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Është familja ime, janë fëmijët e mi, janë ajo gjëja që i jep kuptim e peshë të gjitha të tjerave…  

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Sikur në këtë botë të kishte më pak mjerime se sa ka, do ta kisha më të lehte të bëja me gisht drejt një forme të mjerimit a një tjetre…Bota është mbërthyer, posaçërisht nga fillimi i mijëvjeçarit tonë e këndej, nga kthetrat e rënda të padijes, që reklamohet si dije; nga prapakthimi shpirtëror e moral, që artikulohet e pranohet në përmasa masive si përparim, jo vetëm teknologjik, po edhe moral e shoqëror; nga luftërat shkatërrimtare, që bëhen, më pak e më rrallë për drejtësi, çlirim e demokraci, e që paraqiten plotësisht si luftëra çlirimtare, edhe atëherë kur vriten në përmasa masive njerëzit e pafajshëm, fëmijët, civilët e pafajshëm; njeriu e qenia shoqërore është pushtuar nga një valë e pandalshme e tjetërsimit, e zhveshjes, jo vetëm nga tiparet morale, por edhe nga tiparet thelbësore njerëzore, duke e tjetërsuar e rrezikuar, madje, edhe integritetin biologjik, nga eksperimentimet e kobshme, fundi i të cilave ende nuk dihet dhe kur druhet se ky është vetëm fillimi i transformimeve të paimagjinueshme, të paimagjinueshme vetëm tre a katër dhjetëvjetësha më herët…Dhe, e gjithë kjo, në emër të ruajtjes së racës njerëzore, në emër të ruajtjes së lirisë e të mirëqenies së racës sonë!!…
Dhe, kur kësaj i shton edhe përpjekjet djallëzore të rrezikimit të identitetit e të integritetit intelektual, hulumtues e kulturo-artistik, në nivel global, të mos flitet për identitetin dhe integritetin e njeriut të zakonshëm, të atyre që quhen masa të gjera, që fare lehtësisht manipulohen e tjetërsohen, atëherë njeriu si individ nuk ka si të mos kaplohet nga një ndjenjë e ankthit lidhur me zhvillimin e mëtejmë të fatit të njeriut e të shoqërisë njerëzore…
Transformimet marramendëse teknologjike, që janë një pasuri, në njërën anë, pastaj, në këtë mes edhe inteligjenca artificiale, të cilat paraqiten si përparim i civilizimit tonë,  edhe atëherë kur nuk janë, në anën tjetër, si dhe ideja se të arriturat e këtilla mund të dalin në një fazë të “zhvillimeve” nga kontrolli, më bëjnë shpesh të mendoj dhe mbjellin brengë.
Njeriu, mbase historikisht, ka qenë viktimë e sistemeve të caktuara shoqërore e politike, por, posaçërisht nga fillimi i këtij mijëvjeçarit tonë, njeriu është viktimë e manipulimeve masive, është viktimë e asaj që sistematikisht instalohet nga jashtë në qenien e tij nga fabrika shoqërore dhe programuesit e shijeve, të kërkesave, të koncepteve, të mënyrave të jetesës, për të cilat njerëzit besojnë se janë përcaktim i tyre, në kohën kur pothuajse e tëra është e instaluar dhe e programuar sistematikisht nga jashtë…
Kur ke parasysh gjithë këto, të thëna krejt në vija të trasha, a nuk rezulton se ka aq shumë mjerime sa individi vështirë se mund të bëjë me gisht vetëm në një drejtim?!…. 

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në vitet ’90-të shekullit të shkuar, kur jetonim në kushte të pushtimit dhe luftonim për lirinë e përpiqeshim të çliroheshim nga regjimi fashist i Beogradit dhe të ndërtonim shtetin tonë, për shkak të angazhimeve të mia politike e diplomatike deri në vitin 1999, kam udhëtuar herë pas herë me punë e me shërbim në shumë shtete e kontinente, deri në Amerikë e në shtetet skandinave e në Evropën Perëndimore  dhe, posa përfundonte agjenda e punës, mezi prisja të kthehesha në Kosovën e pushtuar, në Prishtinë e në Pejë, posaçërisht.
Nëse jeta me valët e saj, qoftë edhe përkohësisht, do të më hidhte jashtë Kosovës, do të luhatesha midis jetesës në Suedi dhe në Zvicër, vende këto ku liria jote përfundon aty ku fillon liria e tjetrit!…

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Nuk e di tamam, mbase vullneti, vullneti dhe vetëdija se kam edhe dëshirë, edhe shtytje, edhe një si thirrje të brendshme, që këtë jetë që e kemi dhe që është një e vetmja jetë, ta jetojmë sa të jetë e mundur më shumë, të mos dorëzohem, ta kanalizojë energjinë time në projektet e mia jetësore…Pra, mbase ky vullnet për të sendërtuar vetveten…

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Guximin, durimin, urtësinë….Ah, këtu po më kujtohet poezia antologjike e Kiplingut,  “Në munç”, e përkthyer për mrekulli nga Noli e Shvarci!…Këtë poezi, e cila ngërthen e shqipton me një gjuhë e me një meditim poetik brilant ëndrrën e njeriut, të them të burrit, e lexoj shpesh dhe aty gjej tiparet që një burrë duhet të kishte, të cilat do të doja t’i kisha…Shpresoj të frymëzoj dikë që ta lexoj e rilexoj edhe një e më shumë herë këtë poezi… 

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Të qenët femër e femërore, gracioze, e ndjeshme dhe imagjinative, njëkohësisht, e fortë dhe e pavarur…

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Më duket se, në prozë, është Herman Hese, kurse në dramë, luhatem midis Shekspirit e Juxhin O’Nillit!  

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që e duan lirinë e atdheun dhe që nuk i zmbraps frika nga vdekja, ata njerëz, të cilët, edhe nën tehun e vdekjes, nuk i tradhtojnë idealet e veta…

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Këtu po ma kujtoni Freudin, i cili, gjysmë në shaka, megjithë atë potencial e ato dhunti të jashtëzakonshme që kishte, përherë është ankuar lidhur me atë se Zoti, kur e kishte krijuar atë, Freudin, kishte qenë i kursyer…Jo që dua të krahasohem – as rastësisht madje – por, kur më kujtohet kjo, fare seriozisht, sikur ngushëllohem e pajtohem me ato dhunti që kam dhe kjo më flet se sado të ketë njeriu, është e shëndosh të gjakojë, të dëshiroj më shumë dhunti, talente…

Si do të dëshironit të vdisnit?

I rrethuar nga njerëzit e mi të dashur, në qetësi, duke mos i trishtuar, duke dashur t’ua përcjellë atë mesazhin se vdekja nuk është fjala e fundit e jetës, se ia ka vlejte e se ia vlen të jetohet…

Cila është motoja juaj?

Se nuk duhet të zmbrapsemi, as atëherë kur, për arsye të ndryshme, mund të jemi vetëm dhe kur, për arsye të jashtme apo të brendshme, jemi të çarmatosur dhe duket sikur mbyllen dyert e jetës…As atëherë, madje…

(Ju faleminderit për pyetjet tuaja, të cilat janë frymëzuese e të cilat, si të tilla, të bëjnë edhe njëherë të mendosh për çështje thelbësore të jetës e të ekzistencës…)

ObserverKult

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ NORA HALIMI: DASHURO. S’KA GJË MË TË BUKUR SE TË DASHUROSH…

PYETËSORI I PRUSTIT/ BLERIM LATIFI: E MJERUESHME ËSHTË INJORANCA E VESHUR ME AUTORITET!