Pyetësori i Prustit: Emin Z. Emini

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet dramaturgu Emin Z. Emini.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Paska diçka të tillë? Soji im nuk beson në ekzistencën e lumturisë. Përderisa njeriu përpiqet gjatë gjithë jetës ta gjejë atë, kjo do të thotë se ajo nuk ekziton, në totalitetin e saj. Njësoj, si edhe e vërteta. Ndryshe, do ta gjente lumturinë dhe nuk do të kishte kush ta nxirrte nga ishulli i saj. Thjesht, askush nuk do të pranonte ta braktiste këtë atdhe qoftë edhe nëse kjo do t’i kushtonte me jetë.
Por, unë besoj në çastin. Në çastin e lumtur. Ato çaste, po mundëm t’i lidhim, do të na mundësonin të tërhiqnim një si shirit filmi, nëpërmjet të së cilave pastaj do ta modelonim e do ta rikonstruktonim lumturinë, përjetimin e saj. Asaj të ëndërrtës, e kam fjalën. Po, jashtë ëndrrës, çast lumturie është, fjala vjen të bërit baba, nënë, botimi i një libri autorial, dehja nga dashuria, ndonjë sherr, ndonjë… Është edhe kur shohim një flutur në lulet e lëndinës, ani pse e dimë se pas pak orësh, për dhembjen tonë, e ajo nuk do të jetë më.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika nga jeta. E çuditshme, njerëzit kanë frikë nga vdekja. Vdekja, ashtu-kështu vjen një ditë, por nëse gjatë gjithë jetës nuk  ia bëjmë “hyzmetin” çastit të vdekjes, atëherë duhet të frikësohemi nga jeta, nga mënyra e bërjes. Ta zëmë, po qe se në këtë rast bëj të dashurin, atëherë, a di dhe a kam aq guxim që të reflekoj, a di dhe a kam aq guxim të jap së paku aq sa kërkoj, të mos mbetem borxh. Të di e të guxoj të jap më shumë. Frika nga borxhi ka fytyrë të trishtë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Moti e kam mësuar përgjigjen stereotipe të kësaj pyetjeje, nuk admiroj asnjë person të gjallë, ose në stilin: vetëm Zoti duhet admiruar. Nuk e di pse harrojmë qëllimshëm të duam njerëzit. Merre me mend, njerëzit që na mundësojnë ta shtyjmë ditën. Edhe ata të panjohurit. Miqtë, pa dyshim. Krahët e njeriut janë miqtë, më thoshte shpesh, im atë i ndjerë, teksa pak më pas shtonte: një është pak, dy janë shumë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ka shumë, por nuk e di pse ndjehem i lodhur nga historia. Nuk kam aq forcë sa të më bie ndërmend së paku një.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Sinqeriteti. I tepruar.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohjen.

Në cilat gjëra e teproni?
Me modestinë, me heshtjen, me durimin. E edhe më shumë me duhanin e me kafen, haha.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Të shpëtoja një jetë njeriu. Por ka edhe çaste kur e kam zënë vetën “me presh në dorë”, psh, kam gënjyer gruan, të dashurit, miqtë, se jam mirë me shëndet, jam si topi, kur në të vërtetë ka qenë krejt e kundërta.
Pse ta fsheh, edhe në art përpiqem të gënjej bukur. Më shumë se bukur. A nuk është ky profesioni i shkrimtarit, regjisorit, dramaturgut, tek e fundit i çdo artisti?

