Pyetësori i Prustit/ Nora Halimi: Dashuro. S’ka gjë më të bukur se të dashurosh dhe të jesh i/e dashuruar!

nora halimi

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet artistja dhe profesoresha Nora Halimi:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Unë besoj në fragmente lumturie të përkryer, besoj që lumturia është e përbërë nga gjëra të vogla, por të çmuara si zgjimi me fytyrën e përgjumur të Llarës çdo mëngjes, vajzës time të vogël, zhurma e përditshme e derës kur mami ngjitet në banesën time për ta përqafuar Llarën e për ta bërë kafen e mëngjesit.

Aroma e kafes në mëngjes është poashtu një ritual i vogël lumturie, zëri i njerëzve të dashur në telefon, pesha e dimrit dhe magjia e borës, dritat dhe atmosfera festive e dhjetorit, muzgjet e verës, aroma e letrës dhe bojrave… lista do të ishte e gjatë.

Ka dhe ditë kur jeta na rëndon mbi supe, por janë pikërisht këto ditë që na bëjnë t’i vlerësojmë më shumë këto fragmente lumturie. Jeta është e bukur dhe është bekim ta jetosh këtë bukuri.

Cila është frika juaj më e madhe?

Humbja e njerëzve të familjes, njerëzve të mi të dashur. Frikë të mos shkaktoj pikëllim në sytë që dua.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Mamin. Është epitomë e gruas së fortë dhe të ndjeshme njëkohësisht, e qëndresës dhe gruas së palodhur. Është një nënë me një ndjenjë të tillë vetsakrifice, se la mangut veten gjithë jetën për mua, motrën dhe vëllanë tim.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Nuk e dëshiroj një gjë të tillë. Kam vetëm vlerësim dhe admirim për veprën e tyre, për trashëgiminë që i kanë lënë njerëzimit, secili në fushën e vet.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Pavendosmëria, zvarritja e gjërave. Më duhet kohë më e gjatë për të bërë zgjedhje apo për të marrë vendime.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Hipokrizinë, ligësinë, servilizmin, bindjet e verbëra. Mendjengurtësinë.

Në cilat gjëra e teproni?

E teproj me kohën që ua kushtoj detajeve.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Një situatë e jashtëzakonshme. Për të shpëtuar ose mbrojtur dikë që dua. Për të evituar ndonjë fatkeqësi.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Rruga që më çon drejt njerëzve të dashur, drejt përqafimit të tyre.
Rruga që më çon te kopshti i fëmijëve për ta marrë Llarën, rruga që më kthen në shpi pas një dite të gjate pune a pas një udhëtimi, rruga që më çon drejt detit, udhëtimet në kujtesë, udhëtimet imagjinare…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Vitet e fundit, sidomos që kur jam bërë nënë më së shpeshti e përdor frazën: Të lutem, kujdes…ki kujdes, Llara.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Për kohën e humbur. Më vjen keq që në periudha të caktuara të jetës e kam vrarë kohën me njerëz dhe gjëra koti.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Llara. Familja ime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Janari më fut gjithmonë në një gjendje melankolie, ma kujton atë thënien arbëreshe: “Dil moj hënë e janarit, ndriço dashurinë”.

Gjithsesi, pavarësisht ndjesive momentale, jam gjithmonë mirënjohëse dhe e bekuar me aq sa kam, një familje që gëzon shëndet dhe jeton në paqe, në një kohë kur njerëzimi nuk po jeton ditët e tij më të mira.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Do doja të mos ndikohesha nga energjia negative e njerëzve përreth.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Që linda Llarën, krijova familje. Perveç familjes, kam dhënë më të mirën time në çdo gjë që kam bërë. Merrem me një profesion që e dua dhe kam një krijimtari krejt modeste pas vetes, me shpresë për më shumë e më mirë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Mbase do kisha dashur t’i kushtoja më shumë kohë pasioneve të mia që lidhen gjithmonë me artin dhe të bukurën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Të isha prap unë. Ndihem mirë në lëkurën time, me veset dhe virtytet që kam.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Familja dhe pasioni për të krijuar. Kurreshtja e përhershme për forcën dhe magjinë që na jep arti.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Të qenit i paaftë për të dashuruar. Shpirtvogëlsinë.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Diku buzë detit. Me arratisje të kohë pas kohshme në vende të atilla ku do kisha mundësinë t’i përjetoja të katër stinët e vitit.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Toleranca, besoj.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Fuqinë për të dashuruar, natyrshmërinë, bujarinë, durimin, empatinë, tolerancën dhe mendjen kreative.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Feminilitetin, brishtësinë. Vullnetin e lirë, natyrshmërinë, dhembshurinë, elegancën dhe mendjen kreative.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Asnjëherë nuk është vetëm një. Varësisht nga periudhat kur kam mundur t’i përkushtohem leximit kam pas të preferuar emra të ndryshëm. Për momentin po rilexoj poezi të Camajt dhe Rreshpjes.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Mami. Gjyshja. Të gjithë njerëzit që kanë pasur dhe kanë guximin të shkojnë përtej mundësive të tyre njerëzore, për të na e bërë jetën më të lehtë dhe botën një vend më të mirë për të jetuar.
Njerëz që gjejnë fuqi që çdo ditë të punojnë e jetojnë me dinjitet, pa u shpërfytyruar.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të kisha një vesh të mirë për muzikë. Të luaj në piano.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Mes njerezve të familjes, në shtëpinë time. Të mbyllja sytë me imazhin e Llarës para.

Cila është motoja juaj?

Dashuro. S’ka gjë më të bukur se të dashurosh dhe të jesh i/e dashuruar. Më është ngulitur në kokë një përgjigje që e kam lexuar në një intervistë të dhënë nga Mimoza Ahmeti: “Dashuria mund të marrë formë njeriu, por njeriu që nuk merr formë dashurie, nuk ka më se çfarë bën”.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: ADEM GASHI/ LUFTA ËSHTË SHPIKJA MË E POSHTËR E NJERËZIMIT

PYETËSORI I PRUSTIT/ ORNELA MUSABELLIU: JETA ËSHTË NJË LOJË: LUAJE BUKUR DHE ME SERIOZITET!

ObserverKult