Pyetësori i Prustit/ Eli Krasniqi: Mësime janë do gjana që nuk ndryshohen!

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet antropologia dhe studiuesja, Eli Krasniqi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Nuk kam nji ide të tillë. Ose ndonji ide të qartë për të përkryemen, sidomos jo për lumturinë e përkryeme si gjendje e përhershme. Janë momente në ditë krejt të zakonshme. Tash, duke u përgjegj në këtë pyetje, jam në aeroport duke shku në Prishtinë dhe po mendoj që janë momente tejet të lumtuna mëngjeset me nanën. Kur zgjohem, e thërras nanën me u ulë te shtrati jem, fillojmë me ia kallxu njana-tjetrës andrrat që i kemi pa, e nana gjithmonë para se me nisë me kallxu thotë “p‘e boj njet për sabah” dhe e përcjellë këtë më nji buzgaz sepse e din që përpara më ka ba me keshë shumë kjo fjali. Kjo puna e njetit gjithë mu ka duk interesant. Njeti, a qëllimi fillestar. Tue u rritë e kam kuptu se kusht paraprak i randsishëm i gjithçkaje asht me pasë si fillim qëllimin e mirë e me ju pri gjanave për mirë. Tingëllon si e mirëqenë, e di, por nuk asht.

Cila është frika juaj më e madhe?

Gjatë luftës në Kosovë, ato pak herë kur kam përkthy për gazetarë në terrene të luftës e kam pas mësu që kur vdesin njerëzit ma shumë duhet me u vajtu të gjallët që ngelin mbas. Dhimta cfilitëse dhe mbijetesa apo “faji“ i mbijetesës janë kombinime të randa për shpinta të brishtë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Ka shumë gra e burra që ua admiroj punën. Lista asht e gjatë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Ka aq shumë personalitete frymëzuese, por nuk shkoj aq larg sa me u identifiku me to. Me gjasë më mjafton dijenia e fuqia që marr prej tyne – studiuese feministe, shkrimtare, aktiviste feministe, që kanë ba ndryshime për përmirësimin e jetëve të njerëzve në botë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Nganjiherë më mungon durimi. Kisha pasë qef me pasë ma shumë durim e nerva.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Lajkat. Mungesa e besnikërisë. Eksploatimin e kauzave të drejta politike për qëllime personale, materiale etj.

Në cilat gjëra e teproni?

Nji herë në vjet “më pëlcet filmi“ në ndonji burrë patriarkal me vetëbesim, edhepse tash që po mendoj goxha moti nuk ka ndodhë. E kam pa pak si tepri, por kur po mendoj ma mirë, në fakt, hiq nuk ka tepri aty. Ndoshta asht ma reale me thanë që e teproj tue u ba merak për gjana që nuk i kam në kontroll. Ndër vite edhe kjo gja ka ndryshu, por ka hala punë. Mandej detajet. Në faza të caktume, bahem obsesive me detaje.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Pritesa (përtesa) me i përsëritë gjanat. Brodsky thotë diçka si përsëritja e krijon mërzinë (boredom). Pritesa me e zgjatë ndonji muhabet të shterrun, gjithnji e ma shumë po më ban “rrence”.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Nuk po më bjen në mend diçka e veçantë. Rrugëtimi jem – studime, letërsi, aktivizëm, ka qenë në rregull. Kohëve të fundit, më asht mërzitë akademia, ose korporatizimi i prodhimit të dijes, dhe ka ardhë koha me ndryshu formatin, jo përmbajtjen, pra jo studimet/hulumtimet, por kornizën se ku zhvillohen këto.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Deksha n‘ lloq!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Paj, vështirë me thanë diçka përtej mikro situatave që fundja, merret mësim, në rastin ma të mirë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Jeta din me qenë shumë bujare në këtë pikë – çkado që ka lidhje me mësimin e gjanave të reja e të randsishme e që si rezultat kishte me pasë edhe veprimin drejt rrënimit të shtypjes politike, ekonomike, kulturore, klasore, seksuale e racore ndaj grave, apo grupeve tjera të shtypuna. Nxania e ditunisë pra (e cila, e ditun koftë, nuk bahet vetëm në formatin shkollor), dhe veprimet sado të vocrra, për mu mbeten udhë drejt emancipimit dhe lirisë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Tue qenë se asht gati verë, asht goxha mirë. Vjeshtës (a dimnit), melankolia më rrin në parmak, e lumtun që nganjiherë ia çeli dritaren hap e krah dhe nën rrezet e vakta të ktyne stinve, e pimë kafen bashkë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Nganjiherë jam goxha naïve.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Mundohem me qenë besnike ndaj parimeve e idealeve të mia, por nuk asht mision i kryem kjo. Së bashku me kultivimin e njerzisë, mbesin përpjekje të çdoditshme.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Nuk e di. Mësime janë do gjana që nuk ndryshohen.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Ah, do t’ishte interesant me u kthy si nji Angelus Novus e Paul Klee, ama në interpretimin e Walter Benjaminit, përnime.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Fletoret e mia i ruj me fanatizëm. Por prapë, e panevojshme me u thanë ma që gjanat ma të shtrenjta, nuk munden me u posedu.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Më duket e dhimshme mungesa e kurreshtjes. Besimi i verbër në dogma. Pavetëdija për gjendjen e skllavnisë.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në Evropë, vetëm tue qenë se jam afër shpisë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Po rrezikoj boll me qenë tejet subjektive, por më duket që asht cilësi me pasë ndjeshmëri e fuqi njikohësisht.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Siq thotë gjuhëtarja, prof. Sala Ahmetaj “virtytet nuk ndahen në mashkullore e femërore, por në njerëzore dhe jo njerëzore”. Kjo si bazë e pastaj, megjithatë, e vlerësoj kur burrat kanë vetëdijen për damin e heteronormativitetit, për damin e patriarkalizmit në përgjithësi. Do t’i kisha vlerësu përpjekjet e tyne të sinqerta, për rrënimin e këtij sistemi. I damton edhe ata, megjithë privilegjet që mund t’i kenë.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Edhe këtu, njësoj ajo që thotë prof. Ahmetaj, por, megjithatë fuqia e grave me mbijetu përgjatë historisë, e me triumfu më ka fascinu. Betejat e tyne kundër shtypjes gjinore, në çfarëdo formati, janë pamjaftueshëm të vlersume.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Nuk kam ndonji shkrimtare apo shkrimtar që e kam të preferuemin përgjithmonë. Pa dyshim që Virgina Woolf e Simone de Beauvoir kanë lanë gjurmë të randsishme kur tezja jeme Shukrije Gashi (poete, juriste, eksperte ndërkombtare në sektore të ndryshme të shoqnisë civile) m’i ka prezantu kur unë kam qenë në shkollë të mesme. Viteve të fundit, çka lexoj varet prej asaj se çka jam t’u hulumtu, ose në çfare valë të disponimit jam.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Vazhdojnë me qenë gratë në rrethin tem të ngushtë, ato me lidhje biologjike e jo biologjike. Gratë e burrat të mbijetuem nga tmerret e luftës së fundit. Feministet që çdo ditë e bajnë hisen e tyne të aktivizmit. Heroina janë gratë e burrat që ia dalin ditës, sidomos tash në kohë krizash ekonomike, politike e klimatike.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Matematikën.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Me shku me flejt diku para sabahit, e mos me u çu ma.

Cila është motoja juaj?

Nuk kam.        

Verë, Graz, 2022

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ ZYRAFETE SHALA: NUK MUND TA IMAGJINOJ DOT SE SI DO TË ISHTE JETA PA LETËRSI!