Pyetësori i Prustit/Bardhyl Selimi: Jeto, puno dhe vdis i ndershëm!

bardhyl selimi

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet esperantisti i njohur shqiptar Bardhyl Selimi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk besoj se ekziston, por një punë dhe pension i mirë, një shëndet i mirë, një familje e shëndoshë në një shoqëri të drejtë, të qyteteruar, pa fqinj dhe miq të varfër ose ziliqare, në një botë paqësore dhe bashkëpunuese.

Cila është frika juaj më e madhe?

Mos i ndodhë gjë e keqe fëmijëve, mos të mbetem në mes të katër rrugëve, i sëmurë, i dobët pa përkrahje, luftërat e brendshme dhe me jashtë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Dy djemtë e mi.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Me Hasan Prishtinën.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Besoj shumë te fjala e tjetrit.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mosmirënjohja.

Në cilat gjëra e teproni?

Lexoj dhe shkruaj shumë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Do gënjeja kur e kuptoj se ma kanë me të padrejtë, njerëzit e ligj, pushtetarët, armiqtë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Te djemtë jashtë shtetit, në Kosovë te vendlindja dhe miqtë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Ç’është e vërteta, nuk është kështu.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Nuk kam mësuar të lozi me ndonjë vegël muzikore.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Tani që ime shoqe është e sëmurë rëndë, po e kuptoj se ajo është dashuria ime më e madhe dhe më vjen keq që do ta humbas.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Fatmirësisht ende e mirë, kam kujtesë, kam durim, kam optimizëm.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Të mos isha emocional si tani, të mos prekesha aq lehtë nga ndodhitë reale dhe fiksionale.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

U diplomova shkëlqyeshëm në matematikë, dhash leksione në universitet, dola në pension pas 40 vitesh me nder, krijova një familje të mbarë, sigurova një mirëqenie ekonomike të pëlqyeshme.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Njeriu formohet në shoqëri, në një regjim politiik. Po të isha rritur i lirë si tani brezat e rinj, me siguri do bëhesha më i denjë për familjen dhe shoqërinë, jo i ndrydhur, pa iniciativë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Nuk jam spiritualist të them çfarë personi ose sendi do dëshiroja të isha. Mbase thjesht një njeri i ndershëm si tani.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Shpirtërisht është ndershmëria, materialisht familja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Material: i pastrehë, i papunë, i pafamilje, i sëmurë, pa shpresë.
Shpirtëror: servilizmi, poshtërsia, makutëria.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Aty ku kam familjen, shoqërinë, ku ka drejtësi, qytetërim, humanizëm.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Respekti për njerëzit, mirësjellja, dëgjueshmëria, korrektësia.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Besën.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Mirëkuptimin, harenë, sinqeritetin, besnikërinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Petro Marko.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Punonjësit e mjekësisë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të këndoja.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në gjumë, në ëndërr, me njerëz pranë.

Cila është motoja juaj?

Jeto, puno, vdis i ndershëm!

ObserverKult

Lexo edhe:

BARDHYL SELIMI FLET PËR ESPERANTON DHE RAPORTIN E SHQIPTARËVE ME KËTË GJUHË (VIDEO)

LIBRI ME POEZI I DONIKA DABISHEVCIT BOTOHET NË ÇEKI/ POEZITË FLASIN NË ESPERANTO