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Kthimi në drumin e pluhrosur të kujtimve, kthimi në ndonjë çast të rrallë. Fëmijëria ime nuk ka qenë e bukur, ndonjëherë nuk më kujtohet në ka ndodhur a jo. As rinia. Por dhëmbët e kohës e bëjnë të vetën, të grimcojnë, edhe kur ti nuk e di përse. Epo, as tash nuk e di, më besoni, pse më kujtohet një çast dhe pse duhet t’ua rrëfej. Atë çastin kur më zuri inati me veten, me dimrin, çastin kur u ndjeva i turpëruar, ngase rrëshqita dhe u rrëzova. M’u kujtua, ndoshta, nga malli për të rrëshqitur e për t’u rrëzuar prapë, së gjëri e së gjati, në akullin e dimrit, në mes të rrugës, para shokëve e shoqeve të gjimnazit, vetëm e vetëm që ajo të shkrihet së qeshuri. Të shkrihet si bora e atij dimri. Pa cka se prej atëherë, atë, nuk e parë më. Ndoshta as nuk është më.
Apo, rrugëtimi që kërkon çeljen e portës së parajsës e të ferrit njëkohshëm është ikja në ndonjë azil krijues qoftë letrar, qoftë teatror. Arratia nga përditshmëria ngulfatëse, nga pjesa banale e jetës, nga stomaku.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Ec, mos ndalo, djalo. Pastaj, sikur të mos mjaftonte kjo, i them vetës: vazhdo tutje, sepse duhet vazhduar tutje. Kështu të kanë thënë, kështu duhet bërë. Ani pse, nuk ka asgjë atje “tutje”. Asgjë!
Ndërsa, për të tjerët veshi veladonin e predikuesit: Jetoni, mos shpresoni!
Pastaj, bëhem predikues i devotshëm: Shpresa është gënjeshtra më e bukur që kanë shpikur perënditë për ne, njerëzit.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më vie keq për pamundësinë që ta ndali të keqen. Fjala vjen, luftërat, kudo ato ndodhin, apo vrasjen e një kafshe “të egër” që jeton në liri, në paqen e saj, në shtëpinë e saj.
Nuk jam penduar për ato që kam bërë, por ato që nuk i kam bërë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
E çka tjetër pos dashurisë. Pos jetës. Familja, fëmijët. Shqipja, Liriku e Epiku.
Natyrisht edhe librat e teatri.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nga jashtë, ndoshta dukem i rregullt, i qetë, i përmbushur, ku ta di. Brenda, në humbellën e gjoksit frullon diçka pandërprerë, atje ka terr e dritë, valë e trandje, të cilat më rikujtojnë në mirëbesim se ende jam gjallë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të isha më këmbëngulës.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të shenjtën, familjen!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk dua të rikthehem në kohë për të ndryshuar gjë apo që ta rijetoj jetën, Gjithçka ndodhë vetëm një herë. Të tjerat janë përsëritje, kopje të zbehta, janë hi. Janë pakuptimësi. Janë zymtësi monotone, vrasëse. Janë antijeta. Të ndryshojmë, pa dyshim, deshëm a nuk deshëm është gjë që ndodh vetiu, e që do të ndodhë vazhdimisht. Nuk e kuptoj pse u dashka ta kthejmë kohën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Të kthehesha në trajtën e buzëqeshjes së fëmijëve!

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Besimi!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Shterpësinë. Shterpësinë shpirtërore. Atë, shkretërirën, pra!

Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku jam. Me dy këmbët në tokë. Dhe, atje ku nuk jam. Ku iki sa herë të më vie për së mbari.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Hahaha, mund t’i ikim gjenit? Burrërinë, pa dyshim!

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Femëroren. Natyrshëm. Atë aromën që vetëm femërorja ka. Femëroren që rrjedh përvjedhtas nga e pavetëdijshmja. Nga E bukura dhe E mençura. Femëroren fataliste, pra.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Një? Nuk ua them dot, asesi. Ka disa. Sabato, Shekspiri, Dostojevski, Kafka, Kadare, Becketi… Bah, sapo bëra mëkat!

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nënën nuk e mbaj mend, isha vetëm dy vjeç kur më la. Unë e di vetëm emrin nënë. Ndoshta unë kam ndërtuar një heroinë së cilës ia kam vënë emrin nënë. Ajo është heroina ime. Për më shumë se 30 vjet e shkruaj një poezi për nënën. Asesi ta mbaroj, ta quaj të kryer. Ndoshta nuk do ta kryej kurrë. Kurrë. Një variant e kam shkruar, disa variante, shumë variante. Nuk e kam botuar. Druaj se nuk do ta shkruaj as ta botoj kurrë. Kjo më dhemb tmerrshëm, por ka dhe ka çaste kur kjo më mrekullon. Shpesh i them vetës, po sikur do të ik pa e kryer, sepse jeta është kaq e shkurtër sa nuk të mjafton që ta shkruash qoftë edhe një poezi, një të vetme për nënën, natyrisht.
Heroinë është çdo nënë, është çdo grua. Ah, gruaja! Kjo qenie kaq delikate, kaq e bekuar dhe kaq e mallkuar.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të vallëzoja. Të kërceja e të qëndroja pezull në ajër, sepse për mua vallja është një variant jete, një lloj dramaturgjie në lëvizje, mes tokës e qiellit.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa borxhe ndaj njerëzve. Gjatë aktit krijues. Në skenë, në teatër. I dashuruar dhe në këmbë.

Cila është motoja juaj?
Zoti është dashuri, njeriu është dashuri, arti është dashuri./Gazeta Observer